Kërcënimi i agjentit të SHISH, ja pistat e hetimit

Kërcënimi i agjentit të SHISH, ja pistat e hetimit

81
0
Shares

Një agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror është kërcënuar mbrëmjen e së dielës nga persona ende të paidentifikuar. Ata i kanë lënë një mesazh në derën e shtëpisë përmes një qeseje, brenda së cilës kishin futur 7 fishekë.
Ngjarja është denoncuar menjëherë në Komisariatin Nr. 3 nga agjenti 48-vjeçar Shkëlzen N., i cili ka telefonuar pa lëvizur nga vendi provat që ndodheshin në derën e shtëpisë së tij.
Në vendin e ngjarjes, në një prej pallateve që ndodhet në rrugën “Jordan Misja”, kanë shkuar menjëherë oficerët e Policisë, që kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale qesen me 7 fishekë të kalibrit 7.62 milimetër.
Ndërsa më pas specialisti i SHISH është paraqitur në rajonin e Policisë, ku ka bërë edhe kallëzim me shkrim. Në deklarimet e tij ai ka thënë se nuk ka probleme personale me njeri dhe se kanosja mund të ketë ardhur për shkak të detyrës, shkruan “Panorama”. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se ka nisur procedim penal pa autor, për veprat penale të “kanosjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. Nga ana tjetër, kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Hetimi
Burime të Policisë së Tiranës thanë se ekspertët kanë nisur ekzaminimin e provave të gjetura në derën e shtëpisë së agjentit të SHISH. Qesja dhe fishekët po verifikohen për fiksimin e gjurmëve të mundshme të gishtave, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Ndërsa janë marrë në pyetje edhe disa prej banorëve të pallatit ku banon 48-vjeçari Shkëlzen N., të cilët kanë deklaruar se nuk kanë parë lëvizje të dyshimta në shkallë apo persona të panjohur.
Po ashtu, përveç agjentit të SHISH, oficerët e Policisë kanë marrë në pyetje edhe familjarët e tij, duke mos përjashtuar mundësinë që mesazhi kërcënues mund të ishte edhe për ndonjërin prej tyre.
Megjithatë, deri tani nuk rezulton që ata mund të kenë probleme me njeri.
Nga ana tjetër, janë sekuestruar pamjet filmike të disa bizneseve pranë pallatit ku ndodhi ngjarja, të cilat po verifikohen për të identifikuar ndonjë person të dyshimtë që lëviz në zonë, apo edhe që mund të jetë futur dhe ka dalë nga hyrja e pallatit.
Burimet thanë se deri tani ende nuk janë verifikuar plotësisht pamjet, megjithatë vazhdojnë hetimin për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY