FOTO/ Goranët dhe gollobordasit, dyndje në ambasadë për pasaportën bullgare

FOTO/ Goranët dhe gollobordasit, dyndje në ambasadë për pasaportën bullgare

484
0
Shares

Goranët në Kukës, gollobordasit në zonën e Bulqizës dhe Prespa e Vogël në Korçë, tani e tutje, do të njihen si pakicë kombëtare bullgare. Kjo, pasi Parlamenti i Shqipërisë, në seancën e ditës së premte, me vota unanime, miratoi ligjin e minoriteteve, ku u përfshinë në ligj edhe pakicat bullgare, që nuk kanë ekzistuar më parë.
Sofja zyrtare pretendon se, sipas të dhënave jozyrtare, 50 mijë – 100 mijë njerëz, që i përkasin etnisë bullgare, jetojnë në Shqipërinë Lindore. Ndërsa Shqipëria Zyrtare, më parë, ka njohur dy lloje minoritetesh: nacional­etnik dhe kulturor­linguistik. Kategoria e parë përfshin minoritetin grek, maqedonasit dhe serbo­malazezët. Ndërkohë që etnia e pretenduar bullgare nuk hyn në asnjërën prej këtyre kategorive. Por kërkesat e Bullgarisë për njohjen e “pakicës etnike bullgare” në Shqipëri kanë shkaktuar jo pak komente në mesin e komuniteteve joshqipfolëse, apo më saktë bilinguistike (dy gjuhëshe) në Kukës.
Në dy dekadat e fundit, diplomatë të vendeve ballkanike dhe segmente të caktuara të politikës dhe akademive të shkencave të këtyre vendeve, duke përfituar nga rrethanat aspak të favorshme ekonomike të Shqipërisë, si dhe rrethana të tjera jo shumë komode në aspektin gjeopolitik, kanë treguar oreks në rritje për të “zbuluar” pakicat etnike në Shqipëri dhe mundësisht komunitetet me një numër sa më të madh.

Pasaportat
Çdo ditë para konsullatës bullgare në Tiranë sheh të grumbulluar banorë të zonës së Gorës që presin për të dorëzuar dokumentet në ambasadë, për të bërë të mundur marrjen e një pasaporte bullgare. Në mëngjes, para se të paraqiten në ambasadë, Nuredin Nuredinaj, një person nga zona e Gorës, por me banim në Farkë të Tiranës, që kryen rolin e përkthyesit, këshillon aplikuesit për ndonjë mungesë apo pasaktësi në dokumentacion. Përkthyesi i miratuar nga Ambasada Bullgare nuk e ka të nevojshme të kryejë rolin e ngarkuar në konsullatë, pasi aplikuesit goranë nuk e kanë të vështirë të komunikojnë me konsullin e Ambasadës Bullgare.
Dokumentacioni i fazës së parë ka të bëjë me certifikatën e lindjes, atë familjare, si dhe certifikatën e trungut nga babai dhe nëna, të katërta me vulë të Prefekturës, si dhe vulën apostile të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërkohë që e njëjta situatë, si para Ambasadës Bullgare në Bllokun e Ambasadave është edhe në lagjen “Ali Demi” të Tiranës. Në afërsi të resortit “Orchidea”, në katin e parë të një pallati gjendet shoqata “Prosperitet Golloborda”. Ditë për ditë aty sheh banorë të zonës së Gorës e Gollobordës që presin në radhë për të legalizuar dokumentet për origjinën e tyre gorane apo gollobordase dhe për t’u anëtarësuar në shoqatë kundrejt pagesës prej 150 eurosh
“Këtu bëhet legalizimi i dokumenteve nëse je goran apo gollobordas kundrejt një pagese prej 150 eurosh. Ky legalizim bën të mundur dorëzimin e dokumenteve në konsullatë për të filluar më pas procedurën për pajisjen me pasaportë bullgare. Ata që kanë aplikuar në vitin 2012 janë skualifikuar dhe të gjithë do të përsërisin dokumentet. Me ardhjen e qeverisë së re të Bojko Borisovit, shanset janë shtuar se tepërmi për të marrë një pasaportë bullgare”, thotë Enver Nuredini, banor i Farkës, por që ka lindur dhe është rritur në fshatin Oreshkë të zonës së Gorës në rrethin e Kukësit. Po të kesh dokumentacionin e rregullt, nuk të refuzohet dhënia e pasaportës. Po në vitin 2012, sipas aplikuesve ka pasur dallavere, ndaj po përsëritet i gjithë dokumentacioni i aplikuesve të atij viti. Por nëse një person ka marrë pasaportë bullgare nga trungu i familjes, atëherë proceduara është më e lehtë, pasi aplikon duke dorëzuar fotokopjen e pasaportës së noterizuar të personit që është në trungun tënd familjar. Pasaportat jepen me një afat 5­vjeçar me të drejtë rinovimi. Nëse më parë pasaporta vonohej deri në katër vjet nga koha e aplikimit, tashmë me ardhjen në pushtet të Bojko Borisovit, pasaporta të del për 1 ­ 1.5 vjet nga koha e aplikimit.
Por një arsye tjetër që josh popullsinë gorane për t’u pajisur me pasaporta bullgare është edhe shkollimi i fëmijëve në vendet e BE­së.
“Ka leverdi edhe për shkollën e fëmijëve. Bullgaria është vendi me nivelin më të ulet të jetesës nga shtetet anëtare të BE­së, kështu që ka favore për shkollim në shtetet anëtare. Nëse një shtetas gjerman paguan në një shkollë britanike 15 mijë paund, një student bullgar paguan vetëm 10% të kësaj shume”, thotë Edmond Veseli, student nga fshati Borje, që ka mbaruar studimet Bachelor në Bullgari dhe master në Gjermani dhe që disponon pasaportë bullgare.
Enkelejd Veseli tani jeton në Angli dhe pret që të marrë atje edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, pasi kanë aplikuar për pasaportë bullgare në pritje për ta marrë atë.
Ndërkohë që të tjerë banorë nga Kukësi me origjinë nga Gora, por edhe banorë të fshatrave të Gorës pas marrjes së pasaportës bullgare, udhëtojnë drejt Gjermanisë, pasi ndryshe nga të tjerët, e kanë më të lehtë qëndrimin dhe gjetjen e një pune.
Njëri prej tyre, pikërisht Leonard Ollomani, me origjinë nga Borja, por banor i qytetit të Kukësit, pasi është pajisur me pasaportë bullgare, familjarisht është zhvendosur në Gjermani. Por banorët e Shishtavecit ankohen se janë diskriminuar negativisht nga autoritetet bullgare në dhënien e pasaportave, ndërkohë që të privilegjuar janë zona e Borjes dhe Zapodit në Gorë dhe Golloborda në Bulqizë.
“Në Shishtavec mund të jenë vetëm 10 familje që kanë marrë pasaporta bullgare”, thotë studiuesi i kësaj zone, Zenulla Bala.
Studiuesi Bala ka bërë një studim prej 87 faqesh për familjen dhe lëvizjen demografike të popullsisë së Shishtavecit pas vitit 1945, më saktë pas çlirimit të Shqipërisë. Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY