Ekspertja amerikane komenton Gramoz Rucin në krye të Parlamentit

Ekspertja amerikane komenton Gramoz Rucin në krye të Parlamentit

196
0
Shares

Lori Amy, profesore në Universitetin Jugor të Xhorxhias, thotë për Zërin e Amerikës se krimet që shkaktoi komunizmi nuk mund të harrohen, por çështja është se si duhet kujtuar kjo e kaluar, në mënyrë që shoqëria të mos mbetet tek akuzat dhe viktimizimi. Profesorja, e cila viziton shpesh Shqipërinë, po merret me studimin e traumave që përjetoi shoqëria shqiptare dhe të rrugës për shërimin e tyre.

 

Zëri i Amerikës: Cila është përvoja juaj nga bisedat që keni patur në Shqipëri me njerëz që mund të kenë qenë burgosur apo të dënuar me punë të detyruar.

 

Prof Lori Amy: Shumë prej tyre janë të traumatizuar thellë. A e dini se si mund të shërohet dikush që ka qenë i traumatizuar? Së pari, pala tjetër duhet të pranojë dhe të thotë: Më vjen keq për atë ju keni hequr. Një pranim i thjeshtë se kjo vuajtje ka ekzistuar ka një efekt shumë të madh. Por të pretendosh se gjërat nuk kanë ndodhur, kjo nuk mund të shërojë askënd.

 

Zëri i Amerikës: Ndoshta një shembull i mirë për të ilustruar këtë që ju thoni është zgjedhja kohët e fundit si kryetar i Parlamentit e zotit Gramoz Ruçi, ish ministër i Brendshëm në vitin e fundit të regjimit komunist, kur në Shqipëri ndodhën disa gjëra mjaft të trishtueshme. A mund të na thoni se çfarë mund të nënkuptojë kjo për shoqërinë në Shqipëri?

 

Prof. Lori Amy: Është pikërisht ajo për të cilëm folën. Nëse nuk e shohim të kaluarën tonë me guxim dhe integritet, atëherë nuk do të mund të kuptojmë dot se po e përsërisim atë. Këtu vijmë përsëri tek ndjenja e mungesës së shpresës, e cila vjen kur ne mendojmë se çfarëdo që të bëjmë asgjë nuk do të ndryshojë. Megjithatë, vitet e fundit kemi parë mundësi shumë reale për ndryshim. Për shembull, më në fund është ngritur një komision për hapjen e dosjeve të policisë sekrete të regjimit komunist. Si do të veprohet me këtë komision? Çfarë duhet bërë që komisioni të punojë me transparencë? Si duhet të trajnojmë njerëzit që do të merren me studimin e arkivave? Kjo është një mundësi, e cila nëse shfrytëzohet, atëherë kjo mund të sjellë shpresë.

 

Zëri i Amerikës: Edhe ky komision që ju përmendët ka nevojë për mbështetje nga shumë njerëz. Sepse, nga përvoja e së kaluarës, shumë njerëz kanë shprehur mosbesim se edhe ky komision nuk do të bëjë asgjë.

 

Prof. Lori Amy: Komisioni nuk janë vetëm ata pak njerëz që bëjnë pjesë në të. Jemi të gjithë ne që shkojmë në zyrat e tyre, që kërkojmë dokumente, që fillojmë t’i studiojmë ato dhe që flasim për ato që gjejmë.

 

Zëri i Amerikës: Ka shumë njerëz që thonë se jemi tepër të dobët për t’u përballur me të kaluarën komuniste, sepse ata që janë në pushtet janë mjaft të fuqishëm dhe një pjesë e tyre vijnë nga ajo e kaluar. Si do t’i përgjigjeshit ju kësaj?

 

Prof. Lori Amy: Pata një drekë jashtëzakonisht të bukur para pak ditësh me ambasadorin John Ëithers, për të cilin shumë njerëz kanë respekt në Shqipëri. Ai më kujtoi historinë me hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Asnjëri prej hebrejve që shkuan Shqipëri në atë kohë nuk u vra. Të gjithë ata u mbrojtën. Një popull që bëri këtë nuk mund të jetë një popull i dobët. Njerëzit që e bënë këtë janë njerëzit e besës dhe të mikpritjes. Këto cilësi janë thelbi i identitetit shqiptar. Në identitetin shqiptar ka një forcë të jashtëzakonshme, që unë jam 100 për qind e sigurt se do të gjejë përgjegjësinë, guximin dhe shpresën për të përfituar nga rasti që kemi tani për të filluar realisht shërimin e shoqërisë, i cili duhet të ishte bërë me kohë.

 

Zëri i Amerikës: Vitet e fundit ju jeni përfshirë në një projekt të quajtur OTTOnomy dhe që synon ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Na thoni diçka më shumë ju lutem.

 

Prof. Lori Amy: Koncepti është të ruajmë vlerat më të mira nga e kaluara dhe e tashmja, nga Lindja dhe Perëndimi. Shqipëria është në zemër të lindjes së qytetërimit perëndimor. Shqipëria të jep hartën e evolucionit të qytetërimit njerëzor nga kohët parahistorike e deri më sot. Në Shqipëria tani ka aq shumë njerëz që i kanë drejtuar sytë nga Bashkimi Evropian dhe duan të bëhen pjesë e Perëndimit. Por shqiptarët vetë janë më shumë se aq. Historia e Greqisë së vjetër, e Perandorisë Romake, e Bizantit, e Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungareze, të gjitha këto qytetërime të mëdha përmblidhen në Shqipëri. Shqiptarët nuk janë një gjë e vetme, por janë shumë gjëra bashkë. Prandaj, ruajtja e kësaj trashëgimie na ndihmon të ruajmë edhe elementët bazë të identitetit shqiptar, që janë besa, mikpritja, guximi, shpresa.zeri i amerikes

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY