DW/Ringritje përmes bashkimit apo copëtim?

DW/Ringritje përmes bashkimit apo copëtim?

98
0
Shares

Humbja e thellë e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit është shkak debatesh të forta në Shqipëri.

200 mijë vota të humbura nga elektorati i djathtë dhe 14 mandate të munguara deputetësh në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Këto janë shifrat që tregojnë saktë humbjen e thellë të PD në zgjedhjet parlamentare, të zhvilluara dy javë më parë, më 25 qershor. Heqja nga lista e kandidatëve për deputetë të kritikëve të kryetarit Basha, njëherazi edhe figurave kryesore të PD në 20 vitet e fundit, dhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj, të panjohur, duket se rezultoi “boomerang” për PD: ajo humbi 10% të votave të elektoratit të saj besnik.

Zgjedhjet e 22 korrikut

Duket se largimi i figurave të tilla ngjalli pakënaqësi të madhe dhe dyshime për përfitime personale nga Basha, nëse kihet parasysh se këto figura nuk janë më në forumet drejtuese të PD. Ky “spastrim i kritikuesve” ka ndodhur jo larg nga 22 korriku, data kur këtë muaj do të votohet për kryetarin e ri te PD.  Ajo që pritej nga opinioni publik dhe kritikuesit e Bashës ishte dorëheqja e Bashës, nga posti i kryetarit dhe nëse do të futej në garë të ishte i barabartë mes të barabartëve. Por Basha nuk ndoqi precedentin e liderit historik dhe mbështetësit të tij, Sali Barisha, i cili dha dorëheqjen kur PD humbi zgjedhjet në 2013, pas 8 vitesh në pushtet. Ai nuk dha dorëheqjen edhe pse kritikët e tij ia kërkuan këtë me forcë.

Basha po garon për një mandat të dytë kryetari, me mbështetjen e të sapoardhurve në PD dhe një pjese të mirë të “të vjetërve”, të zgjedhur deputetë në Parlamentin e ri. Në fushatën që ka nisur ai garon si kryetar i PD, i vetëngrirë nga funksionet drejtuese. Ish- kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tani anëtare e thjeshtë e PD, e cilëson garën ” false, jo legjitime, të manipuluar, të pabarabartë”.  Basha ka përballë vetëm një kandidat për kryetar: Eduard Selamin, anëtar i PD, ish kryetar i saj, i rikthyer pas 18 vitesh nga SHBA, pas largimit/dëbimit nga PD për mosmarrveshje parimore me Berishën.

Rezultat i paracaktuar – asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda partisë

Astrit Patozi, ish-nënkryetar i  PD, ish-deputet dhe një nga zërat më kritikë ndaj Bashës, thotë për DW se “dorëheqja në rast humbjeje të zgjedhjeve për kryetarin e një force të madhe politike si PD është një standard i botës demokratike, një ligjësi politike, aq më tepër kur humbja e PD është një humbje katastrofike.

Mosdorëheqja e Bashës, si një akt individual, është një mungesë e jashtëzakonshme përgjegjësie”, sipas tij. Patozi thekson se ai vetë hoqi dorë nga kandidimi për kryetar të PD pasi Basha nuk pranoi të vendoste rregulla “që garantonin paanshmërinë  dhe mosndikimin në garë.”

“Jemi në një garë farsë të zgjedhjes së kryetarit të PD, pasi rezultati është i paracaktuar. Eduard Selami i shërben Bashës për të legjitimuar një proces që nuk është legjitim. Jemi në një situatë shumë të rëndë në PD” thotë Astrit Patozi.

A mund të ringrihet PD si opozitë e fortë dhe në shërbim të progresit të Shqipërisë?

Kjo situatë e opozitës, e karakterizuar nga përҫarja dhe mosbesimi, vjen kur në në Shqipëri ka një maxhorancë të majtë parlamentare, shumë të fuqishme, me 74 mandate deputetësh në një parlament me gjithsej 140 vende. Për më tepër kur në Parlamentin e ri duhen miratuar ndryshime kushtetuese që lidhen me reformën në drejtësi dhe reforma të tjera të mëdha me 3/5 e votave ose me 94 vota.

PD, pas humbjes së thellë do t’i duhet të ngrihet nga hiri për të qënë një opozitë e fortë, e pjekur dhe në shërbim të progresit të Shqipërisë, në thelb të të cilit është ecuria pozitive në procesin e hyrjes në BE. Por Patozi ka dyshime. “Kjo vështirë se ndodh. PD nën drejtimin e Bashës nuk bëri dot opozitë të fortë kur koalicioni i majtë qeverisës, PS-LSI, pati të ҫara për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre. Tani, PD duhet të përballet me një qeveri të re solide, me një timonier të vetëm, Edi Ramën. Kemi dalë të copëtuar nga zgjedhjet. Basha prodhoi humbjen, ai do t’i ҫojë edhe më keq rezultatet e PD në zgjedhjet lokale që vijnë pas 2 vitesh madje nëse mbetet kryetar i PD edhe në zgjedhjete e ardhshme parlamentare më 2021,” thotë Patozi.

Bashkim para rrezikut real të shpërbërjes

Në Shqipëri nuk është sekret që Basha ka gëzuar mbështetjen e Berishës. Po kështu që ka qënë një nga ministrat më të privilegjuar të kabineteve Berisha, gjatë pushtetit 8 vjeҫar të PD, 2005-2013 dhe që në zgjedhjet lokale të vitit 2010 fitoi bashkinë e Tiranës me rregulla loje të ndryshuara gjatë procesit elektoral. “Nuk e di nëse e gëzon ende mbështetjen e Berishës, që deri tani ka qënë e dukshme. Nëse e gëzon ende, atëherë kjo nuk është problem i Bashës por i Berishës. Tani për tani Berisha është shumë i tërhequr, nuk e di nëse do të kthehet të jetë aktiv në zhvillimet e brendshme të PD„ thotë Astrit Patozi për DW.

Por Berisha e luajti rolin e liderit historik, kur ditë më parë me autoritetin e tij absolut ne PD bëri thirrje për bashkim dhe jo përçarje, për dëgjim të mendimit ndryshe dhe jo përjashtim. Por kjo nuk duket e lehtë përballë pakënaqësisë së figurave historike të PD, të lëna jashtë listës së kandidatëve për deputetë dhe mbështetësve të tyre të shumtë. Analistë të pavarur të Tiranës nuk përjashtojnë skenarin më të keq për PD- tkurrjen e saj nga humbja e elektoratit dhe e ilustrojnë këtë opsion me atë që i ndodhi partisë së majtë PASOK në Greqi.

Nevoja për opozitë të fortë?

Shpresa që kjo të mos ndodhë ka në horizont edhe rrezikun e copëtimit, ndarjes së PD, gjë që e ka shoqëruar gjatë gjithë historisë së saj 27 vjeçare. „Shpresoj ende në reagimin e demokratëve që nuk do ta lejojnë Bashën të uzurpojë një mandat të dytë pas humbjes së thellë. Por nëse kjo mund të mos ndodhë besoj tek reagimi i elektoratit të djathtë, për të gjetur një mundësi tjetër, për t’iu përgjigjur nevojës emergjente që ka Shqipëria për një opozitë të djathtë, të fortë. Tani për tani, po synojmë që t‘i ndryshojmë gjërat për mirë duke qënë brenda PD. Ne shpresojmë që ta ngrejmë, ta rindërtojmë PD. Nëse kjo nuk bëhet do të shikojmë hapa të tjerë.” thotë Astrit Patozi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY