SPECIALE/ Kush është biznesmeni që i shpëtoi atentatit sot në Shijak dhe...

SPECIALE/ Kush është biznesmeni që i shpëtoi atentatit sot në Shijak dhe precedentët e tij

242
0
Shares

Prej rreth dy vjetësh, biznesmeni Dashamir Gjioka që i shpëtoi atentatit të sotëm në Shijak, ka disa “llogari” të pambyllura me drejtësinë shqiptare, për shkak të së kaluarës së tij në Itali.
Më se një vit më parë, në mars të vitit 2016, Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim kërkesën ndaj biznesmenit Dashamir Gjoka, të akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale…”.
Në bazë të veprimeve proceduriale, Prokuroria e Durrësit konstaton se i pandehuri Gjoka ka krijuar në Shijak kompleksin “Gjoka”, si edhe një Godinë Shërbimi 2 kate, pasi është dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni, ndërkohë që është në gjykim për një tjetër çështje për trafik lëndësh narkotike.
Në bazë të akteve të siguruara nga ana e autoriteteve italiane, i pandehuri Gjoka ka siguruar shuma të konsiderueshme nga aktiviteti kriminal i shfrytëzimit të femrave për prostitucion, si edhe nga trafikimi i lëndës narkotike heroinë në sasira të mëdha, vepra penale të kryera gjatë viteve 2002-2003.
Pas veprimtarisë kriminale në Itali, i pandehuri Gjoka ka investuar në prona të paluajtshme në Shqipëri, duke ndërtuar kompleksin tregtar dhe godinën e shërbimit. Prokuroria e Durrësit konstaton se ai i ka investuar në ndërtimin e këtyre dy objekteve me qëllim me qëllim fshehjen e mbulimit të natyrës, burimit të paligjshme të këtyre parave.
Gjithashtu për këtë, ai ka përdorur edhe përdorimin e linjës së kredisë e më konkretisht ajo e vitit 2009, por që gjithsesi nga përllogaritjet rezulton se ka qenë e pambuluar duke përdorur kështu paratë e përfituar nga kryerja e veprave penale për të justifikuar në vazhdim se këto kredi merreshin me qëllim kryerjen e investimeve për kompleksin.
Pra, nga sa më sipër, për Prokurorinë e Durrësit, rezulton se i pandehuri Dashamir Gjoka ka kryer disa herë veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale – kështu në formën e fshehjes apo mbulimit të natyrës së pasurisë produkt i veprës penale, pasi nëpërmjet parave të përfituara nga krimet e kryera ka ndërtuar deri në vitin 2006 dy godina – kompleksi me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2, sipërfaqe ndërtimi 2012.7 m2, me sipërfaqe prej 4286.47 m2 që është sipërfaqe për ushtrim aktiviteti dhe godina e Shërbimi 2 kate+podrum”, me sipërfaqe prej 1247 m2 e sipërfaqe ndërtimi 710 m2 – të ndodhur në Xhafzotaj Durrës;
Këto pasuri, aktualisht, janë të sekuestruara edhe nga Prokuroria për Krime të Rënda, në kuadër të hetimit pasuror që ka nisur në kuadër të ligjit “Antimafia”.

Sekuestrimi pasurive
Në shtatorin e vitit 2015, Prokuroria për Krime të Rënda, në zbatim të ligjit “Antimafia”, vendosi sekuestro për mbi 11 mijë metra katrorë truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku, Durrës, i hetuar për “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Fillimisht, Prokuroria ka marrë miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vendosjen e sekuestros preventive ndaj këtyre pasurive.
Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos më datë 29.11.2007 që është bërë përfundimtar më datë 07.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë.
Episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasi Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003. Në këto episode, shtetasi Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit Italian të grave me origjinë nga Evropa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Sipas informacionit të autoriteteve italiane, ky shtetas rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri (Dashamir Gjokës). Ky i fundit, sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra kishte blerë disa prona në Shqipëri.
Po ashtu, në vitin 2013, ndaj këtij personi kishte edhe një urdhër arresti nga Gjykata e Monxas/Itali datë 09.02.2002 për kryerje të veprave penale “Dhunë seksuale”, “Akte të turpshme”, “Grabitje në rrethana rënduese”, “Mbajtje armësh zjarri”. Mbi bazën e këtyre vendimeve të gjykatës, shtetasi Dashamir Gjoka është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali dhe më datë 07.06.2013 është arrestuar për efekt ekstradimi.
Procesi për lejimin e ekstradimit është zhvilluar në tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, të cilat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim të Prokurorisë së Durrësit (si prokuroria kompetente, për shkak të vendbanimit të personit të hetuar).
Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të Prokurorisë, në dt. 17.03.2015, gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, në dt. 30.06.2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e shtetasit Dashamir Gjoka.
Në vijim, Prokuroria e Durrësit ka deleguar aktet e procedimit për hetimin pasuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit “Antimafia”. Në bazë të këtij ligji, personi nën hetim duhet të justifikojë ligjshmërinë e burimit të pasurive të tij.
Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, si më poshtë:
1.“Kompleks Shërbimesh “Gjoka”, me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2, nga e cila sipërfaqe ndërtimi 2012.7 m2, si dhe sipërfaqja prej 4286.47 m2 shërben për ushtrimin e aktivitetit e përbërë konkretisht;
• objekt i ndarë në 3 kate – me emërtim “Supermarket, Bar Restorant, Motel“;
• objekt dy kate – me emërtim “Disko Bar, Palestër, Sall Lojrash“;
• objekt një kat me emërtim “Bar Kafe“-; pishinë;
• objekt qendër sportive (Motel 2 dhoma);
• objekt Qendra Sportive, Kalҫeto;
• objekt magazinë një kat.
2. Pemishte+trual+ndërtesë me sipërfaqe 1800 m2, e ndodhur në Sallmone, Xhafzotaj.
3. Tokë arë me sipërfaqe 5090 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak.
4. Tokë arë me sipërfaqe 5520 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak.
5. Tokë arë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m2.
6. Ndërtesë +truall me sipërfaqe 1247 m2 truall e ndërtesë 230 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak, (në të cilën është ngritur një godinë shërbimi dy kate+bodrum, sipërfaqe bodrumi 147 m2, sipërfaqe kati 710 m2).
7. Tokë arë me sipërfaqe 3110 m2, e ndodhur ne Sallmone, Shijak.
8. Pasuria me sipërfaqe 928 m2, (brenda të cilës ndodhet një ndërtim 160 m2, dhe truall 400m2).
9. Tokë arë me sipërfaqe 3700 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
10. Tokë arë me sipërfaqe 1980 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
11. Shoqëria “Gjoka“ sh.p.k.,së bashku me të gjithë asetet e saj.

Heqja e sekuestros
Por më se një javë më parë Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të togave të zeza të shkallës së dytë (Gjykatës së Apelit), e cila liroi nga sekuestro pasuritë e biznesmenit nga Shijaku Dashamir Gjoka. Më 20 korrik 2017, u mësua se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kishte hequr sekuestron e vendosur nga Shkalla e Parë për pasuritë e biznesmenit, Dashmir Gjoka.
“Prokuroria vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për rrëzimin e konfiskimit të pasurive të shtetasit Dashamir Gjoka është marrë në zbatim të gabuar të ligjit, si edhe është bazuar mbi shkelje procedurale”, thuhet në rekursin e dorëzuar në gjykatën e Lartë.
Organi i akuzës kërkon që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila vendosi konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, vlera totale e të cilave vlerësohet në mbi 200 milionë lekë të reja.
Organi i akuzës filloi hetimin pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”, pas dyshimeve se shtetasi Dashamir Gjoka i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.
Organi i akuzës tha se, në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale “shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “trafikimi i personave”, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/ a të K.Penal.
Fakti penal, për të cilën shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, është kryer në periudhën nga përpara vitit 1999 deri në vitet 2000 dhe 2001. Në përfundim të gjykimit të kërkesës me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të personit të mësipërm, Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme të përshkruar si më poshtë:
Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës; Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës; Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj. Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekë (te reja). “Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk u përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin dt. 28.06.2017 ka vendosur prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe rrëzimin e kërkesës për konfiskim”, bëri me dije prokuroria.
Prokuroria thekson se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda u ka dhënë vlerën e provës disa “letrave të thjeshta”, në bazë të të cilave dy shtetas deklarojnë si i kanë dhënë hua në vitin 1995-1996 Dashamir Gjokës, me qëllim që ky i fundit të mund të ndërtojë kompleksin “Gjoka”.
“Gjykata ka argumentuar se, në bazë të Kodit të Procedurës Civile (mbi bazën e të cilit zhvillohet hetimi pasuror në kuadër të ligjit “Antimafia”), letrat e thjeshta, të firmosura nga dy palët konsiderohen si të ligjshme, edhe pse nuk janë formuluar para noterit”, thuhet në rekurs.
Sipas prokurorisë, nuk ka asnjë provë apo fakt që të konfirmojë vërtetësinë e datave të këtyre dokumenteve të huadhënies. Dy “huadhënësit” deklarojnë se shtetasi Dashamir Gjoka u ka kthyer shumat e parave, ndërkohë që rezultoi e provuar në gjykatë se Gjoka nuk ka pasur mundësi reale pagese për këto shuma, thekson prokuroria. DRONI.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY