Kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore dhe prevalencën e kequshqyerjes, Shqipëria nuk njeh rivalë në rajon, duke regjistruar në thuajse çdo indikator performancën më të dobët, madje edhe shumë larg mesatares së rajonit.
Të paktën këtë thotë Organizata e Kombeve të Bashkuara, që i ka publikuar këto gjetje në raportin më të fundit të titulluar, “Situata e sigurisë ushqimore dhe ushqyerjes nëpër botë, edicioni 2017”.
Sa i përket sigurisë ushqimore, raporti thotë se, në vendin tonë, prevalenca e pasigurisë së rëndë ushqimore në raport me totalin e popullsisë, fiksohet në 10%.
Siç duket qartë edhe nga tabela më poshtë, diferenca me vendet tjera të rajonit është e ndjeshme. Madje, mesatarja e Europës Jugore fiksohet në vetëm 1.6%. Për vendet fqinje ndërkohë, norma zbret nën 2%. Të dhënat i referohen periudhës 2014 – 2016.
Një tjetër indikator, që e nxjerr Shqipërinë thuajse në fund të tabelës, është ai që i referohet kequshqyerjes. Në këtë drejtim Serbia duket se është i vetmi vend më keq se Shqipëria.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se, 4.9% e popullsisë shqiptare ushqehet keq, çka përfshin edhe mungesën e ushqimit. Mesatarja e rajonit është nën 2.5%, ndërkohë që në Serbi norma ngjitet në 5.6%. Për Maqedoninë ndërkohë, norma fiksohet në 3.9%.
Raporti i Kombeve të Bashkuara flet dhe në terma absolute për të dy nën-indikatorët, dhe rezulton se në vendin tonë ka 100 mijë persona të kequshqyer, dhe 300 mijë të tjerë që vuajnë një pasiguri të theksuar të ushqimit. Në krahasim me periudhën 2004 – 2006, norma e personave të kequshqyer ka rënë ndjeshëm, me thuajse 200 mijë persona, nga rreth 11.1% që ishte, në 4.9% sot.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/