Seanca e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” këtë radhë vjen me historinë e Brikenës. Dashuria me një djalë dhe më pas shtatzënia ku lindën një vajzë. Brikena e cila nuk di shkrim dhe këndim ka firmosur një dokument që nuk e dinte se çfarë ishte, por në të vërtetë ishte braktisja e fëmijës në një jetimore.
Vajza e braktisur nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër as familja s’e pranon. Por, Brikena tregon dhe një dramë tjetër të jetës së saj, trafikimin në Itali.
Brikena rrëfen se lidhja e tyre ishte serioze, pasi kishin vendosur që t’i kërkonte dorën. Por familja e saj mendonte se kjo ishte “një dashuri rruge”. Të atit të Brikenës, Faikut i thanë që ai djalë do ta trafikonte Brikenën jashtë vendit, ndaj i denoncoi në polici. Djali u frikësua dhe kur mësoi për shtatzëninë e saj u largua drejt Turqisë me justifikimin se kishte bërë aksident.
“Unë isha për të lindur. Shkoj në spital me 10 mijë lekë që ta hiqja, por nuk ma hiqte njeri. Lekë nuk kisha, ndihmë ekonomike, babai i fëmijës ma mbylli telefonin … Nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër. Nuk i thoja dot prindërve se kisha hall se mos më vrisnin, mos më vrisnin me gjithë fëmijën. Kisha shumë frikë!”
Faiku shprehet se nuk ishte në dijeni të shtatzënisë së të bijës dhe se gjithçka u mor vesh kur asaj i nisën dhimbjet e lindjes, që e çuan në spital.
“Ne ishim kundra dhe nuk e donim këtë gjest. Nuk erdhi një herë ai burrë, që donte kjo, të vinte në shtëpi të thoshte: ‘O baba, unë e dua këtë, kjo më do mua.’ Unë nuk e prapësova.”
Brikena tregon se prindërit e saj nuk e donin fëmijën dhe pas lindjes së saj, i kërkuan ta braktiste. Në gjendje të vështirë psikologjike, ajo firmosi një shkresë noteriale për braktisjen e foshnjes. Por Faiku thotë se nëse do të ishte zyrtarizuar marrëdhënia e tyre, situata nuk do të ishte e tillë. Ai rrëfen se denoncimin në polici për të bijën e ka bërë sepse pas lindjes së fëmijës Brikena u zhduk, ndaj kërkonte ta gjente.
“Unë nuk të mbroj edhe sot që je këtu. Nuk të mbroj kurrë ty me gjithë fëmijë! Të ikësh ku të duash, burrin merre si të duash, plakë ose kalama. Unë nuk të pranoj kurrë sepse ti je e shkatërruar, e mbaruar nga shtëpia ime!”
Por Brikena është analfabete, pra nuk di të lexojë dhe të shkruajë. Ndaj ajo nuk ishte në dijeni të shkresës për braktisjen e foshnjes, të cilën e firmosi sepse drejtoresha e spitalit të Elbasanit i tha se do të çohej në jetimore dhe më pas do të mund ta merrte.
Faiku – Unë nuk e lashë mbesën në spital, nuk e lashë rrugëve …
Brikena – Ju i thonit kopil fëmijës tim!
Faiku – Ashtu do t’i thoje se s’kishe dhëndrrin në shtëpi. Unë nuk e di se kush ishte.
Brikena – Nëqoftëse do të ishte i vdekur babai i gocës ashtu do t’i thoje përsëri? Ajo nuk quhet fëmij kopil sepse kam bërë unë, fëmija jot!
Faiku – Është kopil dhe dopio kopil!
Brikena – A mund të bëjë babai kështu me fëmijën? Është shumë gjë e rëndë!
Faiku – Do bëjë se s’bën! Do bësh ti si them unë, jo si të thuash ti të bëj unë.
Brikena – Përderisa e linda fëmijën do të përgjigjem deri në pikën e fundit!
Fakti më tronditës i jetës së Brikenës është tentativa për trafikimin e saj në Itali për rreth 1 muaj e gjysmë.
Pas shumë përpjekjesh që të mund të rimerrte foshnjen, pa informacion, pa mbështjetje, ajo ia doli.
Por pas 2 ditësh, një grua dhe një burrë u paraqitën në shtëpinë e saj, duke pretenduar se ishin kushërinjte e të atit të foshnjes dhe se do ta çonin në Turqi për ta takuar. Por ajo përfundoi në Itali dhe u mbajt peng derisa të merrte vetem, pasi ishte shumë e dobët që më pas të trafikohej. Ajo e kuptoi nga veshjet që i blenë dhe telefonoi të atin për t’i kërkuar ndihmë, duke i thënë se ishte sëmurë, pasi nuk mund t’i tregonte të vërtetën. Brikena thotë se gjeti justifikimin se halla e saj kishte ndërruar jetë, që mundi të kthehej dhe të lajmëronte policinë. Por kur ajo u kthye, Faiku nuk e pranoi në shtëpi sepse opinioni publik e konsideron të bijën të përdalë.
“Unë nuk jam prostitutë dhe nuk duhet të punoj për trafikantët! Unë s’po punoj për vete që jam në mes të katër rrugëve dhe do punoj unë mes trafikantëve. Kam një vajzë dhe më skuqet një çikë…”
Brikena e ka lënë foshnjen në një shtëpi murgeshash sepse nuk kishte mundësi ekonomike për ta mbajtur, por ato i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Elbasan për këtë çështje. Sipas nenit 250 të Kodit të Familjes, gjykata mund ta deklarojë të braktisur fëmijën nëqoftëse prindi biologjik nuk ka kontakt me institucionin përkatës prej më shumë se një viti dhe Brikena nuk ka kontaktuar. Ajo jeton tanimë në Greqi, pasi punon për të fituar të ardhura dhe nuk ka patur informacion për këtë ligj. Ky është dhe shqetësimi kryesor i saj, humbja sërish e vajzës së saj dhe këtë herë përfundimisht.
Në një deklaratë Brikena ka kërkuar nga institucioni që të përkujdeset për vajzën e saj për një periudhë kohore të pacaktuar, por me të drejtë takimi dhe ta rimarrë kur të mundet. Por më datë 12.03.2017 ky insitucion ka bërë një denoncim, ku është deklaruar se nuk dinë se ku është Brikena.
Juristja Eni Çobani i jep të drejtë shtëpisë ku qëndron vajza, pasi në aspektin ligjor kanë të drejtë, por Brikena kishte lënë gjyshërit për të takuar vajzën. Duke qënë se nuk ka asnjë dokument zyrtar për të pranuar gjyshërit për të takuar vajzën, ndaj nuk kanë regjistruar takimet me gjyshërit.
Por në paragrafin e fundit të nenit 250 thuhet se nëse një anëtar i familjes kërkon takim me fëmijën, gjykata nuk mund ta deklarojë të braktisur.
Brikena i kërkon të atit në këtë seancë ndërmjetësimi që t’i qëndrojë pranë dhe të mos e braktisë. Faiku ndryshon mendim dhe pranon t’i hapë derën e shtëpisë vajzës dhe mbesës së tij.
“Nëqoftëse ato do marrin fëmijën tim, unë do të bëj vetvrasje! I kërkoj prokurorit me gjithë shpirt, me gjithë zemër të mos gënjehet.”
Në studion e “E Diela Shqiptare” gjendet dhe e ëma e Brikenës dhe bashkëshortja e Faikut, që ka ndjekur në heshtje të gjithë seancën e ndërmjetësimit. Kjo seancë shkoi fatmirësisht me sukses, duke pajtuar të atin me vajzën. Çështja e vajzës 3 – vjeçare do të ndiqet nga juristja Eni Çobani.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/