SHIFRAT ALARMANTE / Po rritet përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë shqiptarë

SHIFRAT ALARMANTE / Po rritet përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë shqiptarë

180
0
Shares
Foto Ilustruese

Krahas kthimit të Shqipërisë në një vend prodhues dhe trafikues të narkotikëve, paralelisht po konstatohet se numri i përdoruesve të drogave të jashtëligjshme po rritet me shpejtësi në Shqipëri, ku më të rrezikuarit janë të rinjtë. Si po kalohet nga hashashi te drogat më të forta, që në pjesën më të madhe janë përzierje jo cilësore me pasoja të rrezikshme.
Kostot që duhet të paguajë shoqëria për trajtimin, frenimin e rritjes së kriminalitetit dhe pasojat e uljes së produktivitetit, ndërsa qendrat e trajtimit të tyre po shkojnë drejt mbylljes prej mungesës së fondeve. Ekspertët ngrenë zërin se faktor për rritjen e prevalencës së përdorueseve po bëhet oferta e lartë në tregun vendas dhe se cilësia tepër e ulët po rrezikon shëndetin e popullatës…

Nga Ledina Loga – Monitor

Nuk ishte aspak e vështirë të identifikoje që nga larg repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku në dyert e klinikës ishin përplasur të gjithë përdoruesit e heroinës. Metadoni në qendrën jo-fitimprurëse Aksion Plus kanë përfunduar prej ditësh, ndërsa sasia që duhet të vinte që në qershor po vonon, duke lënë në mëshirë të fatit këtë komunitet, që është i varur nga medikamenti qetësues, duke bërë që t’i drejtohen repartit të toksikologjisë në QSUT.

Pacientët kishin filluar të shfaqnin shenjat klinike të mungesës së metadonit, substancë që mban larg heroinës përdoruesit e varur. Toksikologjia në Tiranë, repart që nuk ka më shumë se 20 shtretër, trajton vetëm pacientët, që vijnë në gjendje akute.

Në mesin e tyre qëndronte një vajzë e re, nënë e tre fëmijëve, e cila kërkonte dozën e përditshme të metadonit, ndryshe nuk kujdesej dot për fëmijën, që kishte të shtruar në Spital. Te vajza kishte filluar që të shfaqej sindroma e abstinencës. Ashtu me padurim, ajo hyn në zyrën e doktor Alert Drishtit, duke na ndërprerë bisedën dhe si për të konfirmuar pohimet e doktorit lidhur me rritjen e përdoruesve të narkotikëve vitin e fundit.

Drishti, doktor në repartin e toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, tregon se në ditë të tilla, kur ilaçi mungon, bëhet i vështirë menaxhimi i përdoruesve. Në mungesë të ilaçit ata i rikthehen drogës. Për sa i përket tendencës së rasteve që paraqiten në QSUT, doktor Drishti thotë se ka një rritje të lartë të numrit të përdoruesve të kokainës dhe shton se përgjithësisht motivi që përplas përdoruesit tek ndihma e specializuar është ai ekonomik. “Vijnë kur nuk përballojnë dot më ekonomikisht që të blejnë drogë”,- shton doktori.

Në të gjithë Shqipërinë numri i personave që marrin trajtim për varësinë nga drogat është 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga Aksion Plus. Ndërsa drejtuesit e OJF-së tregojnë se trendi i përdoruesve ka qenë në rritje.
Një gram heroinë kushton në tregun e paligjshëm nga 3 deri në 5 mijë lekë. Ndërsa metadoni shpërndahet falas nga OJF-të. Deri para pak kohësh sasia e metadonit sigurohej me fondet që jepte GlobalFund, por duke qenë se Shqipëria nuk është më në listën e vendeve të varfra, ky fond është ndërprerë.
Genci Muçollari, drejtues i Aksion Plus, thotë se për të plotësuar nevojën me metadon kërkohet një buxhet vjetor prej 30-45 mijë euro. Sasia e metadonit, që merr çdo shtet përcaktohet nga Komisioni Europian.

Alarmi: Në rritje përdoruesit e kokainës jo cilësore

Doktor Alert Drishti tregon për “Monitor” se trendi i rritjes së përdoruesve të kokainës është i dukshëm në klinikën e toksikologjisë. Kjo tendencë konfirmohet dhe nga të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, të bërë të ditura pas kërkesës për informacion nga Monitor. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se për periudhën 2011-2015 ka pasur një rritje në përqindje të prevelancës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale, nga 13.3 për qind në 15.3 për qind për grup moshën 14-65 vjeç. Shifrat tregojnë se rritjen më të lartë e kanë pasur përdoruesit e heroinës me 2.4 herë, ku prevalenca gjatë jetës është rritur nga 0.7 për qind në 1.7 për qind. Kokaina është droga e dytë që ka pasur rritje të lartë të prevalencës me 2.3 herë nga 2011 ku prevalenca ishte 1.6 për qind në 3.7 për qind në 2015-n.

Prevalenca gjatë jetës e kanabisit në 2015-n përllogaritej 6.6 për qind, ndërsa në 2011-n prevalenca e përdorimit gjatë jetës ishte 4.4 për qind.
Rritje të prevalencës ka pasur edhe grupi i inhalaneteve, të cilat janë përzierje e drogave të jashtëligjshme që merren me anë të tymosjes.

Në “Raportin Vjetor Global Të Drogave” për vitin 2017, publikuar në 23 qershor nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Në kapitullin “Analiza e tregut të drogave sintetike- stimulantët e tipit amfetaminë, substancat e reja psikoaktive”, kur flitet për përdorimin e substancave të reja psikoaktive, raportohet se djemtë shqiptarë, më shumë se vajzat kanë raportuar përdorimin e tyre.

Shqipëria rezulton si vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive po të UNODC. Në hartën, prevalenca vjetore e përdorimit për Shqipërinë ishte 2.5%, për të dhënat që i referohen vitit 2014 dhe për grupmoshat nga 15.64 vjeç (të dhënat janë marrë nga ISHP dhe janë bërë të krahasueshme me shtetet e tjera). Kjo është më e larta nga të gjitha shtetet që raportohen nga UNODC .

Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%.

Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%.

Pse po rritet përdorimi

Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina, ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve.

Para gati 1-2 vitesh pati një trend në rritje të personave përdorues të hashashit që kërkonin ndihmë të specializuar në qendrën tonë. “Përdoruesit e hashashit vijnë me dëmtime të karakterit psikiatrik, kanë simptoma të të gjitha sëmundjeve që njeh psikiatria”,- shpjegon Drishti.

Duhet thënë se hapi i parë për të gjithë përdoruesit është hashashi. Nuk bën dot hapin e dytë pa bërë të parin, shton doktor Drishti. Ndërkohë, që sipas regjistrave në spital, ai thotë se ka një numër në rritje të përdoruesve të kokainës, veçanërisht përdoruesit e tipit eksperimental.
Problemi më i madh sipas doktorit është se kokaina, që po përdoret, ka më shumë përmbajtje të përzierëseve se sa të drogës.

“Shenjat klinike na tregojnë që nuk kemi të bëjmë me kokainë. E përziejnë me nga më të ndryshmet”,- tregon dr. Drishti. Disa prej shenjave më të shpeshta që hasen të pacientët që drejtohen tek ne janë halucinacionet, takikardia dhe ndjenja e frikës që po vdesim.
Fakti se Shqipëria krahasuar me rajonin ka çmimet më të ulëta lidhet drejtpërsëdrejti me cilësinë, e cila është shumë herë më e keqe se rajoni, sipas dr.Drishtit. 1 gramë kokainë blihet tek trafikantët nga 6 deri në 18 mijë lekë.

Sipas informacioneve jo zyrtare nga Mjekësia Ligjore, e cila analizon sasitë e kapura, në pjesën më të madhe të rasteve, kokaina përbën vetëm 5% të sasisë, pjesa tjetër është përzierës. Këtë sasi konsumatori e blen për kokainë.
Problem për doktor Drishtin është edhe përcaktimi i rritjes reale të përdoruesve. Përdoruesit që drejtohen drejt shërbimit profesional janë vetëm maja e ajsbergut.

Është përllogaritur se 1 në 10 përdorues i drejtohet shërbimit të specializuar. Pra nëse për shërbim të specializuar vetëm në 2016-n përllogariteshin 719 përdorues heroine, numri real është afërsisht 7 mijë përdorues.
Megjithatë sipas psikologut të qendrës Aksion Plus, Erlind Plaku, nuk është domosdoshmërish e thënë që kush konsumon kanabis dhe kokainë të kalojë te përdorimi i drogave me injektim. Por duhet pasur parasysh se përdoruesit e kanabisit dhe kokainës në përgjithësi nuk kërkojnë ndihmë, siç ndodh me përdoruesit e heroinës, të cilët kanë varësi më të madhe fizike.

Kryesisht të rinjtë e fillojnë eksperimentimin me drogat për të kërkuar kënaqësi, pa menduar se do të bëhen të varur, tha Erlind Plaku. Shumë e bëjnë për të qenë pjesë e shoqërisë; të tjerë janë kuriozë për efektet; të tjerë për t’iu shmangur punëve stresuese.
Ndërkohë që shtoi se të gjithë mund të bien preh e varësisë nga droga.

Të rinjtë pjesa më e rrezikuar

Çdo fundjavë në Tiranë, paralel me jetën e natës, vihet në lëvizje tregu i jashtëligjshëm i drogave, ku përdorimi i tyre është bërë i zakontë dhe ku grupi më i rrezikuar janë të rinjtë.
Sipas të dhënave nga sondazhi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik 11.7% e grup moshës 15 deri në 34 vjeç kanë provuar të paktën një herë në jetë kanabis dhe 4.7% kokainën.

Të dhënat janë akoma dhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Shëndeti Publik ka raportuar se prevalenca e përdorueseve të cilët kishin provuar kanabis në muajin e fundit është 4.1%, ndërsa e kokainës 1.4%.
Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdorët për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të rënda si kokaina dhe heroina.
Ervin Toçi, ekspert në Institutin e Shëndetit Publik dhe koordinator për Shqipërinë në Qendrën Europiane për Monitorim e Drogave dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA) thotë se grupi më i brishtë për përdorimin e drogave të jashtëligjshme është grupmosha 15-34 vjeç.

Ndërsa sipas gjinisë dhe vendbanimit, meshkujt janë më të predispozuar se femrat dhe të rinjtë që jetojnë në qytet, më shumë se sa të rinjtë që jetojnë në fshat.
Sipas zotit Toçi pritet një trend në rritje i përdoruesve duke parë edhe tendencën në Europë. Për të parë këtë do të bëhet anketa e familjeve (general population survey) në 2018-2019, e cila realizohet në mënyrë periodike, por që nuk dihet akoma nëse do të sigurohet fondi. Në 2014-n, ai u bë me fondet që dha EMCDDA.
Duke qenë se Shqipëria është vend prodhues dhe vend tranzit për kalimin e kokainës është një ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e përdoruesve, shton zoti Toçi.

Paradoksi, ulet përdorimi i duhanit dhe alkoolit, rritet i drogave

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, nga 2011 në 2015 ka pasur një rënie të personave që kanë deklaruar pirjen e duhanit dhe konsumin e alkoolit. Kjo sipas Ervin Toçit nga Instituti i Shëndetit Publik ka ardhur si rezultat i fushatave agresive kundër përdorimit të tyre, si dhe ligjit anti-duhan, që ndalonte konsumin e këtij të fundit në ambientet publike.

Sipas të dhënave të krahasueshme midis viteve 2011 dhe 2015 nga IShP, për prevalencën e duhanit gjatë jetës ka shënuar një rënie nga 39.7 në 34.9. Nëse në 2011 në 100 individë, 40 raportonin se kishin pirë të paktën një herë ne jetë duhan, ky numër në 2015-n është 35.
E njëjta situatë është edhe më prevalencën gjatë jetës për alkoolin, ku përqindja e popullatës 14-65 vjeç ka rënë nga 72.4% në 2011 në 65.7% në 2015.

E kundërta ka ndodhur me përdorimin e drogave, ku për të njëjtën periudhë përdoruesit e kanabisit janë rritur me 1.5 herë, përdoruesit e kokainës janë rritur me më shumë se 2 herë dhe po aq janë rritur edhe përdoruesit e heroinës.
Sipas zotit Toçi shqetësues është fakti se nga anketat nëpër shkolla, të cilat bëhen çdo vit, nxënësit raportojnë në rritje për hyrjen e drogave të reja, shumë të rrezikshme.

Kostot ekonomike të varësisë nga droga

Sipas statistikave të vitit 2016, më shumë se gjysma e personave që kanë marrë trajtim në organizatën Aksion Plus janë të papunë, ndërsa gati 20% e tyre kanë deklaruar se punojnë në punë të rastësishme dhe me kohë të pjesshme.

Edhe pse mbi gjysma e tyre raporton se janë të papunë, mbi 63% e përdoruesve që kanë kërkuar trajtim për t’u larguar nga varësia kanë një diplomë të arsimit të mesëm dhe të lartë. Sipas psikologut Erlind Plaku është i rëndësishëm trajtimi i vazhdueshëm i tyre.

Personat e varur nga droga, duke qenë përdorues aktiv, janë të ekspozuar në rrugë me shitësit e drogës; ndaj injektimit të vazhdueshëm, rrezikut për t’u infektuar me HIV/AIDS dhe Hepatite, si dhe kërkesës për të gjetur para për të blerë drogën, dhe rrezikut për t’u përfshirë në sjellje kriminale.
Edhe sipas Genci Muçollarit, drejtuesi i qendrës Aksion Plus, në rast se nuk do të ofroheshin trajtimet falas me metadon do të rritej numri i krimeve.

Kosto për trajtimin e të varurve nga heroina për një person përllogaritet të jetë 1 euro në ditë, ndërsa kostot e mos trajtimit të tyre variojnë nga 15-20 euro, po në ditë. Nga të dhënat e qendrës Aksion Plus për trajtim të përditshëm kanë nevojë rreth 500 individë, prej të cilëve 220 në qytetin e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër në rrethe.

Sa më shumë zënë, aq më shumë përhapet

Shqipëria konsiderohet si një vend prodhues i kanabisit, ndërsa destinacioni kryesor janë vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor dhe në BE. Drogat që vijnë nga bima e kanabisit janë ndër drogat më të zakonshme të kapura në Shqipëri. Nga 2012-a, sekuestrimi i kanabisit dhe shkatërrimi i plantacioneve ka qenë në rritje.

Duke qenë pjesë e korridorit jugor të rrugës ballkanike, Shqipëria është një vend transit për trafikimin e heroinës. Rrugët kryesore të përdorura janë Turqia-Bullgaria-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Shqipëria dhe Turqia-Bullgaria-Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë-Kosova-Shqipëri.
Sipas të dhënave në Raportin e Kombeve të Bashkuara, të cilët grumbullojnë të dhëna nga vendet anëtare numri i sasisë së zënë nga policia është trefishuar në vitin 2014 (të dhënat e fundit të disponueshme).

Krahasuar me rajonin Shqipëria ka raportuar sasitë më të larta të drogës së konfiskuar nga policia. Sasia e zënë e kokainës është trefishuar nga 2010 dhe është e para në rajon për sasitë e kapura. Mesatarja e rajonit për vitin 2014 (vit për të cilin disponohen të dhëna të krahasueshme) për kokainën e konfiskuar ishte 3.5 kilogramë, ndërsa sasia e zënë për Shqipërinë ishte 10 kilogramë.
E njëjta situata edhe për kanabisin. Sasia e konfiskuar e kanabisit ka pësuar një rritje eksponenciale në vitet e fundit. Për çdo një kilogramë kanabis të konfiskuar në Bosnjë gjatë 2014-s, në Shqipëri konfiskohej 310 kilogramë.

Skadon Strategjia Kombëtare e Drogës

Sipas ekspertëve duhet punuar më shumë në ndalimin e këtij fenomeni, duke investuar veçanërisht në fushatat e ndërgjegjësimit të grupeve të rrezikuar dhe duke rritur projektet në shkolla në komunitet. Kostot, si ato të trajtimit edhe kostot oportune, si rënia e produktivitetit në punë, rritja e kriminalitetit, financimi i trafikut të drogës, etj., janë shumë herë më të larta.

Për ndalimin e këtij fenomeni qeveria shqiptare hartoi strategjinë Kombëtare të Drogës, e cila do të shtrihej në periudhën 2012-2016.
“Strategjia Kombëtarë e Drogës, e cila kishte si prioritet ndalimin e përdorimit të drogave dhe rritjen e ndërgjegjësim nëpërmjet mediave, zbatimin e programeve shkollore dhe rritjen e aktiviteteve për parandalimin në komunitet, e mbaroi funksionin e saj në 2016-n. Ndërkohë po punohet për hartimin e strategjisë së re që do të shtrihet në katër vitet në vazhdim, por që ende nuk është publikuar”,- thotë Ervin Toçi.
Strategjia Kombëtare e Drogës (2012-2016) bazohet në katër shtylla kryesore: në koordinimin e strategjisë, pakësimin e ofertës, pakësimin e kërkesës dhe reduktimin e dëmeve.

Aktualisht nuk ka asnjë projekt apo strategji për menaxhimin e situatës me përdoruesit e drogave, tregun e jashtëligjshëm dhe ndalimin si të kërkesës për drogë ashtu edhe të ofertës, megjithëse qeveria ka njohur në strategjinë e mëparshme rëndësinë e kësaj çështjeje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY