DOSJE/ Deklaratat e forta të motrës së Ismail Kadaresë kundër regjimit komunist

DOSJE/ Deklaratat e forta të motrës së Ismail Kadaresë kundër regjimit komunist

106
0
Shares
Nga Kastriot Dervishi
Kastriot Dervishi

Nga të dhënat operative rezultonte se Kadrie Kadare zhvillonte agjitacion e propagandë kundër regjimit. Në informacionin e datës 1. 11. 1978 për sekretarin e parë vendor të PPSH-së, Simon Stefani, midis të tjerash thuhej:
“Nga të dhënat e katër bashkëpunëtorëve dilte se: Kadria u ka propaganduar atyre për jetën gjoja të mirë që bëhet në vendet kapitalisto-revizioniste, për privilegjet që ka punëtori atje, etj. Po kështu u ka folur edhe për librat e ndryshëm me përmbajtje dekadente dhe armiqësore që ka lexuar si p.sh. libri që ka shkruar vajza e Stalinit, dhe Kadria, duke folur me gjuhën e saj, e nxjerr Stalinit si diktator dhe vrasës. Po kështu ka folur për gjendjen gjoja të mirë të gruas në vendet e Perëndimit, për muzikën, letërsinë dhe artin e tyre, duke i ngritur lart ato dhe në të njëjtën kohë ka nënvlerësuar dhe ka përçmuar muzikën dhe letërsinë tonë se këtu te ne nuk ka realitet, duhet të gënjesh, etj”.
Në mënyrë të shpërndarë jepen disa nga deklaratat e Kadries.

Disa nga shprehjet e saj, të cilësuara agjitacion e propagandë ishin…
– E ku pyet bota jashtë për veprat e Enver Hoxhës. Unë me veprat e tij nuk shkoj as në hale.
– Vëllai im është aq i zgjuar saqë në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, diti t’ia hedhë Enver Hoxhës dhe i gjeti pikën më të dobët. Vëllai dhe pas një ndryshimi të sistemit do të mbretërojë përsëri pasi është tepër i aftë.
– Është varfëruar jeta e secilit aq shumë saqë t’i kot mërzitesh për djalin (i drejtohet bashkëbiseduesit-shënim) që të kanë arrestuar, ai atje në burg ka me siguri një copë bukë dhe një vend për të fjetur dhe po aq kanë tërë ata që janë jashtë. Ne jemi matufosur.
– Sistemi socialist dhe komunizmi është një doktrinë që mbështetet në baza jo reale përderisa njeriu që fëmijë kur mban diçka në dorë dhe e shtrëngon fort e nuk e lë t’ia marrësh, si mund të besosh se kur të bëhet i madh nuk do të rritet në porcione akoma më të mëdha se interesi i tij personal. Është absurde të besosh se mund të ekzistojë një shoqëri e tillë kur vetë njeriu është me të meta. Si mund të besosh atëherë se u dashka vënë interesi i përgjithshëm mbi atë personal?
– Stalini ka bërë krime të rënda. Në fillim vrau shokët e tij dhe prapë kohë pas kohe eliminoi të tjerë me radhë. Stalinit i kishte hyrë frika në palcë dhe 15 vjetët e fundit jetoi në një dhomë pa dritare.
– Një sistem i tillë nuk mund të ndërtohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë vend se s’ka asgjë njerëzore. Sot ka diferenca në mënyrën e të jetuarit, ato nuk eliminohen po sa vijnë e thellohen. Ç’janë ato gjepura që trumbetohen se gjoja u vënka interesoi i përgjithshëm mbi atë personal, këtë nuk e ha as bufi.
– Sa të pashpirt janë këta. Pse nuk u prononcuan zyrtarisht për vrasjen e Galip Hatibit. Këtu ka diçka që s’vete. Galipi me siguri do të ketë qenë në dijeni të ndonjë të fshehte të dikujt nga kryesorët, prandaj duhej zhdukur.

Pas arrestimit të Asamblesë, Kadria shprehet…
– Jemi tmerruar të gjithë në Institutin Bujqësor, këtë gjë po diskutonim vazhdimisht, po çmendemi.
– Boll me temat e luftës nacionalçlirimtare, i pamë e i stërpamë, kaq e pati edhe ajo, a ka ndonjë gjë të re? Unë jam kurioze të di çfarë do ndodhi te pas vdekjes së udhëheqësve, pasi edhe të moshuar dhe të sëmurë janë. A do ta mbajnë vallë linjë të tillë apo do të divijonë? Dhe po ta kesh vënë re me vdekjen e njerëzve të mëdhenj ndryshojnë situatat: vdiq Stalini, ndryshoi vija, vdiq Mao Ce Duni, ndryshoi situata.
– Populli, popull është, ku merr vesh se ç’bëhet, udhëheqësit i dinë gjërat, të lidhemi me këtë apo të prishemi me atë. Unë mendoj se shtetet e mëdha nuk do të rrinë pa na u afruar se kanë interes për pozitën tonë strategjike. Do të na afrohet ndonjë, do të na bëjë lajka dhe ne do të afrohemi, pastaj prapë do prishemi me ta. Nuk e di, nuk e di, por se si do të bëhet pas vdekjes së udhëheqësve tanë, unë nuk e imagjinoj dot. Pa lëre pastaj për komunizmin që unë nuk besoj fare. Më duket se komunizmi është vetëm një frazë e thjeshtë. Ku arrihet të edukohet ndërgjegjja e njerëzve ashtu siç thuhet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY