Hoyt Brian Yee këshillon vendet e Ballkanit: Hapni sytë, kujdes nga Rusia

Hoyt Brian Yee këshillon vendet e Ballkanit: Hapni sytë, kujdes nga Rusia

83
0
Shares

Ndërsa nënpresidenti amerikan Mike Pence është në prag të vizitës në Mal të Zi ku do të mbajë bisedime me udhëheqësit e Ballkanit, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Ballkan vazhdon të jetë i fortë. Ky mesazh është lajm i mirë për udhëheqësit e vendeve të rajonit, mes shqetësimeve se shkurtimet e thella të parashikuara në projekt-buxhetin e Departamentit të Shtetit mund të dobësojnë rolin e Uashingtonit në këto demokraci të brishta të ekspozuara ndaj ndërhyrjes ruse.
Zoti Yee thotë se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të bashkëpunojnë me Rusinë në fushat me interes të ndërsjellë si anti-terrorizmi, por kur kanë pikëpamje të kundërta…
“Shtetet e Bashkuara, do të mbrojnë interesat dhe vlerat e veta dhe të aleatëve të tyre me shumë vendosmëri. Dhe ne këtë po bëjmë”, thotë ai.
Për sa i takon Ballkanit Perëndimor, zoti Yee thotë se Uashingtoni nuk do që ta ekzagjerojë seriozitetin e ndërhyrjes së Rusisë, por mendon se është e rëndësishme të ruhet vigjilenca.
“Po marrim masa aty ku mundemi që të forcojmë vendet e Ballkanit Perëndimor, përballë ndikimeve me synime keqdashëse, qoftë nga Rusia apo, burime, vende dhe faktorë të tjerë”, thotë zoti Yee.
Zyrtari i lartë veçon rastin e Malit të Zi, ku ai thotë se siç tregojnë të gjitha të dhënat, Rusia ndërhyri për të përmbysur një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.
“Vendet e tjera të Ballkanit duhet të jenë shumë të kujdesshme, duhet të ndjekin me vëmendje se ç’bën Rusia dhe edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë”, thotë ai.
Zoti Yee i referohej asaj që prokurorët në Podgoricë kanë thënë se ishte një përpjekje për grusht shteti, e mbështetur financiarisht nga Rusia, në zgjedhjet e tetorit të kaluar, që sipas akuzave synonte vrasjen e Kryeministrit Milo Gjukanoviç, për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, që u realizua në qershor.
Moska është përpjekur të frenojë afrimin e vendeve të Ballkanit me institucionet Euro-Atlantike, përfshirë ndërhyrje në politikën e Maqedonisë dhe marrëdhëniet e ngushta me aleatin tradicional, Serbinë që po kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian.
Zoti Yee thotë se takimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me nënpresidentin Mike Pence në Uashington dhe vizita e zotit Pence në Mal të Zi, rikonfirmojnë angazhimin e administratës së re në Ballkan. Ai thotë se integrimi i rajonit në BE dhe NATO, është pa dyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara.
“Për këtë arsye, politika amerikane ka qenë e qëndrueshme gjatë disa administrative, si demokratike ashtu edhe republikane dhe besoj se do të vazhdojë”, thotë zoti Yee.
Por, analisti Daniel Serwer dyshon se Ballkanit do t’i kushtohet vëmendje më e madhe nga administrata e Presidentit Trump.
“Ashtu si administrata e kaluar ata ia kanë lënë nënpresidentit të merret me Ballkanin, gjë që nuk është absolutisht negative, por as plotësisht pozitive. Më duket se nuk ka shumë gjasa që të rritet vëmendja, por nuk e dimë ende me siguri”, thotë zoti Serwer.
Zoti Yee thotë se sa më të përkushtuara të jenë vendet për të vënë në jetë reformat dhe të luftojnë korrupsionin, aq më pak të ekspozuara do të jenë ndaj ndërhyrjeve nga jashtë. Dhe një sinjal angazhimi nga Shtetet e Bashkuara, do të ketë ndikim të ndjeshëm në një rajon ku sfidat e brendshme dhe të jashtme, nuk janë zgjidhur ende. VoA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY