Katër ditë pas ngjarjes së rendë ku mbeti i lënduar nga shpërthimi i zjarrit në një lokal në Velipojë, familjarët kanë vendosur ta nisin për në Turqi Hektor Zejnunin.
I kontaktuar nga Televizioni Shqiptar, shefi i repartit të djegie plastikës në QSUT, Gjergji Belba konfirmoi se 33-vjeçari është lejuar të dërgohet për një mjekim më të specializuar. Edhe pse i djegur në 70% të trupit, sipas Belbës, i riu ishte në gjendje të stabilizuar, i ndërgjegjshëm, por plagët e shkaktuara nga zjarri e mbajnë akoma në një gjendje të rrezikuar për jetën. Zejnuni mësohet të jetë nisur mesditën e sotme për në Turqi me shpenzimet e familjarëve.
Kujtojmë që i ati i tij, Besnik Zejnuni, ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës pasi nuk i rezistoi djegieve. Për shpërthimin i cili lëndoi dhe 20 persona të tjerë prokuroria nisi hetimet ndërsa sipas raportit të inspektoratit teknik shkak u bë rrjedhja e gazit në cisternën 1 000 litërshe.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/