SKEMA/ Plani i Ramës për të përmbysur Administratën – Si ndryshojnë 16...

SKEMA/ Plani i Ramës për të përmbysur Administratën – Si ndryshojnë 16 inspektorate në 9 ministri

242
0
Shares

Reformës radikale në administratën publike, e cila pritet të shënjojë mandatin e qeverisë ‘Rama 2’, nuk do t’i shpëtojnë as inspektoratet në Shqipëri.
Skema e funksionimit, organizimit, fusha e veprimit dhe kompetencat e 16 inspektorateve në vendin tonë, do të përmbyset, për t’u riorganizuar në themel, përmes disa dokumenteve të përgatitura.

Shqiptarja.com publikon projektligjin dhe dokumentet shoqëruese, të përgatitura nga Inspektorati Qendror, të cilat i janë dorëzuar dje këshilltari i kryeministrit Edi Rama për Sigurinë Kombëtare, Sandër Lleshi, për reformimin e inspektorateve, me impakt të rëndësishëm në jetën e qytetarëve shqiptarë, sidomos të biznesit.
Drafti parashikon reformimin e 16 inspektorateve në varësi të 9 ministrave të linjës dhe të Kryeministrisë. Nisur nga mbikëqyrja e veprimtarisë inspektuese të inspektorateve shtetërore, Inspektorati Qendror ka konstatuar se ka mbivendosje të disa funksioneve inspektuese midis inspektorateve të ndryshme, të cilët inspektojnë në mënyrë të pavarur, për të njëjtin fushë inspektimi, duke rënduar biznesin dhe rritur kostot e tepërta financiare të buxhetit të shtetit.
Në këtë kuadër, në draft propozohet një riorganizim strukturor të trupave inspektuese, si mjet për rritjen e transparencës, efikasitetit të trupave inspektuese, uljen e barrës administrative ndaj biznesit, si një hap i rëndësishëm i goditjes së korrupsionit gjatë procesit të inspektimeve. Sipas rasteve, propozohet bashkimi i funksioneve të inspektimit me fusha të ngjashme inspektuese, krijimi i inspektorateve të reja dhe zgjerimi i fushës së veprimit të inspektorateve aktuale.
Po ashtu, drafti kufizon dhe të drejtën e inspektorëve për të vendosur gjoba, duke parashikuara disa hapa para marrjes së kësaj mase.

Inspektoratet e reja
Dokumenti parashikon krijimin e një inspektorati të ri shtetëror ku të përfshihen si funksione inspektuese fushat e tokës, detit dhe ajrit, dhe konkretisht siguria në hekurudha, aviacion civil, rrugore, postë -telekomunikacion, frekuencave audio-vizive, si dhe inspektimi i kontrollit teknik të automjeteve.
Po ashtu, kërkohet krijimi i një inspektorati të ri ku të përfshihen fushat e inspektimit për tatimet, doganat, lojërat e fatit, mbikëqyrja financiare. Gjithashtu propozohet krijimi i një inspektorati të ri ku të përfshihen fushat e inspektimit për profesionet e lira: shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, avokatinë, noterinë dhe arkivat.
Në dokument identifikohen edhe 22 institucione ekzistuese, të cilat megjithëse ushtrojnë funksione inspektimi, nuk janë nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Qendror. Pjesë e listës janë Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Arsimit të Lartë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Autoriteti për Mbikëqyrjen e Lojërave të Fatit etj.

Bashkimi i inspektorateve
Përpos krijimit të inspektorateve të reja, dokumenti parashikon edhe bashkimin e funksioneve të inspektimit. “Bashkimi i funksioneve të inspektimit me fusha të ngjashme inspektuese, në një inspektorat të vetëm, do të ulë shpenzimet administrative dhe do të rrisë bashkëpunimin midis inspektorateve shtetërore, duke bërë të mundur te ketë më shumë efektivitet dhe transparencë të veprimtarisë inspektuese, si dhe një mbikëqyrje të centralizuar dhe të kualifikuar të të gjithë veprimtarisë inspektuese nga ana e Inspektoratit Qendror”, thuhet në dokument.

Skema e re e riorganizimit të inspektorateve shtetërore
1. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Për ISHPSHSH, përveç funksioneve aktuale të shtohen edhe inspektimet në fushën e 1) sigurimeve shoqërore dhe 2) administrative, pasi kanë si objekt të tyre të përbashkët marrëdhëniet e punës.

2. Ministria e Shëndetësisë dhe e Mjedisit
ISHSH, t’i shtohen si funksione inspektuese edhe fushat e inspektimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, fushat e mbrojtjes ndaj rrezatimit, fusha e inspektimit të fondit të kujdesit së sigurimeve shëndetësore, fusha inspektuese e mjedisit, pasi qëllimi kryesor i këtyre inspektimeve është sigurimi i jetës dhe shëndetit të njerëzve, si dhe kanë funksioneve të përbashkëta inspektuese si: mbetjet spitalore, për substancat dhe preparatet kimike, për trajtimin e ujërave të ndotura, për vlerësimin dhe administrimin e zhurmave në mjedis, mbrojtjen e cilësisë së ajrit, mbrojtjen e rrezatimeve, etj. Ndërsa inspektimi pyjor t’i kalojë pushtetit vendor për një mirëmenaxhim të hapësirave pyjore, sipas njësive administrative.

3. Ministria e Bujqësisë
Ministria e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, do të ketë në varësi dy inspektorate shtetërore.
-AKU, t’i shtohen funksionet inspektuese të peshkimit dhe atij veterinar, pasi kanë si qëllim të përbashkët sigurinë ushqimore.
-ISHU, t’i shtohen edhe inspektimi në fushën e mbrojtjes së tokës dhe atë të digave dhe dambave, duke siguruar menaxhimin e burimeve ujore dhe ruajtjen nga ndotja.

4. Ministria e Arsimit dhe Sportit
ISHA, të përfshihet inspektimi në fushën e arsimit të lartë dhe atë të sporteve, të cilat aktualisht kryhen nga drejtori brenda kësaj ministrie. Gjithashtu, në këtë inspektorat të shtohen edhe funksionet inspektuese të trashëgimisë kulturore, të cilat aktualisht kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, për të patur një koordinim sa më të mirë të vlerave arsimore, kulturore dhe sportive.

5. Ministria e Energjisë dhe Industrisë
ISHTI-t t’i bashkohen funksionet inspektuese të AKSEM, dhe të AKBN, pasi si qëllim të përbashkët kanë inspektimin e burimeve natyrore.

6. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Të krijohet një inspektorat shtetëror ku të përfshihen si funksione inspektuese fushat e tokës, detit dhe ajrit, dhe konkretisht siguria në: hekurudha, aviacion civil, rrugore, postë -telekomunikacion, frekuencave audio-vizive, si dhe inspektimi i kontrollit teknik të automjeteve, pasi kanë si qëllim të përbashkët sigurinë e trafikut dhe të frekuencave.

7. Ministria e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
ISHMT, t’i shtohen edhe funksionet inspektuese të Autoritetit Kombëtar Shtetëror të Eksporteve, pasi kanë si qëllimi të përbashkët mbikëqyrjen e produkteve dhe mallrave joushqimore.

8. Ministria e Drejtësisë
Të krijohet një inspektorat i ri ku të përfshihen fushat e inspektimit për profesionet e lira: shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, avokatinë, noterinë dhe arkivat.

9. Ministria e Financave
Të krijohet një inspektorat i ri ku të përfshihen fushat e inspektimit për: tatimet, doganat, lojërat e fatit, mbikëqyrja financiare. Ndërsa, mbrojtja ndaj zjarrit ka kaluar si kompetence inspektorateve vendore dhe nga ana jonë duhet të kërkohet ngritja e kësaj strukture për të gjitha njësitë administrative.

Lista e institucioneve të tjera inspektuese
1. Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore
2. Autoriteti Shëndetësor Rajonal
3. Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor
4. Sekretariati i Digave të Mëdha
5. Inspektimi Shtetëror i Mbrojtjes së Tokave
6. Drejtoria e Arsimit të Lartë
7. Drejtoria e Sporteve
8. Drejtoria e Përgjithshme e Trashëgimisë Kulturore
9. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
10. Drejtoria e Aviacionit Civil
11. Autoriteti Rrugor Shqiptar
12. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit
13. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare
14. Autoriteti i Mediave Audiovizive
15. Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare
16. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve
17. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
18. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
19. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave
20. Autoriteti për Mbikëqyrjen e Lojërave të Fatit
21. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
22. Drejtoria e Inspektimit të Institucione të Varësisë dhe Profesioneve të Lira

Skema aktuale e inspektorateve shtetërore
1. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka në varësi: 1) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
2. Ministria e Shëndetësisë ka në varësi: 1) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor; 2) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore; 3) Zyra për Mbrojtjen ndaj Rrezatimit.
3. Ministria e Mjedisit ka në varësi: 1) Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve.
4. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka në varësi: 1) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; 2) Inspektorati Shtetëror i Ujerave; 3) Drejtoria e peshkimit; 4) Drejtoria veterinare.
5. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka në varësi: 1) Inspektorati Shtetëror i Arsimit
6. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka në varësi: 1) Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial; 2) Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.
7. Ministria e Punëve të Brendshme ka në varësi: 1) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
8. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka në varësi: 1) Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor.
9. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka në varësi: 1) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
10. Kryeministria ka në varësi: 1) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY