Maturantë fitues, ja si të regjistroheni në fakultete

Maturantë fitues, ja si të regjistroheni në fakultete

120
0
Shares

Të gjithë ata studentë fitues në Universitetet shtetërore në të gjithë vendin, do nisin nga regjistrimet. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar dje faturën e arkëtimit për aplikimin në Institucionet e Arsimit të Lartë, i cili për këtë vit do të jetë 2000 lekë dhe do të paguhet në një nga bankat e nivelit të dytë. Me ndryshimet që janë bërë në rregulloren e Maturës 2017, regjistrimi do të bëhet me dy stade i ndarë në 7 faza me nga 48 orë. Procesi i regjistrimit i përket raundit të parë të pranimeve në universitete. Raundi i dytë i pranimeve do të realizohet për vendet që do të rezultojnë të paplotësuara në universitete, pas mbylljes së regjistrimit përfundimtar. Aplikimi për raundin e dytë do të bëhet pasi të mbyllet procesi për fazën e parë, nga ku do të dalin edhe vendet bosh që do të pozicionohen në listën e fituesve, mbi vijën e kuqe.

Në këtë raund të dytë dhe të fundit pranimesh do të ketë një fazë tjetër regjistrimesh, afatet dhe modalitetet e së cilës do të bëhen të ditura, jo më nga Ministria e Arsimit, por nga vetë universitetet. Maturantët fitues duhet të regjistrohen paraprakisht në programin e studimit, ku janë shpallur fitues, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Ndërkaq në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, universitet do të shpallin në fund të gushtit listën përfundimtare të kandidatëve fitues, duke ruajtur parimin Meritë-Preferencë. Sipas udhëzimit, deri në datën 18 korrik, QSHA do t’u përcjellë shkollave të mesme përllogaritjen e notës mesatare, pas së cilës do të bëhet listimi brenda datës 8 gusht.

Regjistrimi paraprak

Kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak, sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë, ku kandidatët fitues shkruajnë vetë emrin, atësinë, mbiemrin dhe nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit. Sipas këtij udhëzimi, sekretaria mësimore e pajis kandidatin që regjistrohet me një fletë regjistrimi paraprak, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fleta e regjistrimit paraprak duhet të jetë e nënshkruar nga dekani e nga kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe duhet të jetë e vulosur. Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit.

Regjistrimi përfundimtar

Në periudhën 29 gusht-11 shtator të gjithë aplikantët, të cilët kanë aplikuar në raundin e parë dhe janë shpallur fitues, mund të kryejnë regjistrimin me dokumentacionin në sekretaritë mësimore të fakulteteve. Kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht dhe do të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen. Në rast se konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fituesit e rinj të asaj faze, dhe ky grupim maturantësh.

Dokumentet që çohen në fakultet dhe ankesat

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, aplikantët fitues duhet të regjistrohen vetëm në një program studimi, me përjashtim të studentëve dhe nxënësve të shkëlqyer. Pas marrjes së dokumentacionit nga aplikanti dhe regjistrimit të tij, sekretaria pasqyron regjistrimin e tij edhe online në portalin u-albania. Aplikantët dorëzojnë personalisht, ose në mungesë nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar me prokurë nga ana e tyre 3 dokumente. I pari është dokumenti i identifikimit (karta e identiteti ose pasaporta). Në dosje mbahet vetëm fotokopja. Gjithashtu, ata dorëzojnë fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave ose të një dëftese tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njehsuar nga MAS. Maturantët po ashtu vendosin në dosje edhe një deklaratë, e cila plotësohet në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore. Pas kësaj, sekretaritë mësimore mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumenteve. Brenda datës 13 shtator, fakultetet përcjellin në QSHA regjistrimet përfundimtare të raundit të parë bashkë me kuotat e paplotësuara. Maturantët fitues në një program studimi, të cilët nuk janë regjistruar sipas afateve të raundit të parë, humbasin të drejtën e regjistrimit. Ata kanë të drejtë të plotësojnë formularin e aplikimit të raundit të dytë.

Ankimimi

Aplikantët kanë të drejtën e ankimimit në IAL në datat 1-2 tetor. Brenda 24 orëve nga momenti i paraqitjes së ankesave, IAL-të duhet të shprehen me vendim lidhur me ankimimet. Fakultetet pas përfundimit të afatit të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, përcjellin zyrtarisht në QSHA, brenda datës 4 tetor 2017, vendimet lidhur e ankesave dhe i pasqyrojnë ato në portalin u-albania. Aplikantët, pavarësisht paraqitjes së ankesave, nëse janë shpallur fitues në një ose disa programe të tjera studimi, mund të vijojnë procedurat e regjistrimit. Nëse ankesa e tyre është e pranuar, ata mund të ç’regjistrohen nga programi i studimit dhe të regjistrohen sipas dëshirës në programin e studimit, në të cilin është pranuar ankimimi, vetëm në datën 16 tetor 2017./shekulli.com.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY