Dënohet me burg ish-specialistja e kredisë, si u vodhi klientëve të bankës...

Dënohet me burg ish-specialistja e kredisë, si u vodhi klientëve të bankës kartat, overdraftet dhe kreditë

280
0
Shares

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 6.5 vite burg një ish-punonjëse banke të nivelit të dytë, të akuzuar për vjedhjen e mijëra eurove, duke abuzuar me llogaritë e klientëve të ndryshëm.
E pandehura Anila Aliaj është shpallur fajtore për akuzën e “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit”, më shumë se një herë dhe për “falsifikim të dokumenteve”.
Sipas vendimit të shpallur më 26 korrik, ish-specialistja e kreditit në filialin e një banke në Kamzë, përmes veprimeve të jashtëligjshme ka përfituar shuma parash duke çelur kredi, overdrafte, apo karta krediti për klientë të ndryshëm pa dijeninë e tyre dhe përmes dokumentacionit të falsifikuar.
Paratë e lëvruara prej tyre i ka kaluar përmes transaksioneve në llogarinë e një të njohure të saj, ku më pas i ka tërhequr. E pandehura Aliaj u gjykua në masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Gjatë gjykimit ajo ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën dhe ka kërkuar të deklarohet e pafajshme. Ajo u deklarua e pafajshëm vetëm për akuzën e “pastrimit të parave”.

VJEDHJA ME OVERDRAFTET
Procedimi penal për ishpunonjësen e bankës, Anila Aliaj, nisi në vitin 2014, pas një denoncimi publik në emër të saj nga një kliente e bankës. Bazuar në këtë ankesë, vetë banka bëri një kontroll të brendshëm nga i cili rezultoi se ish-specialistja e kreditit, e pandehura, Anila Aliaj, duke përfituar nga pozicioni i saj i punës, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me rregulloren e bankës, duke vjedhur para nga banka përmes llogarive të klientëve.
Nga shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar se e pandehura ka miratuar olerdrafte të paktën gjashtë klientëve të bankës, në kushte kur ato nuk e kanë kërkuar këtë shërbim. Sipas gjykatës, lekët janë transferuar në të tjera llogari, përmes një dokumenti të falsifikuar, sikur e kishte miratuar zotëruesi i llogarisë. Disa prej dokumenteve kanë pasur firma të klientëve, por sipas gjykatës, të marra përmes mashtrimit. Kur klientët viheshin në dijeni të veprimeve bankare të cilat nuk i kishin autorizuar, e pandehura i likuidonte.
“E pandehura pasi vidhte paratë e bankës, duke përdorur llogaritë e një klienti të caktuar, përdorte paratë dhe kur klientët vinin në dijeni, shlyheshin paratë në llogarinë e këtij klienti dhe vazhdohej zinxhir me klientë të rinj”, thuhej në vendimin e gjykatës.

VJEDHJA ME KARTAT
Të njëjtin mekanizëm ajo ka përdorur edhe për kartat e kreditit. Kështu, dëshmitarja Z.M. ka pohuar në gjykatës se nuk ka aplikuar, apo të ketë pasur kartë krediti. Nga ana tjetër, përmes një karte në emrin e saj, nga banka janë tërhequr 220 mijë lekë. Sipas gjykatës, në të tjera episode, me kartën e klientit K. V. janë tërhequr 100 mijë lekë dhe me atë të klientit P.B. 390 mijë lekë. Ndërkohë nga auditi i bankës janë gjetur formularët e paplotësuar, por të nënshkruar nga disa klientë të tjerë.

VJEDHJA ME KREDITE
Ndërsa në lidhje me transferimet apo tërheqjes nga llogaria rrjedhëse e klientëve pa kërkesën e tyre, gjykata theksonte rastin e klientit A.M., në emrin e të cilit e pandehura kishte çelur një kredi 2.7 milionë lekë. Sipas gjykatës, një pjesë e këtyre parave të tërhequr nga Aliaj i ishin huajtur një personi të tretë.
Një tjetër rast i abuzimit me kreditë ishte ai i klientes R. Tobli, e cila kishte marrë dy kredi në bankën e të pandehurës. Ajo ka pretenduar se nuk është informuar nga Aliaj për vonesat gjatë shlyerjes së kredisë, duke qenë se këstet janë marrë dorazi nga ana e Aliajt. Ndërsa për klienten B.K. banka ka disbursuar një kredi 500 mijë lekë, për të cilën ajo nuk ka qenë fare në dijeni.

GJYKATA
Sipas gjykatës, për shkak të skemës të përdorur nga e pandehura për përfitime të kundërligjshme, të gjitha rastet e overdrafteve të pakthyera të përmendura në vendim, banka i ka evidentuar si kredi të pakthyera në shumën 2 935 490 lekë, si dhe 5 704 euro, shumë e cila ka vazhduar të rikuperohet gjatë gjykimit të çështjes penale. Për klientin A. M. dëmi ka qenë 2.6 milionë lekë dhe për klientin M.M. 550 mijë lekë.
“Vepra penale ‘vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit’ nga ana e të pandehurës është kryer me veprime të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në hedhjen në dorë të parave të bankës nëpërmjet përgatitjes së dokumenteve të falsifikuara, nëpërmjet mashtrimit të klientëve, nëpërmjet kryerjes së transfertave të paautorizuara, nëpërmjet përdorimit të kartave të kreditit të nxjerra pa dijeninë e klientëve, etj.
Mbyllja e disa llogarive bëhej me qëllim që të mos i krijoheshin probleme (për të mos u zbuluar) dhe pas mbylljes se disa kredive ajo vazhdonte me vjedhjen e parave nga llogari të klientëve të tjerë”, arsyetonte gjykata në vendim./panorama./

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY