Ilir Meta komenton “Fatos Nano President”, por a ka frikë!

Ilir Meta komenton “Fatos Nano President”, por a ka frikë!

212
0
Shares

Kreu i Kuvendit dhe President i zgjedhur Ilir Meta është përpjekur të sqarojë pozicionin e tij mes LSI dhe Presidencës ndërkohë që ka komentuar edhe disa nga kërcënimet që i kanë ardhur nga PS ne nje interviste ne Kapital me gazetarin Aleksander Furrxhiu ne vizion plus.

“Disa militantë socialistë i keni dëgjuar që kanë filluar të thonë se nëse Meta nuk e dekreton qeverinë, e dekreton Presidenti Nano. Mesazhi është i qartë apo jo?

Së pari, nuk habitem për shashka të tilla kaq qesharake. Nuk ekziston asnjë fantazmë që t’i sjellë një shqetësim Ilir Metës, aq më tepër rinisë së Shqipërisë që sot është me Ilir Metën, dhe Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të të rinjve të Shqipërisë, të së ardhmes së tyre.

Dhe e ardhmja e tyre fillon te vota e lirë. Aty fillon edhe shpresa për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri që mendon dhe punon për të rinjtë, jo për një Shqipëri që braktiset, siç ndodh dhe siç konkurrojnë, për fat të keq, me Sierra Leonen. Kështu që nuk ekziston asnjë shqetësim i tillë.

Për sa i takon dekretimit të qeverisë unë nuk kam thënë se nuk dekretoj qeverinë, sepse Shqipëria në çdo rast do të ketë qeveri. Kam thënë që nuk dekretoj asnjë për kryeministër, apo ministër që përfshihet në cenimin e standardit të zgjedhjeve. Kështu që ky është qëndrimi im të cilin nuk e ndryshoj dhe nuk më intereson fare…

Dhe gjykatës për këtë do të jetë Ilir Meta? Ilir Meta do ta vendosë nëse është prekur apo nuk është prekur vota?

Gjykatës për këtë do të jetë populli shqiptar më 25 qershor dhe Ilir Meta do të japë llogari para popullit shqiptar. Kështu që kjo është një histori e mbyllur. Ilir Meta nuk është një nëpunës as i Rilindjes dhe i askujt tjetër si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë.

Skënder Gjinushi, një politikan i vjetër dhe me përvojë, ka thënë se Ilir Meta me sa duket ka ndërmend të japë dorëheqjen si President dhe t’i kthehet drejtimit të LSI-së. Ai ka parasysh angazhimin tuaj në fushatë në vetë të parë dhe si figurë kryesore.

Angazhimi im në fushatë nuk është thjesht një angazhim për LSI-në. Unë do të angazhohesha sikurse e kisha deklaruar, sepse mund të rrija si kryetar i LSI-së, dhe për këtë nuk më pengonte Kushtetuta. Dhe në listën e partive, krahas LSI-së, mund të ishte emri i Ilir Metës përsëri. Mund të isha edhe në listën për deputet, sepse nuk më pengon Kushtetuta deri në datën 24 korrik.

Nuk do të kishte kuptim. I zgjedhur President në listë?

Ajo ka të bëjë me përgjegjshmërinë time, nuk ka të bëjë nëse ka kuptim, nuk ka kuptim, se këtu ka interpretime të ndryshme. Nga ana e Kushtetutës nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë pengesë. Unë thashë se nuk ka kuptim, sepse unë jam politikan i përgjegjshëm dhe shqiptarët e dinë këtë gjë. Këtë gjë e dinë edhe socialistët, e dinë edhe demokratët, e dinë edhe ata pa parti.

Unë thashë që nuk do të jem kryetari i partisë dhe nuk do të dal të bëjë premtime konkrete të karakterit ekzekutiv për 4 vjetët e ardhshme, për arsye sepse unë nuk do të jem në ekzekutiv. Pra, do të jem President. Pra, këto i takojnë Petrit Vasilit dhe lidershipit të LSI-së. Por unë do të marr pjesë si një anëtar i LSI-së dhe në përkrahje të të rinjve dhe të rejave që janë në listat e LSI-së, sepse ky ka qenë një nga motivet kryesore, si dhe mbetet një nga motivet kryesore i të gjithë angazhimit tim në politikë.

Për sa i takon angazhimit të tanishëm, sigurisht kur ne shohim që krijohet një task force në një mënyrë krejtësisht të errët, pa vendim qeverie, thjesht nga dy persona, e cila merr vendime antikushtetuese, e cila merr vendime të paligjshme, e cila po zhbën reformën e administratës, ku z. Rama mburrej se kishte qenë një reformë e shkëlqyer, e cila po zhbën…

Ka hequr njerëz dhe nga LSI-ja.

Jo, nuk ka lidhje thjesht…

Ose ka goditur edhe figura të Partisë Socialiste…

Zotëri, nuk ka lidhje me këtë gjë. Ka lidhje me mënyrën se si po veprohet. Ka të bëjë me shkeljet e ligjeve, ka të bëjë me shkarkimet e paligjshme. Unë jam shumë dakord që të largohet çdo drejtues apo punonjës, që shkel ligjin dhe i faktohet një gjë e tillë, por mënyra se si po ndodh është e karakterit represiv, policesk. Nuk ka të bëjë me shtetin e së drejtës, nuk ka të bëjë me demokracinë, është si një formë apo mënyrë presioni dhe shantazhi që bëhet ndaj administratës. Ata le të vazhdojnë me këtë gjë. Populli shqiptar e kupton atë që po ndodh. Administrata është aq sa është.

Problemi i tyre është rinia e Shqipërisë, e cila është e gjitha me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndërsa ata le të ngelen aty me këto…

Zoti Meta, kur dhatë paralajmërimin për dekretimin ose jo të kabinetit të ri qeveritar të Kryeministrit, pati zëra…

Për persona që cenojnë ose jo standardet e zgjedhjeve.

Në komentet në shtyp kujtuan Ivanovin.

Nuk ka lidhje me Ivanovin kjo gjë, sepse, e para unë nuk jam Ivanovi. Ivanovi është tjetër, unë jam tjetër.

E dyta, zgjedhjet në Maqedoni u njohën nga të gjithë dhe u krijua një shumicë parlamentare pas zgjedhjeve të ligjshme demokratike. Unë kam thënë: Në qoftë se cenohet standardi i zgjedhjeve dhe kemi kontestime serioze të zgjedhjeve në Shqipëri, pa dyshim që nuk do të ketë dekret për përgjegjësit dhe këtë po e përsëris edhe një herë, as për Kryeministrin, as për ministrat. Nuk kam thënë që Shqipëria do të mbetet pa qeveri. Këto do të provohen. Në qoftë se ky lexohet si presion, është presion që standardi i zgjedhjeve të mos cenohet nga askush. Mendoj se kjo është shumë e ligjshme.

Ju thatë se zgjedhjet në Maqedoni u njohën, por këtu mund të mos i njohë LSI-ja. Qarku është i shkurtër. Do të thotë se Ilir Meta, LSI-ja nuk i njeh… Atëherë krahasimi nuk bëhet.

Nuk ka lidhje me LSI-në. Kjo ka lidhje me popullin shqiptar dhe cenimi i standardeve është kontestuar gjerësisht edhe nga shumë forca të tjera politike, si në opozitë, si në maxhorancë, deri para datës 17 maj. Kemi të bëjmë me një proces tërësisht të deformuar të dy individëve, të cilët kanë bërë një marrëveshje kundër zgjedhjeve për interesat e tyre, madje kanë bërë një marrëveshje edhe kundër partive të tyre.

Të themi të drejtën, ajo që ka bërë z. Basha është shumë e rëndë, është shokuese. Çfarë ka bërë z. Basha? Z. Basha mbajti aleatët e tij në çadër, të cilët z. Rama kërkonte përditë t’i fuste në zgjedhje pa z. Basha. Po të hynin ata në zgjedhje pa z. Basha, do të kishin marrë nga 10 deputetë secili. Ai bëri një marrëveshje për të futur aleatët e tij në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, duke i detyruar të futen në listat e tij. Një pjesë e tyre nuk dalin dot deputetë dhe është për të ardhur keq, sepse kanë pasur zërin dhe individualitetin e tyre.

E dyta, z. Basha premtoi republikë të re dhe përdori mënyrën më të vjetër, që nuk është parë as në kohën e Berishës, që është themeluesi, drejtuesi, udhëheqësi i Partisë Demokratike, i çoi listat fshehurazi në orën 12 e ca të natës në KQZ pa mbledhur kryesinë e partisë së tij.

Më dëgjoni me vëmendje, i dashur Sandri! Kemi të bëjmë me një mentalitet tepër të rrezikshëm, që e kthen demokracinë në vend dhe demokracinë në forcat politike shumë mbrapa. Zhbën institucionet, zhbën transparencën edhe brenda partive, edhe në raport me të gjithë sistemin demokratik, cenon dhe synon të cenojë pluralizmin politik.

Kemi të bëjmë me gjëra shumë të rëndësishme, të cilat nuk janë thjesht demokratike, politike, por nesër përkthehen edhe në cenimin e të drejtave të njeriut, edhe në cenimin e mundësive për punësim, për një ekonomi më të mirë në familjet shqiptare, për një transparencë më të madhe në qeverisjen e vendit e kështu me radhë.

Thatë se disa emra prej drejtuesve të partive të opozitës, disa emra me kontribute, mund të mos jenë në parlament. Keni parasysh ndonjë emër konkret, ndonjë pozicion apo kundërshtim të tyre nga lista?

Jo, nuk dua të përmend emra konkret. Dua të them se aleatët që i qëndruan besnik z. Basha nuk duhet të ishin tradhtuar kurrsesi në atë mënyrë brenda 3 orësh, pasi, në fund fare, mendoj se kjo ishte një mungesë luajaliteti dhe kur ti nuk je luajal me partnerët e tu, që të qëndrojnë korrekt, kur ti nuk je luajal me figurat historike të partisë tënde, që kanë kontribute të jashtëzakonshme, si do të jesh luajal me qytetarët e thjeshtë, që nuk e kanë kurrë rastin të takojnë ty në jetë?

Ilir Meta i ngriti tonet sidomos në mitingun e LSI në Krujë. Përmendët dy personazhe mjaft të njohura të politikës botërore. Markosi ka rënë para 30-vjetësh. Është arratisur nga vendi pikërisht pas zgjedhjeve, kurse Janukoviçi para tre vjetësh është arratisur dhe është sot në azil politik në Rusi. Ju thoni që “do ju duket lule fati i tyre”. Çfarë mund të ketë më keq se kaq? Çfarë keni parasysh me këtë? Apo është retorikë fushate?

Nuk është retorikë, përkundrazi. Këto deklarata nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pas njoftimit për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Zharrëz, ku një fëmijë, një 18-vjeçar, u godit nga kryetari i PS-së së Zharrëzës, një person me precedentë penalë dhe përgjegjës në Albpetrol, si dhe nga dy tjerë, me levë dhe me lopatë. Me levë dhe me lopatë u godit një 18-vjeçar, i cili ditën tjetër do të shkonte të jepte provimin e maturës, vetëm sepse kur e pyetën se për kë do të votonte, ai i tha se do të votonte për LSI-në.

Reagimi i Partisë Socialiste ishte një reagim i çuditshëm, sikur kjo na kishte ndodhur për një vijë uji, një gjë shumë e turpshme për të justifikuar një sjellje të tillë të dhunshme, tanimë edhe ndaj fëmijëve, jo vetëm ndaj njerëzve të tjerë në administratë që mund të dyshohet se kanë simpati për LSI-në, por edhe ndaj fëmijëve.

Po, dhe e përsëris edhe një herë tjetër: fati i tyre do të jetë lule.

Që do të thotë?

Që do të thotë se Edi Rama nuk e merr dot peng me dhunë, me polici, me kriminelë, me banditë, Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Këtë duhet ta dijë. Ia kam thënë. Nuk ka dashur të dëgjojë. Ndoshta është nën efektet e doping-ut elektoral, apo nuk e di… Kjo është punë e tij”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY