Pastori i njohur i përgjigjet Genc Rulit: Turma do të vrasë bariun

Pastori i njohur i përgjigjet Genc Rulit: Turma do të vrasë bariun

93
0
Shares

Pastori i njohur Akil Pano ka reaguar me një status të “Facebooki”, pas sulmeve dhe thirrjeve te forta anatemuese ndaj Bashës, pas humbjes dramatike të zgjedhjeve te 25 qershorit.
Pano në përgjigje te deklaratës se Rulit dhe paralelizmit që ai bëri për nxjerrjen e Bashës nga selia, ashti si Jezusi nxori tregtarët nga tempulli, shkruan se ai nuk sheh këtë rast, por një Jezus tjetër.

 

Postimi i plotë i pastor Akil Panos

Skena që unë shoh, miq demokratë!
Kryqëzojeni… kryqëzojeni!
Goditeni, mallkojeni… projektoni mbi të gjithë fajin, humbjen, rrëzimin dhe dështimin, për ‘parajsën’ tuaj të humbur tashmë dy herë.
Skena e lashtë e anathemas (mallkimit) publike që i bëhet Krishtit prej turmës, erdhi e gjallë tek unë, pasi dëgjova thirrjet mallkuese, fyese, poshtëruese, denigruese, të bëra prej një grupi jo të vogël, kryesisht ish-senatorëve deputetë, të partisë më të madhe opozitare në vend.
Këtyre zërave, me një shpejtësi të beftë iu bashkua kori i zërave të disa analistëve, pronarëve të medias, aksionerëve të politikës, kryesisht përfitues jo të vegjël të pushtetit, të cilët derdhën gjithë kupën e zemërimit, hidhërimit, gjykimit, fajit dhe ndëshkimit të tyre mbi njeriun të cilin duan ta shohin mbi kryq.
Thërrasin të rrëzojnë, kryqëzojnë, ndëshkojnë e largojnë, pasi kanë vendosur mbi kryqin e drunjtë të caktuar për kryetarin e tyre, mbishkrimin; Mbreti i Fajit.
Kjo skenë ishte e përgatitur prej kohësh, çarku ishte ngrehur për prenë kilometra të tëra rrugëtimi, përpara tendës së mbledhjes së demokratëve. Dikush duhet të paguajë për humbjen, dështimin, rrëzimin dhe pafuqinë e familjes e cila, shtegton, ndeshet, fiton dhe humb një, dy a më shumë beteja në historinë e saj.
Skenë e cila ka shkelmuar duke shkallmuar moralin, etikën, kulturën dhe gjithçka të dëlirë që lidhet me parimet konservatore të djathta në platformën e ndërveprimit politik. Ballkanizim copëzues që rend të riprodhojë armiqësi, ndarje, rigrupime, e më së tepërmi vrasjen politike të liderit. Ky është problemi ynë kryesor, lideri. Kur ai është dobët, s’mund të na udhëheqë, kur është i fortë themi se është diktator!
Cili është në të vërtetë lideri që duam!?
Përgjatë 25 viteve të rrugëtimit tonë post-komunist, jemi treguar të paaftë dhe shumë të kursyer të lartësojmë vlerat në jetën e liderit, por kemi qenë të zellshëm të amplifikojmë dobësitë e tij.
Por cili është lideri që duam!?
Oh, kjo është e lehtë;
natyrisht, liderin që na vlerëson duke na dhënë një pozitë në formacionin tonë politik, liderin i cili na çon në fitore.
Por rruga e liderit që çon në fitore, natyrshëm kalon përmes shtegut të dhimbshëm të humbjes.
Miq të mi demokratë!
Lideri nuk prodhohet brenda ditës, e as një dekade. Ruajeni liderin, kultivoni vlerat e tij, rrituni së bashku me të, bëjuni mburojë shigjetave të ndezura që tani kanë zënë diellin mbi kryet e tij. Kujtoni vlerat e familjes e cila qëndron dhe lufton për të vetët. Në të kundërt, e ndarë ndër vete, ajo s’mund të qëndrojë.
Skena që unë shoh, nuk është skena të cilën z. Ruli përmend në statusin e tij publik. Unë nuk shoh ‘Jezusin i Cili me kamxhik nxjerr tregtarët jashtë Tempullit,’
Unë shoh një Jezus tjetër! Shoh Jezusin përballë turmës së akuzuesve të cilët duan të vrasin bariun duke projektuar mbi të, pafuqinë e tyre.
Shoh burrin, i cili merr përsipër të paguajë çmimin e fajit të pafuqisë së familjes! Të gjithë familjes, në veçanti pjesës së saj më të brishtë. Vëllezërve që zgjodhën të mos ndeshen, jo prej drobitjes nga betejat e së shkuarës, por prej ambicies për pushtetin brenda familjes. Motrave të cilat nisën ankesat se u ndjenë të padëgjuara, e se harruan atë që prej natyre e japin pa u kursyer në familjen e tyre prindërore; dashurinë dhe përkushtimin. Shoh ‘miqtë’ të cilët në orën më të vështirë, braktisin bariun më një puthje.
Por gjithashtu, shoh morinë e vëllezërve, motrat dhe miqtë, të cilët duan familjen dhe bariun. Shoh realitetin e politikës dhe strukturave shoqërore në Shqipëri. Shoh nevojën në parlamentin e ri për opozitarizëm të fortë dhe konstruktiv. Shoh një kastë të re e cila duhet të çojë përpara reformat e rëndësishme për progresin e Shqipërisë.
Miq të mi demokratë! Lutem që Zoti t’ju japë urtësi të dalloni stinën politike në të cilën ndodhet vendi dhe të ndërmerrni hapat e nevojshëm drejt ringritjes të familjes tuaj e cila ka peshë historike në demokracinë e Shqipërisë.

Përzemërsisht, Rev. Akil Pano

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY