INTERVISTA/ Burri dhe djali e dhunuan dhe i qethën kokën, Gjermania i...

INTERVISTA/ Burri dhe djali e dhunuan dhe i qethën kokën, Gjermania i jep azil Vojsava Arapit

309
0
Shares

Më 7 janar të vitit 2014, një ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Kënetës në Durrës tronditi mbarë opinionin publik. Një 39­vjeçare me origjinë nga Mirdita, deklaroi se bashkëshorti i saj, Gjergj Arapi, në atë kohë 44 vjeç, dhe djali i saj 17-vjeçar Pjetër Arapi tentuan ta vrisnin, ndërsa i qethën flokët me brisk rroje.
Bëhet fjalë për Vojsava Arapin, nënë e dy djemve, e cila jetonte në një banesë me qira e ndërsa punonte në një rrobaqepësi të kësaj zone. Pas denoncimit në polici, bashkëshorti i saj përfundoi në burg. Gjithashtu, përfundoi në burgun e të miturve edhe djali i saj adoleshent.
Pas një kohe të shkurtër, 17­vjeçari doli nga burgu pas faljes që i kërkoi nënës së tij për prerjen e flokëve. Pas kësaj ngjarjeje, disa deputete të asaj kohe, por edhe shoqatat e grave dhe pushteti lokal, i premtuan shumë nënës së dy fëmijëve, por në fakt askush nuk bëri asgjë për të. E zhgënjyer, Vojsava Arapi, e cila me pagën e saj qesharake ushqente burrin dhe fëmijët si dhe paguante qiranë e shtëpisë, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë u detyrua të ikte nga Shqipëria me shpresën për një jetë më të mirë.

Aktualisht, 42-vjeçarja e divorcuar nga burri i saj i dhunshëm ndodhet në Gjermani. Ajo është nga të paktët emigrantë që kanë përfituar azil në Gjermani. Së bashku me dy djemtë, Vojsava Arapi iu drejtua shtetit gjerman duke kërkuar azil, dhe tashmë jeton atje. Lajmi bëhet me dije për “Gazeta Shqiptare” nga avokati i saj në Durrës, Aleksandër Ndrejaj. Ndërkaq, “GSH” rikthen në kohë ngjarjen e rëndë të ndodhur në janar të vitit 2014 si dhe intervistën e dhënë në atë kohë nga Vojsava Arapi.

INTERVISTA
“Bashkëshorti dhe djali im 17­vjeçar donin të më vrisnin. Zoti u mbajti dorën që të mos më hiqnin qafe, pasi unë jam besimtare. ‘Ta therim’ thoshte djali, ‘ta therim’ thoshte edhe burri. Unë qaja pa zë. Tani kam shumë frikë. Po dolën nga burgu, ata do të më vrasin”.
Kështu ka deklaruar Vojsava Arapi, e cila u rrah barbarisht nga burri i saj 45­vjeçar, Gjergji Arapi dhe i biri 17­vjeçar, Pjetër Arapi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 39­vjeçarja me origjinë nga Mirdita dhe banuese në Shkozet të Durrësit tregoi me detaje sesi dy njerëzit më të afërt të saj e turpëruan, duke i prerë flokët me makinë rroje. Ajo u bëri apel dy autorëve të krimit që më në fund ta lënë të qetë.

Vojsava, djali dhe burri të kanë akuzuar se ke shkuar me vonesë në shtëpi, ndaj dhe të prenë flokët. Si është e vërteta?
E vërteta është që unë në shtëpi kam shkuar shpejt. Sapo ka mbaruar mesha. Të dielën dola për punë si çdo ditë në 6:30 të mëngjesit. 30 minuta është rruga. Meqenëse kishim punë deri në orën 10:00 pronarja më dha leje të ikja në orën 9:00, pasi shkoj çdo të diel në meshë. Mesha mbaroi në orën 11:15, dhe në 11:45 isha në shtëpi. Po bëja punët derisa erdhi burri nga ora 13:00. Atë ditë e kishte marrë një familje këtu në Kënetë për të hapur gropa, për të vënë shtylla betoni për rrushin. Nga ora 1:30 më mori dhe mua. Punuam të dy, hapëm gropa.

Kur nisi sherri?
Kur mbërritëm në shtëpi, ai nisi sherrin. Më thoshte që, pse kisha ikur më shpejt nga puna. Me kë burrë kisha qenë. Unë i thashë ‘shko e verifikoje te pronarja dhe në punë, ku kam qenë e me kë kam qenë’. Ai më shante pambarimisht, më qëlloi me shuplakë. Pak më vonë erdhi edhe djali. U bënë të dy. Fillimisht djali më kërkoi llogari, më tha ‘më trego me kë burrë ishe’. Më qëlloi me një ristelë në kokë.

Po më pas?
Burri mori thikën që të më therte. Të dy thoshin: ‘Ta vrasim, ta therim!’. Djali i vogël qante me të madhe dhe u lutej: ‘Mos e vrisni mamin’. Djali i madh më qëlloi, edhe burri më qëlloi. Më pas u shkrepi ideja të më prisnin flokët. Ne nuk kemi gërshërë në shtëpi. Burri mori makinën e rrojës dhe më prenë flokët.

Çfarë bëre ti?
Qaja pa zë. Isha e tmerruar. Në një moment u thashë: ‘Unë po ju ushqej dhe ju më vrisni?’. Ata më urdhëruan të mblidhja flokët në një qese dhe t’i hidhja jashtë. Sapo dola në rrugë, vrapova për në polici. Burri dhe djali i madh, sa e kishin marrë vesh se i kisha denoncuar, thyen televizorin copë­copë nga inati.

A ju kishin dhunuar më parë?
Po, shumë herë. Edhe burri, edhe djali kanë ngritur dorë ndaj meje. Burri ishte shumë xheloz për mua. Unë i mbaja me bukë, madje u blija dhe duhan, ndërsa Gjergji e djali më pyesnin se cili burrë m’i kishte dhënë lekët. Ndërkohë, unë nuk kisha lekë as të blija të brendshme për vete.

Punonte bashkëshorti juaj?
Jo, ishte pa punë.

Pas ngjarjes, djali juaj është shprehur i penduar në polici. Do ta falni?
Nuk fal as atë, as burrin, pasi më turpëruan. Kam shumë frikë se kur të dalin, do të më vrasin. Tani unë kam vetëm një djalë.

Ju jeni besimtare?
Po? Kisha më ka ndihmuar jo vetëm shpirtërisht, por edhe materialisht. Vetëm Zoti më ka shpëtuar nga kthetrat e tyre!

Vojsava, kur jeni martuar dhe ku keni jetuar?
Jam martuar 20 vjet më parë me shkuesi. Për 15 vjet kam jetuar në fshatin Sarri të Mirditës. 5 vjetët e fundit kemi jetuar në Laç, Lezhë e Durrës me qira. Burri ka qenë i papunë, unë kam punuar.

Cili është apeli juaj?
Dua që bashkëshorti dhe djali të më lënë të jetoj me djalin e vogël dhe të mos më vrasin. E di se po dolën nga burgu, nuk do të më lënë të gjallë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY