ARTAN FUGA/ Ku gabuan dhe çfarë nuk kuptuan Jozefina Topalli, Arben Imami…,...

ARTAN FUGA/ Ku gabuan dhe çfarë nuk kuptuan Jozefina Topalli, Arben Imami…, etj…!

156
0
Shares
artran fuga, vogel new

Artan Fuga

Tani, më së fundi, pasi Lulzim Basha botoi listat e kandidatëve të partisë së tij, një numër prej pesë a gjashtë ish-deputetësh të rëndësishëm të Partisë Demokratike, në ballë të parë të aktivitetit politik në këto dekada, u shfaqën të pakënaqur. Madje dy prej tyre deklaruan se kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës si kryetar partie sepse nuk ka respektuar procedurat për kandidim.
Pak përpara, Edi Rama nuk kandidoi edhe ai një numër deputetësh të mëparshëm socialistë, edhe ata me një barrë kontribute për veten dhe partinë e tyre.
Unë pothuajse i njoh të gjithë të pa kandiduarit. Si njerëz kam respekt. Si politikanë kanë kontribute. Për disa prej tyre majtas a djathtas do të votoja përsëri. Për ndokënd jam neutral dhe për ndokënd tjetër nuk do të votoja edhe po qe se do ta vinte kandidaturën përsëri.
Por, gjithsesi është rasti t’u shprehim falënderimet tona për ato që kanë mundur të bëjnë për të mirën publike, t’i justifikojnë se fajin për degjenerimin total të republikës së vjetër nuk e kanë vetëm ata, por edhe duhet thënë se kaq vjet në politikë edhe për vete kanë përfituar jo pak. Ta gëzojnë pensionit e deputetit, të majmëm, dhe ta rimarrin jetën me optimizëm sepse vend për angazhime për ta ka gjithmonë.

***
Pse në anën e majtë pati më pak pakënaqësi të shprehura sesa në anën e djathtë?
Duhet thënë se në anën e majtë pati edhe atje pakënaqësi. U shprehën në forma të tërthorta dhe nën dhé, disi të kamufluara. Kurse në anën e djathtë krahas atyre që nuk u ndjenë sepse e kuptuan se për çfarë bëhej fjalë, disa kërcyen dhe reaguan fort.
Në të majtë, reagimet ishin më të zbehta ndonëse pakënaqësitë dhe mllefet po aq të mëdha. Pse?
Së pari, sepse te e majta, nxjerrja e të tjerëve nga jeta politike nëpërmjet vendimit të liderit është një lloj tradite disadekadashe dhe shpesh edhe tragjike. Autoritarizmi i shefit është kulturalisht më i rrënjosur. Së dyti sepse Edi Rama atje nuk është një shef i ri, që ende nuk e ka vendosur pushtetin e tij në mënyrë të konsoliduar. Atje ai i ka aktualisht të gjitha fuqitë. Pra, vështirë se mund të kundërshtohej. E treta, sepse edhe mosha e disa deputetëve të pa rikandiduar në të majtë ishte pak më e madhe sesa ajo e të pa rikandiduarve në të djathtë. Pra, faktori demografik luan një rol. E katërta, sepse partia socialiste është aktualisht në pushtet dhe një kryetar partie kryeministër mund të kundërshtohet më me vështirësi sesa dikush që nuk është i tillë. Së pesti sepse një kryeministër është në gjendje t’u propozojë të pa rikandiduarve poste të tjera, kurse një lider në opozitë nuk është në gjendje ta bëjë këtë. Së gjashti, sepse deputetët e pa rikandiduar në partinë socialiste nuk ishin kundërshtarë të Edi Ramës, kurse një pjesë e të pa rikandiduarve në të djathtë kishin shfaqur opozitë ndaj kryetarit të partisë së tyre. Dhe së shtati, sepse në partinë demokratike ka edhe një kryetar moral historik ku të pakënaqurit kanë iluzionin se mund të ankohen për kryetarin de facto, kurse në partinë socialiste nuk mund t’i qahesh më Fatos Nanos, sepse nuk ka asnjë gjurmë të kryetarëve madje as edhe të nënkryetarëve të vjetër.
Ja pra, se përse nuk ka ndonjë ndryshim parimor mes asaj që ndodh djathtas apo majtas, por ka specifika konjukturale.

***
Pse këto spastrime në të dy krahët?
Përtej anëve subjektive dhe personale, ka arsye shumë të thella të natyrave të ndryshme.
E para, pas 25 vjetësh, është mbyllur cikli moshor i një brezi që e nisi karrierën politike para dy dekadave e gjysmë. Kanë mbërritur te të gjashtëdhjetat dhe më shumë. Por, nuk është mosha kryesorja sepse deputetë me të tillë moshë kudo është një dukuri normale. Puna është se me nga katër, pesë, gjashtë mandate, deputeti nis dhe krijon rutinë në sytë e publikut. Gjithçka duket e vjetër dhe pa asnjë shenjë rinovimi. E kam thënë edhe më parë, një hidraulik ose murator, bojaxhi ose rregullues biçikletash mund të jetë i tillë gjithë jetën. Kurse deputetlliku nuk është profesion. Kur një deputet qëndron pa fund në karrige, kaq mjafton për të kuptuar se kemi një simptomë të kalbëzimit të pjesëmarrjes qytetare në jetën politike. Kjo është kriza e kalbëzimit të republikës së vjetër.
Pastaj edhe në sytë edhe në marrëdhënie me publikun e jashtëm. Partnerët tanë ndryshojnë si individë në Europë apo edhe në vende të marrë veçmas, kurse para tyre shfaqen të njëjtat fytyra nga ne prej njëzet vjetësh.
Duhet thënë se liderët e dy krahëve e kanë ndjerë se edhe në sytë e opinionit publik shqiptar imazhi Kuvendit është në fund të këmbëve. Kush dëshiron statistika, i kemi. Mosbesimi te jeta politike dhe te institucionet është një nga simptomat më të rënda të kalbëzimit tonë institucional që ka shkuar deri atje sa shqiptarët të ikin nga sytë këmbët prej atdheut të tyre. Nihilizimi ka mbytur rininë shqiptare. Para kësaj gjendjeje që dëshmon se qytetari i ka braktisur institucionet, ka vetëm një rrugë, reforma institucionale dhe rinovim i fytyrave përfaqësuese.
Liderët politikë e dinë këtë si buka me djathë që hanë!
Po vjen Vetting-u. Partitë kryesore politike e dinë se mund të ndodhen përpara vështirësish që mund t’i çojnë drejt koalicioneve të përkohshme, me dashjen ose pa dashjen e tyre. Liderët partiakë, si Basha ashtu edhe Rama, e kanë të domosdoshme t’i kenë duart e lira nga mekanizma frenues në partitë e tyre. Secilit prej tyre, në çastin e fundit, mund t’u dilnin kundërshtarë që t’i pengonin në atë që ata e përjetojnë si reformë. Ishte momenti duket që të krijonin duart e lira. Po ashtu në një koalicion të mundshëm, si në qeverinë e sotme kukull, për cdo parti ka të lira vetëm gjysmat e vendeve në krahasim me një qeverisje monopartiake. Kështu liderët lehtësojnë anijet e tyre nga pretendentë më të populluar sesa duhet në rast të një kompromisi që mund ta bëjë të detyrueshëm elektorati. Dhe me bërjen e Ilir Metës president, asnjëra nga partitë tanimë nuk mund ta bëjë më qeverinë e koalicionit me partinë e presidentit, pra LSI, por me një tjetër parti. Këtë Ilir Meta e ka kuptuar më së miri dhe prandaj flet për të dalë forcë e parë. O e para, ose jashtë qeverisjes!
Pyetja shtrohet: Pse këta që nuk u rikandiduan e kanë fajin për degjenerimin total të Republikës së Vjetër?
Jo vetëm ata, por edhe ata. Edha ata që i hoqën ata kanë të njëjtën përgjegjësi, duhet thënë, për të qenë i ndershëm.
Por politika nuk është orë leksioni ose plan urbanistik i arsyetuar nga strategë që nisen nga kritere logjike ose parametra koherente, sikurse kërkon ndokush. Shkenca dhe politika nuk kanë aq gjëra të përbashkëta. Në politikë ka raport forcash. Po të kishte pushtetin partiak ta zëmë ndonjë zonjë do ta hiqte Lulzim Bashën, e ka Lulzim Basha dhe heq të tjerët. Në kushtet kur dikush duhet të iki. Të gjithë nuk mund të ikin sepse jeta politike e një kombi nuk mund të nisi nga zeroja absolute. Fatos Nanua do të hiqte Edi Ramën, Edi Rama heq të tjerët. kjo është politika. Raport forcash jo vendosje kriteresh logjike!
Po mirë, thonë të pakënaqurit : Pse nuk u zbatuan normat e partisë? Sepse sa herë që ata që hiqen janë më të fuqishëm në çastin e dhënë dhe më të shumtë në numër sesa ata që duan t’i heqin, asnjëherë nuk mund të zbatohen këto rregulla. Degjenerimi i partive shqiptare ka arritur në atë pikë sa çdo zbatim i normave institucionale brendapartiake nuk sjell veçse riprodhimin e të njëjtëve, pra të kalbëzimit. Nuk thoshte Maoja : Të sulmojmë shtabet! Edhe majtas edhe djathtas janë sulmuar shtabet dhe kjo nuk bëhet me zbatim normash. Fatkeqësisht!

***
Ku gabuan të pakënaqurit e partisë demokratike që nuk u rikandiduan nga Lulzim Basha?
Ata mbetën pas nga jeta dhe dinamika politike, u shkëputën nga elektorati, nuk u ndodhën atje ku ziente kazani politik dhe nuk përqafuan idetë e reja ose nga inati, ose nga zilia, ose ngaqë i panë si rrezik për veten e tyre.
E para, ata hoqën dorë nga postet zyrtare pasi humbën zgjedhjet në 2013, por morën sidoqoftë nga një vend deputeti. Sot në Shqipëri, paradoksalisht, është më luksoze të jesh në opozitë sesa në pushtet, ta zëmë ministër. Në opozitë kritikon dhe qëndron qetë. Kjo i futi në kurth. Nuk bënë autokritikën para elektoratit të djathtë, por u zhytën në një limonti institucionale që i bëri të humbnin bazën e partisë dhe të elektoratit të tyre. Shihini sot. Ku ka mitingje elektorati të djathtë që të kërkojë figurat e veta përfaqësuese të përjashtuara !
E dyta, kur Lulzim Basha erdhi në krye të partisë, për një sërë rrethanash të mirëkuptuara, nuk u pajtuan me të qënurit e tij kryetar. Ata vetë nuk kanë krijuar dhe dashur legjitimimin e fraksioneve. Pra, jetonin dhe ishin mësuar, e kishin bekuar atë kulturë ku kryetari nuk bashkëjeton dot me kundërshtarët e tij. Njeri do të thyhej. Njëra nga vezët do të thyhej, thoshte në gjyq Beqir Balluku në 1975 :). Aq më keq që në rivalitet me Lulzim Bashën, si edhe për të mbrojtur veten dhe ndonjë interes financiar, lanë përshtypjen se ndokush prej tyre kishte nisur të flirtonte politikisht edhe me Edi Ramën. Ndoshta jo, por sa herë kundërshtonin projektet e Lulzim Bashës, objektivisht Edi Rama nuk mund të mos fërkonte duart poshtë tavolinës. Kur Rama bëri kompromisin me Bashën nuk kishte më interes për kundërshtarët e Bashës në partinë demokratike, ndaj vlera dhe potenciali i tyre ra.
E treta, erdhi çadra, dhe nëntëdhjetë ditët e ligjërimit të Lulzim Bashës për republikën e re. Një pjesë e mirë jo që nuk u angazhuan, por edhe kurrë nuk artikuluan ndonjë fjalë se republika e vjetër, ajo e tyrja, ishte degjeneruar, dhe nuk përkrahën frymëzimin për ndryshimin institucional. Nuk e kuptuan. Dukej se retorika për republikën e re shihej prej tyre si armiqësore, në kundërshtim me interesat e tyre personale, dhe madje shihej edhe si një përpjekje e Lulzim Bashës për t’u bërë nga kryetar në lider i partisë. Koha i la prapa. Nuk kuptuan se elektorati ka zët, ka neveri, ndaj institucioneve të vjetra pavarësisht qëllimeve personale që do të shpalosi Lulzim Basha dhe që do t’i ndjekim hap pas hapi për të parë se çfarë do të bëjë më tej.
E katërta, lëshimet e Edi Ramës në kërkesat e Lulzim Bashës për krijimin e një qeverie me ministra të propozuar nga opozita i zunë krejt të papërgatitur. E votuan qeverinë, por nuk kuptuan se marrëveshja e botuar përfshinte një horizont shumë më të gjerë politik sesa një qeveri pothuajse inerte dhe e tredhur. Pa funksione politike. Është një test paraprak sesi mund të bashkëjetojnë qoftë përkohësisht dy partitë politike në një qeveri koalicioni nëse elektorati nuk jep zgjidhje tjetër. Dhe kur Lulzim Basha nuk i kandidoi, reagimi ishte krejt i gabuar. Dy prej deputetëve të revoltuar kërkuan “kryengritje në anije”, kurse të tjerët i braktisën, sepse e kuptuan që ishte një përçapje e kotë. Më kot presin që Lulzim Basha të dështojë që t’i bëjnë gjyqin në parti. E para sepse ka shumë mundësi që zgjedhjet t’i fitojë njëkohësisht edhe Rama edhe Basha (por për këtë do të sqarohemi më vonë), por edhe se nëse Basha shpallet humbës, ai do të ketë në parti dhe në shtabet drejtuese e elektorat aq përkrahës sa të ruajë pozitën e fortë.
Ndërkaq reagimi për respektin e normave në parti “pas pilafit”, pra pasi morën vesh që nuk ishin në listat e të kandiduarve, e bëri krejt nul, pa shije, dhe pa përkrahje morale, kryengritjen që nuk zgjati veçse disa orë. Mesazhi që mori elektorati ishte edhe më zhgënjyes: Këta kujtohen për normat demokratike dhe rregullat e brendshme të partisë vetëm kur u shkelet interesi i tyre personal! Ku ishin më parë? Përse s’i trokitën natën në derën e zyrës kryetarit për t’i thënë: Çfarë po bën?

***
Gjithsesi unë nuk dua të mendoj se karriera e tyre politike është mbyllur. Unë i vlerësoj dhe sinqerisht i respektoj fort madje kam simpati për ta. Si majtas ashtu edhe djathtas, të pakënaqurit e pakandiduar, kanë ende potenciale dhe energji pozitive nëse dinë t’i kanalizojnë ato. Por, kohën pas të mos na kërkojnë ta kthejnë se do të bëjnë gabim. Të rivalizojnë Ramën dhe Bashën nëse kanë këllqe duke përqafuar idenë e republikës të re, që nuk është thjesht një metaforë ose teke e shpikur në një sekondë ndriçimi e Lulzim Bashës. Do t’i përkrahim!
Kohët kanë ndryshuar. As të mos krahasohen me rolin dhe kontributin e doktor Berishës, e të pyesin të habitur se përse nuk trajtohen njësoj si ai, sepse nuk mund të maten me të. Po, politika zbaton kritere të ndryshme për persona të ndryshëm. Nuk është si logjika e triskave ushqimore në kohën e qepës, të gjithë nga një vezë, pak djathë shëllirë dhe pluhur qumësht. Por, kjo është një çështje më vete që nuk po e trajtoj këtu.
Ndërkaq, ideja e republikës së re, ndryshe nga çfarë fyelli i bien borizanët e gërnetave të ndryshkura, shitur me copë ose me kile në magazinat popullore të shekullit të kaluar, e ka kohën përpara. Ose republikë e re, ose kalbëzim i rrangallës së vjetër që po prodhon skandale dhe dështime të turpshme sa na ka bërë me turp faqe botës.

Se 2017, do të ketë:

ngjarjen X1, shumë të rëndësishme.
Pastaj ngjarjen X2 që do të jetë befasuese.
Më pas ngjarjen X3 që pritet të ndodhi prej muajsh,
kurse 2018 do të ketë dy ngjarje të bujshme kur gjithçka nis nga e para.
X4
X5.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY