AVOKATI I POPULLIT/ Shkozë, prishja e ndërtimeve, nis hetimi për shoqërimin e...

AVOKATI I POPULLIT/ Shkozë, prishja e ndërtimeve, nis hetimi për shoqërimin e minorenit në Polici

168
0
Shares

Institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije se ka nisur prej ditës së djeshme hetimin administrativ në lidhje me procedimin nga ana e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) për prishjen e disa ndërtimeve private, në zbatim të një projekti infrastrukturor në Shkozë të Tiranës.
Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë ndjekur ditën e djeshme në terren procedurat që po kryhen nga IKMT dhe Policia e Shtetit në zonën e Shkozës.
Gjithashtu nga ana e përfaqësuesve të institucionit tonë është marrë kontakt me qytetarët e prekur nga projekti i mësipërm.
“Sipas tyre IKMT ka njoftuar para disa ditësh për prishjen e banesave të ndërtuara pas vitit 1991, për të cilat ata kishin kryer vetëdeklarim. ALUIZN-i Tiranë sipas tyre, vetëm para pak ditësh i kishte njoftuar se ndërtimi i tyre nuk do të trajtohej me leje legalizimi. Sipas këtyre personave, janë rreth 150 familje që preken nga prishja e ndërtimeve si rrjedhim i zbatimit të këtij projekti”.
Në vijim të informacioneve të mësipërme, nga ana e eksperteve të Avokatit të Popullit janë hartuar shkresat përkatëse për IKMT-në, ALUIZN-in dhe ARRSH, për tu vënë në dispozicion gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me procedurat që po kryhen në kuadër të këtij projekti me impakt kaq domethënës për qytetarët.
Një çështje tjetër që po ndiqet paralelisht nga një grup i dytë ekspertësh të institucionit të Avokatit të Popullit është edhe çështja e shoqërimeve që Policia e Shtetit u ka bërë qytetarëve që nuk ishin dakord me kryerjen e veprimeve nga ana e IKMT-së.
Ekspertët e Avokatit të Popullit kanë ndjekur dhe shqyrtuar procedurat e shoqërimit të disa qytetarëve nga ana e Policisë së Shtetit dhe kanë bërë verifikimet e duhura në lidhje me to.
“Sipas konstatimeve tona, 10 qytetarë u shoqëruan në orët e pasdites së djeshme nga Policia e Shtetit. Nga verifikimi ynë, këta qytetarë u mbajtën për rreth tre orë në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë ku janë pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Për këta shtetas janë përcjellë materiale në Prokurori për procedim penal për veprat ‘mosbindje ndaj punonjësve të policisë’, ‘organizim dhe pjesëmarrje në grumbullim e manifestim të paligjshëm’ dhe ‘pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit’”.
Një ndër të proceduarit ishte edhe shtetasi minoren J. M., për të cilin është kërkuar nga ana e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit që të trajtohet konform standardeve ndërkombëtare për të drejtat e të miturve.
“Qytetari J. M. është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës të zgjedhur nga familja dhe psikologut. Këta shtetas janë shoqëruar në komisariat në orën 16:45 dhe janë liruar në orën 19:30 të datës 14. 09. 2017, pas ndërhyrjes së ekspertit të Avokatit të Popullit”.
Avokati i Popullit garanton qytetarët se vullneti, të drejtat dhe interesat e tyre janë dhe do të mbeten në fokusin kryesor të punës së këtij institucioni në çdo rrethanë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY