INTERVISTA/ Gara në PD, Selami: Gara e pabarabartë, por unë do të...

INTERVISTA/ Gara në PD, Selami: Gara e pabarabartë, por unë do të fitojë

99
0
Shares

Në Shqipëri, kandidati në garë për kryetarin e Partisë Demokratike, Eduard Selami, thotë se udhëheqja e drejtuesit aktual dhe rivalit të tij në garë Lulzim Basha është e kapërcyer dhe e refuzuar na shqiptarët, duke ju referuar dy humbjeve elektorale të kësaj force politike në vitin 2015 dhe në zgjedhjet e 25 qershorit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Selami pranon se gara që po zhvillohet është e pabarabartë, dhe se sipas tij zoti Basha po mendon vetëm të ruajë karriken e kryetarit. Ai megjithatë është optimist për një fitore duke nënvizuar se me të PD do të mbetet e bashkuar dhe do të ringrihet.

Zoti Selami, faleminderit për këtë intervistë në prag të zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ku ju po kandidoni për kryetarin e kësaj force politike. Dje ju në një postim në Facebook, shpreheshit optimist se do të fitoni këtë garë. Nga ju buron ky optimizëm? Faktikisht ju kenmi patur mundësi të zhvillonin fushatën në një kohë të shkurtër, pak më shumë se dy javë dhe nëpër salla të mbyllura…
Optimizmi nuk është thjesht optimizmi I garës që është i natyrshëm. Por unë them se ka dy shtylla kryesore. E para se PD ëstë në një moment kritik, vjen pas tre humbjesh radhazi, 2013, 2015, 2017, humbje masive e elektoratit. Lidershipi i kanditatit që është përballë meje, i zotit Basha, është një lidership i kapërcyer, i refuzuar nga shqiptarët. Kështu që zoti Basha praktikisht nuk mund të sigurojë një lidership për PD. Por kjo nuk mjafton këtu. Nuk është e mjaftueshme “Basha ik! Basha nuk mund të na sjellë në pushtet!” Por si do të vijmë në pushtet. Kjo platformë që unë kam, ky program që unë kam, ky lidership i ri që unë po prezantoj, dhe e shikoj në kontatet e pafundme që kam me demokratët, është diçka që po ngjit, që ne e kemi bërë dhe në fillimet tona, kur unë kam qenë Sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i suksesshëm i PD-ës në vitet ’90 dhe po gjen gjithnjë e më shumë përkrahje. Nga ana tjetër rikthimi te vlerat tona ideologjike, të një force të djathtë, të një force të madhe dhe me aleancën tonë brenda së djathtës së bashkuar unë mendoj se është një pikë tjetër shumë e rëndësishme e cila do të gjejë përkrahje, që është mirëpritur dhe që unë besoj se do të më japë fitoren më 22 korrik.

Megjithatë zoti Selami, kujtoj se ju në fillim keni folur për një garë të pabarabartë. Gjatë kësaj fushate a është ndjerë kjo pabarazi, dhe ku konsiston, apo këto pabarazi janë sheshuar gjatë rrugës?
Jo, nuk janë sheshuar. Dhe më vjen keq që ajo pritshmëria që ta përmirësojmë se kjo është një garë brenda forcës politike, dhe patjetër si gjithshka tjetër duhet të kishte elementë përmirësimi, por këto fatkeqësisht nuk janë bërë sepse zoti Basha është i interesuar për mbajtjen me çdo kusht të postit të kryetarit, se sa për shëndoshjen dhe ringritjen e PD-ës. Kjo fillon që nga koha që ishte shumë e shkurtër. Nga fakti që në kushte të tillë kur zoti Basha një herë ngriu si kryetar, tashmë herët e fundit dhe kryetarët e degëve e prezantojnë si kryetar dhe unë them me shaka “Kur është kryetar, atëherë ç’vlerë ka gara?”. Ana tjetër është mospublikimi i listave dhe ajo çka mua më ka zhgënjyer dhe me shumë është ndrydhja e garës. Më premtoi zoti Basha që debatet do të jenë të hapura, që një pjesë do të ishin të përbashkëta. Unë do të doja që të gjitha të ishin të përbashkëta, me praninë e kamerave, të medias së lirë, pra që të hapemi dhe demoratët e qytetarët të shikonin që vërtetë po ndodh diçka e rëndësishme po ndryshon. E premtoi dhe ju shmang. Unë mendoj se shmangja është se nuk mund ta përballojë një debat të hapur. Dhe fatkeqësisht më kujton më shumë liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë i cili bënte gjithshka dhe të pamundurën për një fasadë demokratike, një pluralizëm mendimi dhe i shmangej asaj që ishte më kryesorja që shqiptarët më në fund e arritën.

Ju flisni për një garë të pabarabartë. Nga ana tjetër shpreheni të sigurt në fitore. Një tjetër eksponent i PD-ës, Astrit Patozi, nuk hyri në garë për shkak të mungesës së garancive për një garë të barabartë e duke folur për një farsë elektorale, dhe dyshimi ka qenë se prania juaj po e legjitimonte një garë të tillë…
Nuk mendoj kështu. Është një eksperiencë e re. E kuptoj shqetësimin dhe atë kontradiktë që duket nga jashtë. Por po ta shikosh ajo shkon thellë. E para gara është e pabarabartë, por plotësisht e fitueshme, sepse modeli që unë ofroj, ajo që dhe një herë t’ua kthejmë partinë dhe kryetarin e PD-ës demokratëve dhe prej këtu qytetarëve shqiptarë, ky është një model bashkëkohor që mungon te zoti Basha dhe ka gjetur përkrahje dhe rezonim. Se në fund të fundit, në 22 Korrik do të votohet në mënyrë të fshehtë nga demokratët dhe unë kam besim te vota e fshehtë e demokratëve. Me të vërtetë ka problem, kanë të bëjnë dhe më numërimin, por unë që të gjitha këto i quaj të zgjidhshme dhe kam besim te vota e demokratëve dhe vota e tyre e fshehtë e që nga ky proces, do të dalim më të fortë. Zoti Patozi ka zgjedhur një rrugë tjetër. Jo të gjithë e kanë përkrahur këtë rrugë. Unë mendoj se devijimi nga strukturat që ne kemi, devijimi nga zgjedhjet që kemi, nuk i shërben qëllimit të përbashkët që kemi për forcimin. Por siç e kam thënë, ndaj shqetësimin por jo rrugën. Gara është e pabarabartë por plotësisht e fitueshme

Megjithatë a nuk mendoni se kjo ju heq mundësinë që në rast të një humbjeje të ankoheni për rezultatin. Kjo e bën legjitime një zgjedhje të zotit Basha. Ju do e njihnit atë si kryetar?
Fitorja e garës patjetër që është qëllimi kryesor, dhe unë kam bindjen që ne do ta fitojmë. Por nuk është e vetmja gjë. Qëllimi kryesor është që forca jonë politike të dalë më e bashkuar, më e fortë dhe të jetë një alternativë që të ngjalli shpresë, dhe besim te shqiptarët, dhe ky është një proces i gjatë. Legjitimiteti i saj do të varet dhe nga përfundimi i garës dhe do të varet nga vota. Por unë mendoj se kjo garë edhe kështu si është, është plotësisht e fitueshme. A do të doja unë që gjërat të ishin ndryshe? Patjetër dhe unë kam dhënë dhe sugjerimet në programin dhe platformën time konkrete, ku them se në zgjedhjet e ardhshme, kryetari i partisë që nuk fiton zgjedhjet, dhe fitore është që të dalë forca e parë politike, jep dorëheqjen dhe nuk kandidon. Kjo do ta bënte shumë herë më të barabartë këtë gjë dhe do t’i hapte mundësinë përzgjedhjes nga anëtarësia të një lideri që të përfaqësonte më mirë demokratët. Por kjo gjë nuk është bërë. Zoti Basha këtu është bërë pengesë. Unë nuk dua, dhe këtu është kontributi që unë jap dhe që është vlerësuar nga pjesa dërrmuese e demokratëve dhe mendoj se do të më përkrahin në këtë gjë dhe më 22 korrik, që ta kthej këtë në qëllim në vetvete. Sepse nëse ne do ta bllokonim të gjithë këtë proces, ngaqë zoti Basha nuk do ta lëshojë karriken, unë mendoj se ne do t’i bënim shumë herë më dëm PD-ës, se sa një proces që nuk është i përsosur. Një tokë e pluguar keq është më mirë se një tokë e lënë djerrë.

Ndërkohë që ju zhvilloni fushatën, ka një tur paralel të disa figurave të PD-ës që po i bëjnë thirrje anëtarësisë që të ngrihen në mënyrë që kjo garë të bllokohet. A mendoni se ky fakt, dhe qëndrimi i këtij grupimi se ju nuk jeni një konkurrent real, është një pengesë për të grumbulluar ato vota të atyre që janë kundër zotit Basha?
Po është pengesë, dhe mua më duket e paarsyeshme. Ata nuk kanë problem me modelin tim. Ata nuk thonë që unë jam kandidat farsë, ata thonë që gara është farsë. Unë them ahjde ta bëjmë më të mirë. Ku ka gjë më të mirë që më 22 Korrik, edhe këta që mendojnë se zoti Basha nuk është lideri që na sjell fitore, e me të cilën unë jam plotësisht dakort, të përkrahin një alternativë ku jam unë. Qoftë të vinin dhe vetë, nuk e ka përjashtuar njeri zotin Patozi nga gara. Vetë u tërhoq. Kështu që unë mendoj se në këtë pikë do të bëhej më mirë. Gjithsesi unë prapë ata I quaj pjesë të PD-ës, nuk I shikoj si një grup tradhëtarësh. DHe unë mendoj që këtu zoti Basha gabon, që mendon se një nga shkaqet e humbjes është zbulimi i grupi tardhëtar brenda PD-ës. Ky është një koncept i së kaluarës. Por me ppltaformën time, ne jemi një parti bashkëkohore, europiane, e grupimit të djathtë europian, ne duhet të lejojmë fraksionet dhe ata të rriten brenda saj. Por dhe fraksionet kanë detyrimet e tyre. Bllokimi që ata po bëjnë, mendoj që nuk shërben, por është e drejtë e tyre. E kuptoj, nuk jam dakort po e respektoj.

Ju jeni prezantuar si një figurë që do të çonit drejt ribashkimit këtë parti, e cila po përjeton moment të vështira. Ka një tension brenda PD-ës. A e shihni real rrezikun e përçarjes apo tkurrjes së Partisë Demokratike?
Rreziku është, por siç u them dhe unë kandidatëve në takime, unë jam kandidat i bashkimit. Edhe këta kundërshtarë që sapo e thashë nuk kanë problem me modelin tim, problemi i tyre është thejsht që unë po ngatërrohem, le të themi, nëpër këmbë, sepse është një garë plotësisht e pabarabartë dhe ata mendojnë e pafitueshme. Unë mendoj se kjo fitohet. Nëse me votojnë mua demokratët, së bashku jemi të bashkuar. Edhe zoti Basha më ka dhënë fjalën se në rast humbje do më shtrëngojë dorën dhe do më mbështesë. Po kështu dhe grupi tjetër nuk ka ndonjë personale apo me platformën time. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me ta, siç jam me zotin Basha, me zonjën Topalli, me zotin Patozi, zonjën Bregu e gjithë të tjerët. Unë i shoh të gjithë si vlera në PD. Hajde ta bëjmë këtë më bashkëkohore. Modeli im është modeli i bashkimit. Një arsye më shumë për të votuar për mua.

Një pyetje të fundit. Cili do të ishte mesazhi juaj për demokratët kur kanë mbetur pak më shumë se 24 orë nga moment i votimit?
Kur e filluam këtë garë, pak besonin se kjo është një garë reale e cila do të na nxirrte më të fortë dhe më të mirë. Tani shumë e besojnë. Modeli që unë ofroj, është ai që kam gjetur mes tyre. Demokratët duan që PD dhe një herë të kthehet në një forcë bashkëkohore, ku ne të diskutojmë, të rrahim mendimin, të përzgjedhim më të mirin, të fusim konkurrencën, të konkurrojmë me vlerat dhe jo me veset. Unë mendoj se ky model po merr frymë dhe po merr jetë. Demokratët janë krenar për çka kemi bërë për Shqipërinë, por prapë ditët tona më të mira i kemi përpara.
Së bashku të votojmë modelin më të mirë bashkëkohor që të kthehemi në shpresë, besim e respekt te njëri tjetri, e të fitojmë shpresën dhe besimin e shqiptarëve. Dhe unë kam besim, se shumë shpejt, 22 korriku, kur të kthejmë kokën pas, do të duket si dita ku aty filloi historia më e suksesshme e shekullit të 21 që ka njohur planeti, që e ka emrin Shqipëri.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY