AFRIM KRASNIQI/ Paradokset e votës për 1 mandat më 25 qershor, lëvizjet...

AFRIM KRASNIQI/ Paradokset e votës për 1 mandat më 25 qershor, lëvizjet sipas qarqeve

131
0
Shares

Neni 1 i Kushtetutës së RSH “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Me letra jemi në rregull, prej vitit 1991 bëjmë zgjedhje periodike dhe të lira.

Të ndershme? Varet çfarë quhet nder në politikë! Ka një shprehje gjermane “të kërkosh nder midis politikanëve është aq utopiste sa ta mendosh botën pa asnjë kriminel e konflikt. Ata që kërkojnë vlera e nder shkojnë zakonisht në kishë, ata që merren me politikë duan pushtet dhe ndikim” dhe më tej “në politikë, në detaje fshihet djalli”. Shqipëria është vendi i vetëm në kontinent ku dy parti konkurrojnë, organizojnë zgjedhjet, administrojnë votat, caktojnë gjyqtarët e zgjedhjeve, bëjnë votuesin, vëzhguesin, numëruesin,  ankimuesin, gjyqtarin, – ku ai që shet misra të pjekur në rrugë rrezikon burgun, kurse ai që trafikon votat, pra sovranitetin qytetar, ka shanse të rritet në përgjegjësi, deri në doganier, drejtor, shef policie apo doganier.

Nga 1991 kemi bërë eksperimente pafund me zgjedhjet. U provua mazhoritari i pastër, më pas sistem miks me 100+40 deputetë, pastaj 115+25, pastaj 115+40, pastaj 100+40 dhe pas 2009 sistem proporcional rajonal. Më 2017 ruajtëm të njëjtin sistem, – me premtimin e PS-PD se do të jetë hera e fundit. Pas shtatorit do kemi reformë të re zgjedhore. Një palë flet për sistem me prim, një palë tjetër për mazhoritar. Nuk është çështje parimi dhe kalkulimi për ta zgjeruar demokracinë, por çështje taktike për ta kufizuar më shumë, për ta bërë më bipartizan dhe për të evituar me ligj çdo shans të partive të treta, përfshirë partitë e reja që janë krijuar apo mund të krijohen.

Tabela më poshtë ilustron numrin e votave për një mandat, bazuar në vendimet e KQZ. Nëse përqindja e pjesëmarrjes në votime do të kishte qenë më e lartë (p.sh, sa më 2013), kufiri për një mandat do të rritej nga 9 në 13 mijë vota në varësi nga qarku. Me rënien e pjesëmarrjes ra edhe niveli i pragut minimal për mandat. Siç shihet nga tabela, në Vlorë mandati i fundit u mor me 7.7 mijë vota, kurse në Tiranë me mbi 11 mijë vota. PDIU mori mbi 12 mijë vota në Tiranë, LIBRA mbi 9 mijë, por asnjëra nuk siguroi mandat parlamentar. Sepse u penalizuan nga pragu 3%. Dhe për pasojë, penalizimi për të vegjlit përkthehet në privilegj për të mëdhenjtë.

A ka sens që një votë në Vlorë apo Lezhë të ketë vlerën e 1.5 votave në Tiranë, Dibër e Korçë? A ka sens që brenda të njëjtit shtet të kemi deputetë që zgjidhen me 7 ose 11 mijë vota, ndërkohë që humbasin ata me 12 apo 10 mijë vota? A është normale që 19 mijë vota në Korçë dhe 12 mijë vota në Gjirokastër, Shkodër e Vlorë të prodhojnë në çdo rast vetëm nga 1 mandat parlamentar? Përse 19 mijë vota në Korçë prodhojnë 1 mandat, kurse 19 mijë vota në Berat prodhojnë 2.4 mandate? Një mandat në Kukës shkoi  18 mijë vota, më i larti në Shqipëri për partitë e mëdha, kurse PD me 23 mijë vota në Vlorë apo PS me 27 mijë vota në Gjirokastër marrin 3 herë më shumë mandate! Cili është shpjegimi që PD me 44 mijë vota në Shkodër merr 5 mandate, kurse me 46 mijë vota në Fier merr 4 mandate? Apo që PS me 73 mijë vota në Durrës e 65 mijë vota në Vlorë merr të njëjtin numër mandatesh, kurse me 73 mijë në Elbasan merr 1 mandat më pak? Si është e mundur që PDIU me 29 mijë vota në Durrës merr po aq mandate sa LSI në Durrës me 8 mijë vota më pak? Ka detaje të tjera të shumta që tregojnë se vota në Shkodër, Kukës, Tiranë, Durrës, Lezhë, Elbasan, berat, Korçë, Vlorë, etj, nuk ka gjithnjë vlerë të barabartë, që konkurrenca për mandat nuk është kudo e njëjtë dhe as e ndershme dhe që detajet, skemat taktike, kalkulimet lokale janë më të rëndësishme sesa parimi kushtetues i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

A mund të kemi sistem 100% të lirë, të drejtë dhe të ndershëm? Ndofta. Në botën demokratike ka modele të ndryshme zgjedhore që sjellin produkte të ndryshme parlamentare. P.sh, Macron në Francë përmes sistemi zgjedhor siguroi shumicën e vendeve pa pasur mbështetjen e shumicës qytetare, në Greqi me sistemin prim Cipras siguroi mazhorancën, në Britani me sistemin mazhoritar krijohen qeveri stabile, në Gjermani me sistemin miks demokracia funksionon prej mëse 6-7 dekadash, etj. Janë vende me rregulla loje të njohura, të pranuara dhe funksionale. Në asnjërin prej këtyre vendeve nuk cenon njeri kutitë e votimit dhe partitë nuk administrojnë procesin. Ky është thelbi i diferencës. A mund të ndryshojmë diçka për 2021? Mbetem pesimist. Si mund të jemi optimist kur vetë partitë, brenda atyre nuk aplikojnë “zgjedhje të lira, të ndershme dhe periodike”? Si mund të garantosh demokraci për të tjerët, shtetin e shoqërinë, kur nuk ke demokraci brenda familjes politike? Si mund të sigurosh transparencë votimi, standarde zgjedhjeje kur brenda vetë partive nuk ka as transparencë dhe as standarde? Si mund të penalizosh ata që shkelin ligjin e trafikojnë votën, kur brenda vetë partive individë të tillë ngrihen në karrierë, bëhen deputetë e ministra? Mjaftojnë këto për të kuptuar se sistemi ynë zgjedhor e politik, është kilometra larg parimit kushtetues për “qeverisje të bazuar në zgjedhje të lira, te ndershme dhe periodike”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY