Sot, 19 vjet nga vrasja, pse duhet kujtuar Azem Hajdari

Sot, 19 vjet nga vrasja, pse duhet kujtuar Azem Hajdari

141
0
Shares

Vitet ’90-ta të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vite epokale të saj. Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës doli studenti me guxim të pashembullt, Azem Hajdari kundër diktaturës në Shqipëri. Ai formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë fund këtij regjimi, shkruan sot Rilindja Demokratike.
“Ramiz Alia, duke u mbështetur në filozofinë e dështuar komuniste, nis fushatën e reprezaljeve ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt e tjerë në Evropë. Kundër kësaj dhune u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, në krye të të cilëve ndodhej lideri i tyre Azem Hajdari.
Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, për herë të parë doli në publik parulla “Liri, demokraci…” që nuk ishte parë për 50 vjet në hapësirën e Shqipërisë së shkallmuar. Në mbështetje të kësaj lëvizjeje ishte edhe Dr. Sali Berisha, intelektualët dhe demokratët e tjerë gjithandej Shqipërisë. Azem Hajdari ishte një figurë e plotë kombëtare, intelektual, politikan dhe mbi të gjitha demokrat. Ai luftoi për të drejtën, për njerëzoren, për një shoqëri pluraliste, ku askush nuk do të mbetej i pakënaqur. Duke u nisur nga këto dhunti të natyrës së tij, del se synonte që shteti të jetë ai që popullit t’i ofrojë kushte për të qenë i lumtur, i lirë dhe i sigurt. Pra, ëndrra e tij ka qenë: një Shqipëri demokratike, e zhvilluar ekonomikisht dhe model i qytetërimit evropian.
Duke pasur tiparet e një udhëheqësi të madh me vizion të qartë, fitoi simpatinë e mijëra të rinjve e të rejave, të punëtorëve, të atyre që kishin vuajtur e që po vuanin ende në birucat e errëta në Shqipërinë e stërlodhur. Dhe ajo çka është e rëndësishme të theksohet në këtë shkrim, Azem Hajdari gëzonte autoritetin e të gjithë liridashësve në Shqipëri dhe në krahinat e tjera shqiptare, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe tek shqiptarët në botën e jashtme.
Pas aplikimit të pluralizmit, Azem Hajdari, zgjidhet kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike shqiptare, e para parti opozitare pas 50 vitesh diktaturë në Shqipëri. Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë, edhe pse kishte pengesa dhe kërcënime nga komunistët e dërrmuar. Kësisoj demokracia në vendin e shqipeve u bë sinonim i lirisë, i drejtësisë dhe i vlerave qytetare evropiane, një proces liberal.
Në vitin 1992, Azem Hajdari zgjidhet deputet i Shkodrës nga Partia Demokratike dhe deri në fund mbetet besnik i ndërtimit të një vendi të lirë, demokratik e të zhvilluar.
I rritur në Malësinë e Gjakovës, në kufirin që ndante shqiptarët në dysh që nga viti 1913, Azem Hajdari njihte mirë padrejtësitë që iu kishin bërë historikisht shqiptarëve. Ishte njohës i mirë i rrethanave pushtuese të Kosovës nga Serbia dhe në Parlamentin demokratik në Tiranë, ishte ndër të parët deputetë që e ngriti problemin e madh të Kosovës.
Në vitin 1996, Azem Hajdari zgjidhet prapë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1997 iu kundërvu atyre që e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë. Për këtë shkak në Parlament, ai u godit nga një atentator, por për fat të mirë i shpëtoi vdekjes.
Nga një dorë mizore u vra më 12 shtator 1998, pikërisht 19 vjet më parë, kur sot eshtrat e tij po bartën në “Varrezat e Dëshmorëve”. Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie përparimtare evropiane dhe ndaj njeriut, i cili bëri aq shumë për demokracinë shqiptare. Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtës së ekzistimit.
Në përcjelljen mortore, vrasësin e Azem Hajdarit, Dr. Berisha e quajti një akt mizor. Kundër vrasjes së Azem Hajdarit, në Tiranë u mbajt revolta më e madhe që ka njohur ndonjëherë Tirana. Erdhën mbi 100 mijë njerëz nga të gjitha viset shqiptare për të shprehur indinjatën e thellë kundër këtij akti mizor.
Qeveria, të cilën e udhëhoqi për tetë vjet Dr. Sali Berisha, realizoi pikësynimet që i kishte ëndërr heroi demokrat Azem Hajdari, për një Shqipëri të zhvilluar e të integruar në Evropë.
Sot, me rastin e 19-vjetorit mbi atentatin mizor ndaj tij, kur eshtrat po prehen në “Varrezat e Dëshmorëve” e kujtojmë si një nga figurat e ndritshme të historisë sonë kombëtare, si hero të demokracisë, si njeri me vizion për Shqipërinë demokratike, të zhvilluar dhe me vlera evropiane. Njerëzit e tillë në historinë tonë janë të rrallë. Vepra e tij do të jetojë gjithherë derisa të ketë Shqipëri demokratike dhe Shqipëri liridashëse. Duhet të punojmë shumë që një akt i tillë mizor, siç ndodhi me deputetin e demokracisë, Azem Hajdari, të mos përsëritet kurrë.

Jeta e një lideri
Po kush ishte Azem Hajdari, si e kanë njohur shqiptarët njeriun që u vu në krye të Lëvizjes Studentore që përmbysi diktaturën. Djalë i një familjeje punëtorësh dhe vetë vinte nga kjo klasë e nderuar derisa studioi për shkencat filozofike, më pas jurisprudencën, pavarësisht se ishte me dy fëmijë, Hajdari në dhjetorin e vitit ’90 vihet në krye të Lëvizjes Studentore që solli krijimin e PD, të parës forcë opozitare në vend dhe më pas shembjen e diktaturës komuniste.
I njohur për shpirtin e tij “rebel”, një opozitar i përjetshëm, por dhe një njeri shumë studioz dhe me etje për të mësuar, Hajdari nuk mungoi që të ishte në qendër të opinionit publik për drejtësinë e fjalës së tij.
Duke e përjashtuar veten nga të gjitha postet qeverisëse apo legjislative, pas fitores së PD në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Hajdari jo pak herë do të dilte dhe kundër asaj që mendonte se nuk po bëhej drejt në PD. Gjithë bashkëkohësit e asaj periudhe kujtojnë jo pa emocion momentet kur ngujohet në grevën e urisë të ish-të përndjekurve politikë në vitin 1994. Ai i kushtoi gjithë jetën demokracisë dhe partisë që lindi, duke besuar gjithnjë te lideri i kësaj partie, Berisha, në implementimin e shtetit të së drejtës.
Si një besimtar i devotshëm, jo rastësisht në portofolin e tij ditën e vrasjes iu gjet fotografia e Dervishit të Luzhës dhe gurë nga kisha e Shna Ndout në Laç, Hajdari dhe pas rrëzimit të PD nga pushteti, nuk iu nda kësaj partie, duke qenë dhe mbështetja kryesore për ish-Presidentin Berisha, i cili u rikthye në krye të PD. Por drejtësia e fjalës, denoncimi i hapur i gjithë skemave që mendonte se janë kundër vendit, i krijoi armiq të shumtë, që solli dhe disa atentate në drejtim të tij, njëri në Tropojë ku mbeti i plagosur Pollo i TVSH, ndërkohë që tjetri po atë vit në sallën e Kuvendit, ku pas një sherri banal, një ditë më vonë ish-deputeti socialist i Hasit, Gafurr Mazreku e qëlloi me pesë plumba, por që mrekullisht lideri i dhjetorit ia arriti t’ju mbijetojë. Gjë që nuk ndodhi një vit më vonë, teksa vritet në një atentat para selisë së PD. Vrasja e tij solli dhe një përplasje të fortë më 14 shtator, ngjarje e cila ende mbetet mister, pavarësisht interpretimeve të ndryshme, sidomos të personave që nuk kanë qenë dëshmitarë të atij kaosi ku institucionet papritmas u gjendën nën dhunë.
Kjo është biografia e shkurtër e një lideri me jetë të trazuar, një njeriu që shembi diktaturën dhe solli pluralizmin në Shqipëri. RD

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY