VIDEO/ “Në kthetrat e prostitucionit” – Dëshmitë e vajzave shqiptare të trafikuara

VIDEO/ “Në kthetrat e prostitucionit” – Dëshmitë e vajzave shqiptare të trafikuara

77
0
Shares

Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri një fenomen që vazhdon, megjithëse në mënyra dhe forma të reja. Vazhdojnë gjithashtu edhe vështirësitë për t’u riintegruar në shoqëri. Trafikantët si gjithmonë përdorin mashtrimin për një jetë më të mirë. Identiteti i viktimave në materialin që do të ndiqni është mbrojtur, duke modifikuar zërin dhe figurën. Materiali në vijim është një bashkëpunim mes Zërit të Amerikës dhe rrjetit BIRN të gazetarisë investigative.
Stigma i bën vajzat e trafikuara dy herë viktima.
Të gjithë kanë të drejtë për një fillim të ri. Edhe viktimat e trafikimit. Por, shpesh, kur sapo ka marrë fund kalvari i “rrugës” , nis përballja e tyre me paragjykimin, stigmën dhe refuzimin e njerëzve të dashur, familjes dhe shoqërisë.
“Alo mami si je. Më mungoni shumë. Jam edhe e mërzitur. Kur flas me ju më jepni forca”.
Një zë i dashur e familjar mund të të ndryshojë jetën. Po në disa raste është thuajse e pamundur të marrësh atë që të mungon aq shumë.
Kjo 19 vjeçare është një nga mijëra vajzat shqiptare të trafikuara ndër vite. Një nga viktimat e një fenomeni të dhimbshëm që vazhdon, shpesh, me mënyra e forma të reja, por gjithmonë përmes mashtrimit për një jetë më të mirë e me qëllimin e vetëm shfrytëzimin maksimal të viktimës.
Ajo ja ka dalë t’i shpëtojë rrugës, pas vitesh shfrytëzimi jashtë Shqipërisë. Prej disa muajsh ndodhet në qendrën “Të ndryshëm dhe të barabartë” në përpjekje për t’iu rikthyer jetës normale. Por, ndërsa ka lënë pas momentet më të errëta të jetës, po përballet me të tjera vështirësi – marrëdhënien shumë të vështirë me familjen për të cilën ka nevojë më shumë se kurrë, paragjykimet e stigmën.
Shpesh, kjo vjen nga mosnjohja për atë që një viktimë ka kaluar. Për orët e saj të errëta.
“Në momentet e mia të këqia kam ndjerë dhimbje. Isha shumë e lënduar, e frikësuar. Më rrihnin. Nuk dija ku isha. Isha krejt vetëm. Mendoja gjëra të frikshme. Kujtoja se nuk do të kthehesha më te familja ime e nuk do të isha më e lumtur”, rrëfen 19-vjeçarja
Një tjetër vajzë e re, në një situatë të ndryshme trafimkimi, por në të njëjtin makth tregon.
“Gjatë asaj kohe jam ndjerë shumë keq, në fakt. Kam shkuar deri në masa ekstreme. Nuk doja të jetoja më”.
Një pjesë e madhe e viktimave vijnë nga situata dhe familje problematike. Mirëkuptimi dhe dashuria e familjes do të ishte fillimi i rikthimit në jetën normale. Por shpesh janë ato të parat që i refuzojnë.
Sipas Stela Tanellarit, manaxhere projekti në organizatën “Të ndryshëm dhe të barabartë” muajt e parë të riintegrimit janë shumë të vështirë.
“Në shumicën e rasteve viktimat e trafikimit ndihen të refuzuara nga familja e tyre, nga anëtarët e familjes, apo edhe nga komuniteti. Në përgjithësi janë baballarët dhe vëllezrit ata që refuzojnë më tepër vajzë”.
Këtë e pohon edhe njëra prej të trafikuarave.
“Dy vëllezërit kanë reaguar shumë keq dhe i kanë thënë babit të mos më pranojnë në shtëpi. Jam ndjerë shumë e lënduar nga vëllezërit dhe nuk e prisja, se janë gjëra që kujtdo mund t’i ndodhin”.
Një nga pengesat e mëdha për të dalë nga situata është edhe ndjenja e fajit, që i shoqëron gjithmonë këto vajza dhe sidomos mos-falja e vetes.
“Në disa momente jam ndjerë në faj e thosha përse e bëra këtë gabim, por më vonë e kuptoja që kam qenë shumë e vogël dhe jam gënjyer”, thotë 19-vjeçarja.
Anila Trimi ka mbi 20 vjet që punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Antitrafikut dhe Azilit në Ministrinë e Brendshme. Ka kaluar me dhjetëra raste personash të trafikuar dhe është marrë me hetimet konkrete të veprave penale, që kanë pasur lidhje me trafikimin.
Ajo flet edhe për anën tjetër të medaljes, për rastet kur familjet i presin sërish në gjirin e tyre fëmijët e trafikuar, që janë edhe më pozitive, për sa i takon procesit të riintegrimit
“Ka familje që, pavarësisht nivelit të tyre arsimor, pavarësisht, nivelit ekonomik janë mikpritëse të fëmijës, të familjarit të tyre dhe duan të marrin pjesë e asistojnë sa të jetë e mundur integrimin e një personi dhe nuk ka gjë më të mirë se kjo”, thotë Anila Trimi.
“Unë nuk ja uroj askujt atë që përjetova vetë. Gjithmonë prindërit duhet të jetë mbështetja e fëmijevë, në çdo situatë të vështirë që ata mund të ndodhen. Të mos i braktisin kurrë.” – apelon njëra nga vajzat.
Por paragjykimet, e me raste edhe reagimet negative, hasen edhe në ambiente sociale, madje edhe aty ku mendojmë se duhet të jemi të mbrojtur.
Ja çfarë rrëfen 19-vjeçarja e trafikuar:
“Kur po më shoqëronin në shtëpi më kanë gjykuar, më kanë sharë oficerët. Më kanë thënë fjalë banale gjatë gjithë rrugës. Për 3 orë”.
Shpesh shoqëria është edhe më refuzuese. Sipas Drejtores së Antitrafikut, viktimat e trafikimit vuajnë faktin që nuk trajtohen si gjithë të tjerët dhe që ëndrra e tyre është prerë në mes. VoA

Viktimat e trafikimit seksual në Shqipëri dhe vështirësitë për t’u riintegruar në shoqëri. Është një fenomen që vazhdon, megjithëse në mënyra dhe forma të reja. Trafikantët si gjithmonë përdorin mashtrimin për një jetë më të mirë. Identiteti i viktimave në materialin që do të ndiqni është mbrojtur, duke modifikuar zërin dhe figurën. Kronika është një bashkëpunim mes Zërit të Amerikës dhe rrjetit BIRN të gazetarisë investigative.

Posted by VOA – Zëri i Amerikës on 03.07.2017

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY