“Vetëvrasja” e Pudjas në kapanonin e kanabisit, zbardhen dëshmitë e të pandehurve:...

“Vetëvrasja” e Pudjas në kapanonin e kanabisit, zbardhen dëshmitë e të pandehurve: Çfarë ndodhi ditën e krimit

225
0
Shares

Zbardhen deklarimet e bëra para grupit hetimor të tre personave që akuzohen për “Moskallëzim krimi” për “vetëvrasjen” e Besnik Pudjas në kapanonin e drogës së ngritur në kodrat e fshatit Shëngjergj, Tiranë. Dritan Buzo, Algest Lici dhe Halit Dusha janë dënuar me nga dy vjet burg për “Moskallëzim krimi”. Sipas Gjykatës, ata kanë patur dijeni për “vetëvrasjen” e Pudjas, por nuk kanë njoftuar Policinë për ngjarjen.
Në vendimin e Gjykatës, janë zbardhur dëshmitë e tre të pandehurve, të cilët kanë treguar se çfarë ka ndodhur ditën e ngjarjes dhe veprimet e viktimës, Besnik Pudja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 7. 10. 2016, rreth orës 15:30 në fshatin Shëngjergj të Tiranës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, si edhe përshkrimit të kufomës dhe plagës së marrë është konstatuar se në pjesën e brendshme të këmbës së majtë gjendej një armë zjarri me siguresë të ngrehur.
Mbi përshkrimin e ambientit, gjykata thekson se në vendngjarje janë edhe tre degë bime të dyshuar si kanabis sativa, si edhe në anën veriore të objektit të këqyrjes, vihej re një lëndinë, një kasolle e përshtatur me përmasa 5x3x3 metra, mbuluar me plastmas dhe mbi të ishin hedhur degë peme të prera. Brenda në të ishin vendosur 285 rrënjë bimë të dyshuar si kanabis sativa të prera, si edhe tesha të ndryshme. Rreth ngjarjes së mësipërme si dhe kryerjes së veprimeve hetimore, organi i akuzës duke mos identifikuar autorë të vrasjes së shtetasit Besnik Pudja, ka çuar në gjykatë të pandehurit e mësipërm pasi sipas atij organi, duke patur njohje me viktimën ata janë vënë në dijeni të faktit se ky i fundit mbante dhe përdorte pa leje të organeve kompetente armë zjarri pistoletë apo automatik, si edhe ai kultivonte lëndë narkotike apo po ndërtonte një kapanon për tharjen e lëndës narkotike. Duke pasur dijeni për këto fakte, të pandehurit e mbanin të fshehur duke mos e paraqitur në organet përkatëse.

Rrëfimet e të pandehurve
I pandehuri Dritan Buzo deklaron se e njeh shtetasin Besnik Pudja (viktima) prej gati një viti. Është takuar me të, ku në bisedë Besniku i ka thënë, se “do më ndihmosh të ndërtoj një kasolle në fshatin Kollagjesh”, tek stani tij dhe për këtë do ta paguante në shumën e 3000 lekë të reja në ditë. Pasi kanë rënë dakord janë nisur për në fshatin Kollagjesh. Në afërsi të “Freskut” Tirane, Besniku ka marrë me vete edhe një djalë tjetër, të cilin i pandehuri nuk e njihte. Pasi kane arritur tek vendi i punës, Besniku i ka treguar punën që do të bënin që të izolonte vrimat e llamarinave që të mos futej shiu, pasi në atë objekt aty ai donte të fuste bimë narkotike të cilën ai i kishte mbjellë.
Më datë 06.10.2016 kanë filluar punë rreth orës 07:00. Më pas i pandehuri pohon se Besniku ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë “TT” dhe ka filluar që të bënte lojëra, duke e mbushur armën dhe pasi e mbushte armën e drejtonte në pjesë të ndryshme të trupit, në kofshë, në bark, në gjoks, në kokë dhe në një moment ja ka drejtuar një prej personave që ndodhej aty dhe arma ka bërë shkrepje (boshe) por nuk ka qëlluar.
Në atë moment Dritani i ka thënë që të mos luante me armën por, Besniku i ka thënë se është shumë i sigurt me armën se ka bërë 4 vjet ushtri dhe aty i ka treguar dy fishek që nuk i plasnin. Më pas Besniku ka dalë jashtë dhe ka filluar të shtjerë me automatik. Në deklarimin e tij, i pandehuri Algest Lici thotë se e ka takuar për herë të fundit shtetasin Besnik Pudja më datë 01.10.2016 në lagjen e tij, ku ai i ka thënë që a mund të vish për të ndihmuar disa ditë për të rregulluar një ambient, të cilin ai e kishte përgatitur për tharjen e bimës narkotike, bimë qe e kishte kultivuar në fshatin Kollagjesh të Komunës Shëngjergj dhe se do ta paguante 3000 lekë të reja për ditë. Ai e ka pranuar si ofertë dhe Besniku i ka thënë se në datë 04.10.2016 në orën 09:00 të dilte dhe ta priste në afërsi të pallatit.
Në afërsi të banesës së tij atë datë, ka shkuar Besniku së bashku me një djalë tjetër që nuk e njihte por që ja prezantoi. Më pas me një automjet kanë mbërritur tek vendi ku do të punonin dhe ka vënë re, se aty ishte ndërtuar një objekt me llamarinë i përshtatur si kapanon. Atë ditë nuk kanë punuar. Të nesërmen kanë filluar të mbyllnin me silikon vrimat e llamarinave të çatisë që të mos i hynte shiu brenda. Kanë punuar deri sa nuk shikonin më. Të nesërmen më datë 06.10.2016 ora 07:00 kanë filluar të punojnë përsëri, ndërsa Besniku lëvizte shpesh dhe nuk e dinte se nga shkonte. Në orën 15:30 Besniku iku për të marrë një shishe raki që ja kishte dërguar babai tij. Kur ai ka ardhur në kapanon kanë lënë punën dhe janë ulur të bisedojnë. Më pas Besniku ka filluar të pijë raki. Në moment ka nxjerrë pistoletën nga trupi dhe ka bërë lojëra me të dhe më pas ka dalë jashtë dhe ka filluar të shtjerë me breshëri automatiku. Pasi ka qëlluar ka ardhur me gjithë automatik të varur krahë-qaf brenda në kapanon. Në po të njëjtën linjë deklarimesh gjykata u njoh edhe qëndrimet e të pandehurit Halit Dusha.

Të pandehurit
Gjykata e Tiranës thotë se vlerën e akteve të sipërcituara edhe vetë të pandehurit si edhe nëpërmjet mbrojtjes së tyre, ata duke u shprehur për njohjen dhe pranimin e tyre, i kërkuan kësaj gjykate procedimin e tyre me gjykim të shkurtuar, kërkesë të cilën gjykata me vendim të ndërmjetëm e pranoi. Por pavarësisht se mbahet një qëndrim i tillë, në fazën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, nga ana e mbrojtjes u kërkua që të pandehurit të deklaroheshin të pafajshëm. Pavarësisht këtyre, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit D. B., për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimit të krimit” dhe e dënon atë me 2 vjet burgim. Pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri D. B., dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej 1 vit dhe 4 muaj burgim. Po ashtu, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit A. L., për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimit të krimit” dhe e dënon atë me 2 vjet burgim. Pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri A. L., dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej 1 vit dhe 4 muaj burgim. Gjykata ka deklaruar fajtor edhe shtetasin H. D., për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimit të krimit”, dhe e ka dënuar atë me 2 vjet burg. Pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri H. D., dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej 1 vit dhe 4 muaj burgim./Shekulli

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY