Call Center në Shqipëri bëhen… “kambiste” – Aktiviteti “top sekret”

Call Center në Shqipëri bëhen… “kambiste” – Aktiviteti “top sekret”

102
0
Shares
TEMA TE NGJASHME: 

Nën presionin e qeverisë italiane, e cila shtrëngoi masat për delokalizimin e aktivitetit të call center në vendet jashtë BE-së, përfshi Shqipërinë, kompanitë call center u gjendën përpara dy zgjidhjeve: të mbylleshin ose të diversifikohen.
Sot shumë prej tyre po funksionojnë si qendra të investimit në bursë (forex) dhe kanë filluar të marrin edhe licencën tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare…

Dini italisht?- Ishte pyetja që dy vajza u drejtoheshin kalimtarëve, kryesisht të rinjve, në bulevardin “Zogu i Parë”, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Vajzat, në emër të kompanisë ProData, ishin në kërkim të të rinjve njohës të gjuhës italiane dhe që ishin të interesuar për të punuar si agjentë burse. Të interesuarit jepnin të dhënat dhe numrin e telefonit dhe brenda një jave njoftoheshin për intervistë në zyrat e kompanisë ProData.

Megjithëse drejtuesit e këtyre kompanive u kontaktuan nga Monitor, ata nuk pranuan të flisnin mbi aktivitetin e tyre. Ata pohojnë se funksionojnë si bursë dhe e quajnë veten institucion financiar. Kompania, vetëm javën e fundit mori licencën nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të operuar si agjent brokeri në letrat me vlerë, në emër dhe për llogari të shoqërisë “Depaho” Ltd;

ProData, e krijuar në mars 2013, në pronësi të një izraeliti, sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), me fokus në aktivitetin call center, një vit më vonë iu shit shoqërisë Bridlane Corp, e themeluar në shtetin e Belizës, për 100 lekë, sipas aktit të shitblerjes. Në maj 2017, Prodata ndryshoi emrin në Prodata Securities dhe objekti i saj i aktivitetit u ndryshua në kryerjen e transaksioneve me tituj dhe veçanërisht blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit dhe veprimtarinë e këshillimit të veprimtarisë me tituj. Në bilancin e viit 2015 (i fundit i dorëzuar në QKB) Prodata deklaroi të ardhura prej 530 milionë lekësh (gati 4 milionë euro). Norma e fitimit para taksave ishte 14%, ndërsa kostot e personelit zinin 70% të totalit të shpenzimeve.

Fushatat agresive të rekrutimit

Reklama të shumta në rrugët e kryeqytetit shqiptar ftojnë të rinjtë të punojnë në kompanitë call center që tashmë kanë parësor aktivitetin në Forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë (por shumë shpejt edhe shqiptarët) dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla.
Përpos kësaj, në disa nga rrugët kryesore të Tiranës shikohen vajza që bëjnë fushatë për punësimin e operatorëve (agjentë burse).

Në datën 19 qershor shumë pranë qendrës, kompania ProData po bënte fushatë për rekrutimin e operatorëve, njohës të gjuhës italiane. Paga bazë e ofruar ishte 60 mijë lekë, plus komisionet në bazë të punës së kryer.
Rekrutimi në rrugë funksionon duke marrë numrat e kontaktit të personave të interesuar për punë dhe që janë njohës të gjuhës italiane. Më pas, burimet njerëzore të kompanive call center i marrin në intervistë dhe pasi i përzgjedhin, i trajnojnë.
Sipas rekrutueses në rrugë, puna nuk është e një niveli shumë të vështirë, mjafton të jesh njohës i gjuhës italiane.

Forex Company, Quality Call, Winner Communications, Elite International kërkojnë punonjës në kryeqytetin shqiptar (sipas reklamimeve që ata bëjnë në faqet e punësimit), që të punojnë me forex (këmbim valutor) dhe ‘Binary option’ (Një opsion binar është një opsion financiar ku pagesa është ose një sasi e caktuar monetare ose asgjë). Elite International, psh është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në janar të këtij viti. Sipas njoftimit në internet për punësim, Elite International, thotë se është kompani me eksperiencë ndërkombëtare disa vjeçare. Kompania kërkon punonjës me përvojë në Forex apo Binary Options, ofron dyfishim të pagës aktuale dhe premton paga që së bashku me bonuese arrijnë nga 1000 deri në 5000 euro në muaj. Ajo ofron mundësi trajnimi në Izrael dhe në Johanesburg.

Skepticizëm

Roberto Caparrotta, sipërmarrës në këtë sektor është skeptik lidhur me orientimin e call center-ave drejt forex. Ai thotë se këto kompani kanë fitime të larta dhe “hileja” e këtyre fitimeve qëndron te humbjet e klientëve.

Këto kompani i bindin klientët të investojnë, i joshin duke i lënë të fitojnë herën e para dhe më pas i shtyjnë drejt humbjeve. Përfitimet më të larta këto kompani i marrin nga humbjet e klientëve. Ai shton se shumë kompani call center po orientohen drejt këtyre shërbimeve dhe po kërkojnë punonjës. Edhe ai vetë pohon se ka marrë oferta për të operuar dhe bashkëpunuar në këtë fushë, por që nuk ka pranuar.

Forex

Reklama të shumta në rrugët e kryeqytetit shqiptar ftojnë të rinjtë të punojnë në kompanitë call center që tashmë kanë parësor aktivitetin në Forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla.

Pas dyerve

Të kontaktuar nga ‘Monitor’, drejtuesit e kompanive nuk pranojnë që të flasin publikisht për aktivitetin e tyre të ri.
Ndërsa, të punësuarit në këto qendra telefonike thonë se brenda dyerve çdo gjë është “top secret”. Drejtuesit nuk iu japin shumë informacion dhe kanë ndërprerë çdo lloj marrëdhënie nënkontraktore me kompanitë italiane.
Sipas punonjësve, tashmë call center po punojnë për llogari të kompanive izraelite, kryesisht me tregjet italiane dhe angleze.

S., e punësuar në një nga këto kompani, tregon se kur bëri trajnimin për herë të parë, punëdhënësit nuk e informuan për kompaninë përgjegjëse për trajnimin.
Ajo tregon se pagat në këto qendra janë shumë të kënaqshme dhe bonuset që përfitojnë operatorët kapin shifra të larta, madje një pjesë e tyre kanë filluar të regjistrohen në QKR si persona fizikë, për të shmangur tatimin mbi të ardhurat personale.

Një operator ose ndryshe “agjent burse” ka detyrën e “vështirë” që të bindë investitorët potencialë që të marrin pjesë në platformat e investimit online. Në bazë të shumës që investitori vendos që të investojë në bursë, agjenti merr një përqindje të caktuar. S. thotë se paga mund të shkojë deri në 400-500 mijë lekë (të reja), në varësi të aftësisë që ka agjenti për të bindur investitorin që të hedhë sa më shumë para.
Këtë fakt e pohojnë dhe ekonomistët, të cilët thonë se është rritur numri i individëve që regjistrohen si biznese për t’u shpëtuar taksave, por ndërkohë janë të punësuar si operatorë në call center.

Kontabilistët shpjegojnë se aktualisht ka një diferencë të madhe mes taksimit të individëve me paga të larta dhe bizneseve të vogla, çka po nxit një skemë të shmangies ndaj taksave, teksa individë me paga të larta po regjistrohen si persona fizikë (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale.

“Top Secret”

Ndërsa, të punësuarit në këto qendra telefonike thonë se brenda dyerve çdo gjë është “top secret”. Drejtuesit nuk iu japin shumë informacion dhe kanë ndërprerë çdo lloj marrëdhënie nënkontraktore me kompanitë italiane. Sipas punonjësve, tashmë call center po punojnë për llogari të kompanive izraelite, kryesisht me tregjet italiane dhe angleze. Vetë kompanitë nuk pranuan të prononcoheshin

Legale apo ilegale?!

Kompanitë shfrytëzojnë hapësirat në ligj për të ushtruar aktivitetin. Flora Musta, drejtore në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, thotë se gjurmimi dhe hetimi i këtyre kompanive është i vështirë.

Së pari, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) këta operatorë në përshkrimin e aktivitetit tregojnë se merren me promovimin e shërbimeve dhe produkteve, por në fakt bëhet fjalë për shërbime dhe produkte financiare, tregtimi i të cilave mbikëqyret nga rregullatorët.

Së dyti, operatorët thonë se nuk operojnë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë por shërbimet financiare bëhen për të huajt dhe në Shqipëri bëhet vetëm komunikimi telefonik, ndërsa transaksionet kryhen me bankat jashtë.
Ligjërisht është e vështirë që t’i kapësh. Globalizimi ka krijuar mundësinë që një shtet “x” të shesë produkte në një shtet “y”, duke shfrytëzuar një të tretë për promocion si Shqipëria.

Klienti, gjithmonë humbet

E. K., në fillim të vitit të shkuar, nisur nga një lajmërim në internet, aplikoi për t’u punësuar në një kompani si agjente burse. Në njoftimin në internet, kompania premtonte një pagë të lartë, plus komisione dhe me kontratë pune.
Pa kaluar shumë kohë, E.K filloi të kuptonte se diçka nuk shkonte me aktivitetin e kësaj kompanie. Për “Monitor” ajo rrëfeu se kompania nuk ishte e licencuar në Shqipëri për tregtimin e aksioneve në bursë. Nga kërkimet na rezulton se ky biznes është i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si call center.

“Ne punonim me një faqe keystock.com, në të cilën gjendeshin informacionet bazë të kompanisë sonë. Në këtë faqe ishin të dhënat se ku mund të investonin klientët si p.sh., në valutë, në naftë apo në flori etj. Gjithashtu, kompania kishte përgatitur video informuese për t’iu shpjeguar klientëve se si mund të investonin në platformë. Në përgjithësi, klientët ishin të huaj, italianë apo anglezë, por kishte edhe shqiptarë. Avantazhet që ne i jepnin klientit ishin që nëse investonin online me kompaninë tonë përfitonin konsulentin ‘falas’. Ai i udhëheq gjatë gjithë kohës dhe i jep informacion klientit se ku duhet të investojë dhe mënyrën si online klienti nuk paguan taksa dhe as për shërbimin e konsulentit. Klienti mund të nisë investime edhe me shuma të vogla duke filluar nga 250 euro deri në shuma ekstreme 300 mijë euro”.

“Ndërsa, klientët që bëjnë investime nëpërmjet bankës duhet të paguajnë taksa dhe për shërbimin e konsulentit. Shuma minimale për të investuar ishte 5 mijë euro”, tregon E.K., dikur e punësuar agjente burse.
Pastaj nëse klienti ka dëshirë të bëhet ‘milioner’, hapte një llogari në kompanitë tonë me të dhëna të sakta, na dërgon ID, numrat e kartës dhe një faturë me adresë të saktë, shpjegon ajo.

E pyetur nëse kishte pasur klientë që kishin humbur para në këto investime gjatë periudhës kur ajo kishte qenë e punësuar, E. K. u përgjigj se klienti gjithmonë humbiste.
Konsulenti duhet të njohë mirë bursën, lëvizjet që ndodhin në grafik brenda sekondave, sepse bursa bie edhe ngrihet. Objektivi ishte që një agjent nga ne duhet të bënte 10 klientë secili për një muaj, shton ajo. Në atë kompani, ishin rreth 20 vetë të punësuar si agjentë burse.

Klientët që ne fusnim në lojë i merrnin përsipër konsulentët, të cilët duhet të ishin gjatë gjithë kohës shumë të informuar me atë çka ndodhte në tregje dhe që kishin për detyrë të rrisnin fondet që vinin në lojë klientët si investim, tregon ajo. Fondet shkonin në 100 ose 200 mijë euro, por ka pasur raste kur shuma për investim ka arritur deri në 300 mijë euro.

Në fakt, konsulentit nuk i intereson lloji i transaksionit që klienti kryen, nëse është me humbje apo me fitim, atij i intereson që të kryejë një numër sa më të madh transaksionesh. Për çdo transaksion që kryen klienti, konsulenti merr një përqindje fitimi mbi shumën e futur në lojë.

Kush fiton?!

Nëse klienti ka dëshirë të bëhet ‘milioner’, hapte një llogari në kompanitë tonë me të dhëna të sakta, na dërgon ID, numrat e kartës dhe një faturë me adresë të saktë, shpjegon ajo.
E pyetur nëse kishte pasur klientë që kishin humbur para në këto investime gjatë periudhës kur ajo kishte qenë e punësuar, E. K. u përgjigj se klienti gjithmonë humbiste.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, po hetojmë

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është pyetur nga “Monitor” në rast se po i hetojnë rastet e këtyre qendrave telefonike që funksionojnë si bursa. Në përgjigjen e tyre zyrtare, AMF deklaron se i ka në mbikëqyrje të vazhdueshme dhe ka kryer inspektime në disa prej tyre.

Bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në funksion të kompetencave të veta, AMF:
• Ka bashkëpunuar dhe komunikuar në vijimësi me organet kompetente si Drejtoria Kundër Krimit Ekonomik Financiar pranë Policisë së Shtetit, apo Prokuroria në lidhje me subjektet e palicencuara dhe të pamiratuara që promovojnë platformat online të investimit;
• Ka bashkëpunuar me Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike (ALCIRT) dhe AKEP për mbylljen e aksesit të platformave të pamiratuara (rasti i bllokimit të faqes së internetit ‘fxlider.com’);
• Me iniciativë të AMF janë zhvilluar diskutime në të gjitha mbledhjet e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), gjatë vitit 2016, për marrjen e masave dhe sidomos rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rreziqet e investimit në platformat online duke publikuar Deklaratat për shtyp të GKSF;
• Ka kryer inspektime në subjektet e miratuara për të vepruar si agjent për llogari të platformave, me qëllim evidentimin e problemeve të funksionimit të tyre;
• Ka tërhequr vëmendjen e investitorëve nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare amf@amf.gov.al të njoftimit për mosinvestim në platformën online FXLIDER, apo për të marrë shërbime financiare vetëm nga shoqëri të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duke konsultuar vazhdimisht faqen zyrtare të AMF-së.
• Ka qenë pjesë e diskutimeve në media nëpërmjet përfaqësuesve të tij duke ofruar informacion mbi platformat e tregtimit, rolin e AMF dhe ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet e investimit në platformat online.

Rritja e rolit parandalues ndaj shoqërive që promovojnë platformat e tregtimit online, mbetet një nga objektivat e punës së AMF me qëllim minimizimin dhe shmangien e rreziqeve që burojnë nga veprimtaria e palicencuar për të mirën dhe sigurinë e publikut investues. Në këtë proces, Autoriteti do të kërkojë vëmendje më të madhe nga institucionet shtetërore ligjzbatuese në drejtim të parandalimit të skemave dhe fenomeneve të paligjshme.

Kriza e Call Center tradicional

Në Itali, në datën 1 prill, hyri në fuqi ligji “Për delokalizimin” e call center, i cili shtrëngoi rregullat për zhvendosjen e aktivitetit nga Italia drejt shteteve jo anëtare të BE-së. I miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligjit iu la një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi me qëllim që kompanitë të njiheshin me rregullat e reja, zbatimin e standardeve, raportimin e numrit të punonjësve, adresave të selive, mbrojtjes së të dhënave etj.

Nisma e Italisë për delokalizimin alarmoi kompanitë Call Center në Shqipëri të cilat penalizoheshin për shkak se operonin në një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Jo në pak raste u ngrit shqetësimi i falimentit dhe riskut të humbjes së mijëra vendeve të punës. Qeveria në atë kohë pati një reagim të zbehtë përmes një shkrese drejtuar palës italiane por që nuk arriti të merrte ndonjë përgjigje pozitive.

Në maj të këtij viti, nga Italia erdhi goditja finale për call center. 13 kompani firmosën një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian Paolo Gentiloni dhe ministrin e zhvillimit ekonomik Carlo Calenda. Kjo marrëveshje parashikon që “95% e aktiviteteve që kryhen direkt të kalojnë në Itali brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi dhe në kontratat e të reja, të paktën 80% e vëllimeve outsourcing të kryhen në territorin italian”.
Janë 13 kompani të angazhuara në këtë marrëveshje. Këto subjekte, përbëjnë 65% të sektorit për sa i përket xhiros: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia.

Presioni duket se po funksionon. Operatorët e tregut deklaruan se kompanitë mëmë po merrnin masa për të zhvendosur një pjesë të aktivitetit në vende të tjera në rajon si Rumania apo Bullgaria. Një pjesë e kompanive të reja janë tashmë në procedura likuidimi.

Një pjesë po diversifikohen në Web-marketing. Ndërsa operatorët më të vegjël u shndërruan në kompani promotore të investimit në bursë për t’i shpëtuar falimentimit.
Ndërprerja e kontratave nga kompanitë e mëdha e ka bërë mbijetesën e call center në Shqipëri të vështirë, sidomos të operatorëve të vegjël.

Sipas të dhënave zyrtare, në total, në këtë sektor në Shqipëri ka rreth 800 kompani, me rreth 25 mijë të punësuar. Por, të dhënat e punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se janë 6-7 kompani kryesore, që kanë së bashku rreth 10 mijë të punësuar. Sipërmarrjet e mëdha vlerësohet se do të arrijnë t’i bëjnë ballë presionit italian dhe do të diversifikohen, ndërsa më të vështirë do ta kenë të voglat.

Edhe përpara se qeveria italiane të miratonte sanksionet në dhjetor të vitit të kaluar, sektori kishte shfaqur probleme. Norma e fitimeve ka rënë, të mëdhenjtë nuk po rriten më dhe sipërmarrjet e vogla, sidomos ato me pronarë shqiptarë, përballen me largime të kontraktorëve ose mospagesa nga ana e tyre. Ka raste që investitorë italianë vijnë dhe hapin dy-tre call center dhe i mbyllin brenda një kohe të shkurtër.

Call center ishte një biznes që lulëzoi në Shqipëri 10 vitet e fundit, për disa arsye. Së pari, kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe së dyti, njohja e mirë e gjuhës italiane. Së treti, ky është një biznes që ka kosto minimale, me koston minimale për hapjen e një vendi pune prej 500-700 euro (mund të hapet edhe me 10 mijë euro, me 20 të punësuar). Ambientet merren me qira, blihen kompjuterët dhe mjafton një kontratë me një operator italian (telekomunikacion, internet etj.) për të filluar aktivitetin. Por, aq kollaj sa hapen, po aq e lehtë është edhe të mbyllen, në momentin që nga pala italiane nuk u rinovohet kontrata.

Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY