Krijohet Qendra e Studimeve “Kadare”

Krijohet Qendra e Studimeve “Kadare”

229
0
Shares

Alda Bardhyli, e njohur për lidhjen e saj me letërsinë do të jetë Drejtoresha e Qendrës Studimore “Kadare”, e ngritur pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Revista letrare “Saras” e drejtuar nga Bardhyli ka arritur të kthehet këto vite në një qendër të rëndësishme bashkëkohore për sa i përket librit dhe autorëve shqiptarë. Emri i saj është familjar për shkrimtarët dhe botën e letrave në vend.
Është hera e parë që ngrihet një qendër me fokus studimin e letërsisë, e korpusin e veprës së një prej shkrimtarëve tanë më përfaqësues. Qendra Studimore “Kadare” e ka nisur punën me një letër zyrtare drejtuar Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, ku në bashkëpunim me UET PRESS kërkon dosjen e plotë të proceseve gjyqësorë të viteve ’70 – ’80 ku është përmendur emri i shkrimtarit Ismail Kadare.
“Ky është hapi i parë që do të pasojë me një hulumtim shkencor mbi raportin e diktaturës me artet dhe kulturën. Jo pa qëllim do ta nisin studimin mbi këtë periudhë të historisë së letërsisë shqipe që do të pasohet më vonë me studime mbi periudha të tjera, pasi kjo është një ndër periudhat ku pati një rritje të presionit të shtetit komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve”, thotë Bardhyli.
“UET PRESS do i kushtojë një studim të veçantë kësaj periudhe ku agresiviteti i regjimit u shfaq hapur ndaj intelektualëve. Janë një sërë gjyqesh të njohura në atë periudhë, të cilat kanë riardhur këto kohë shpesh në vëmendjen e shtypit. Më i njohuri është ai ndaj Todi Lubonjës, i cili është bërë shkak dhe i një prej debateve që riciklohen shpesh në shtyp nga i biri i Fatos Lubonja, i cili mban një qëndrim të ashpër ndaj shkrimtarit, megjithëse akuzat e tij janë keqinterpretime që i janë bërë veprave të Kadaresë”, shpjegon ajo.
Në librin e “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave” gazetari Dashnor Kaloçi solli një dokument të vitit 1975, marrë nga dosja hetimore ndaj Fatos Lubonjës, ku publicisti, i pyetur se ç’mendim kishte për shkrimtarin Ismail Kadare përgjigjet se i ati, Todi e vlerësonte shkrimtarin dhe veprën e tij si kundra regjimit, megjithëse në njëzet e gjashtë vjet pas rënies së regjimit diktatorial mendimi i publicistit Fatos Lubonja mbi shkrimtarin Ismail Kadare ka qenë se vepra e Kadaresë i ka shërbyer ideologjisë së kohës, ndërsa vetë shkrimtari është modeli i intelektualit që bashkëpunon me pushtetet. Në atë kohë dihej se i ati i publicistit, Todi Lubonja, kishte miqësi me shkrimtarin. Kaloçi shtron pyetjen nëse mendimet e Lubonjës rreth shkrimtarit Kadare kanë evoluar pas viteve ’90, duke i parë gjërat ndryshe nga këndvështrimi i të atit.
Pasi debati vijoi në medie me përgjigje e kundërpërgjigje ta të dy palët, botuesi i UET PRESS, Henri Çili në një letër të hapur drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare sugjeronte që ky i fundit të kërkonte zyrtarisht hapjen e dosjes së ndjekjes së tij nga Sigurimi i Shtetit dhe dosjen e proceseve politikë ku është dëshmuar për të, duke filluar nga procesi i Todi dhe Fatos Lubonjës. Kadare duke iu përgjigjur letrës publike të botuesit të UET PRESS preku edhe njëherë çështjen duke renditur arsyet se pse nuk e harron dhe nuk e fal denoncimin politik të Fatos Lubonjës siç e quan ai. Kadare në letrën e tij shprehej se ka diçka në këtë histori që as e harron dhe as nuk e fal: qëndrimin e Lubonjës pas rënies së komunizmit. Pikërisht në mes të kësaj vale debatesh që vijojnë prej më se një viti, ngrihet Qendra e Studimeve “Kadare”, e cila do të ketë në fokus dhe hulumtimin e raporteve të shkrimtarit me diktaturën.
“Raporti i diktaturës me artet dhe kulturën në vend është një raport shumë pak i hulumtuar nga studimet shqiptare. Në çdo vend të botës duke u ditur pasioni i regjimeve totalitare për t’i përdorur intelektualët, apo për të vepruar shpesh përmes arteve nuk do të kishte vonuar për të pasur studime dhe libra që do të na nxirrnin në pah sesi e përballoi kultura dhe historia shqiptare komunizmin. Shqipëria është një ndër rastet e rralla ku një letërsi e shkruar nën kushtet e një prej censurave më të forta, është për më shumë se një dekadë kandidate për çmimin më të madh të letrave në botë, atë Nobel. Kaq do të mjaftonte për të kuptuar sesi një shkrimtar ka arritur të sfidojë sistemin, përmes shkrimit. Gjatë këtyre viteve ne kemi pasur më shumë debate që në thelb kanë pasur të bënin me goditjen e figurave të njohura sesa një reflektim të vërtetë mbi kohën”, vijon Bardhyli.
Arsyeja e nisjes së këtij procesi pikërisht nga shkrimtari Ismail Kadare qëndron se ai është një nga figurat më të atakuara në këto dy dekada pas rënies së komunizmit.
“Një shkrimtar që e ka zgjeruar hartën e shqipes në gjuhët ku është përkthyer, më shumë se për letërsinë që ka shkruar këto vite ka qenë në qendër të vëmendjes mbi raportet e tij me regjimin. Kritika botërore e ka pranuar herët disidencën në veprën e Kadaresë, por ky fakt ka kaluar pothuajse në heshtje nga kritika shqiptare. Një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, është përballur shpesh në vendin e tij me fyerje apo akuza të pa faktuara, që në çdo vend tjetër të botës do ishin një fyerje për ndërgjegjen e vetë vendit, përfundon Bardhyli, duke shtuar se UET PRESS duke pasur si fokus të punës pasurimin e shkencës së studimeve letrare, ashtu si botimin e letërsisë së mirë, do të studiojë rastin Kadare, si një kauzë që duhet ta kishin marrë më herët institucione të tjera të studimeve”.
Një ekip studiuesish pranë UET PRESS do të studiojë gjithë dokumentacionin që do të na vihet në dispozicion nga Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, që kanë të bëjnë me Ismail Kadarenë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY