DËSHMITË/ “Si na mashtroi gruaja e ish-futbollistit Indrit Fortuzi”

DËSHMITË/ “Si na mashtroi gruaja e ish-futbollistit Indrit Fortuzi”

90
0
Shares

Zbardhen dëshmitë e dy personave që kallëzuan për “mashtrim” Junida Fortuzin, bashkëshorten e ish-futbollistit të njohur të “Tiranës” dhe Kombëtares, Indrit Fortuzi.
Para Gjykatës së Tiranës, kallëzuesit Xh. Ç., dhe A. S., kanë pohuar se në dhjetor 2015 kanë blerë bileta udhëtimi me vlerë 1160 euro dhe 175 euro tek agjencia e saj, bileta që kanë rezultuar të pavlefshme.
Bazuar në dëshmitë e tyre dhe në prova të tjera, më 3 maj 2017, Gjykata e Tiranës shpalli fajtore të pandehurën Fortuzi dhe e dënoi në mungesë me 3 vjet e 6 muaj burg. Dëshmitë janë pjesë e vendimit të arsyetuar të Gjykatës, i zbardhur dje, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”.
Gjatë gjykimit, përmes avokatit të saj mbrojtës, e pandehura Fortuzi kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk kishte kryer asnjë vepër penale. Për rastin e kallëzuesit Xh. Ç., avokati ka pretenduar se ai vetëm ka bërë rezervimin e biletës në agjencinë e të pandehurës, ku nuk ka bërë pagesë dhe se prenotimin e ka bërë në një vend tjetër.
Për rastin e kallëzuesit A. S., mbrojtësi ka pretenduar se e pandehura e ka kryer rezervimin e biletës, por nuk ka arritur të kryejë prenotimin e saj, gjë e cila ka sjellë anulimin e biletës jo nga e pandehura Junida Fortuzi, por nga vetë shoqëria e udhëtimit. Vendimi ndaj Fortuzit është ankimuar në Apel edhe nga Prokuroria dhe nga e pandehura.

Mashtrimi 1160 euro
Para Gjykatës, dëshmitari Xh. Ç., ka pohuar se nuk kishte qenë rastësi blerja e biletave të udhëtimit në agjencinë e të pandehurës Fortuzi. Ai ka pohuar se kishte blerë bileta disa herë të tjera dhe agjencia kishte qenë korrekte.
“Kam vajtur për të prerë 4 bileta për në Gjermani për në datë 30 dhjetor 2015, të cilat i kam prerë më 4 tetor. Pashë në faqen e Facebook një koment për Junidën, se kishte mashtruar dikë dhe thashë të shkoja në agjenci. Atje më thanë shko në Rinas për të parë se biletat ishin false apo jo. Shkova aty dhe ai zotëria më tha se biletat ishin false. Një police më tha shko bëj denoncimin. Në datë 19 nëntor kam shkuar dhe kam bërë denoncimin e më thanë se do të të njoftojmë ne. Kam shkuar tek agjencia dhe ata të hotelit më thanë se ka një javë që ka ikur, për Junidën. Unë kam kontaktuar me Junidën e ka qenë dhe burri i saj, Indrit Fortuzi. Biletat ishin prerë te shoqëria ‘A… Airlines’”, ka treguar ai.
Dëshmitari ka theksuar se ka mundur të kontaktojë me të pandehurën pasi ka konstatuar këtë fakt. “Tentova që të komunikoja me Junidën në ‘Viber’ dhe dilte on-line në 30 tetor. I shkruajta disa ditë më pas që të më gjente disa vende në avion dhe më tha pa merak se do të shikoj unë. Komunikimi ka qenë para datës 30 tetor 2015. Vlera ka qenë 1160 euro për katër bileta. Kam prerë disa herë bileta tek Junida dhe më ka dalë korrekte para këtij rasti. Kur i bleva biletat, Junida m’i futi në zarf. Ajo nuk më dha as kupon, as mandat. Nga besimi i tepërt e pranova këtë fakt”.

Mashtrimi 175 euro
Dëshmitari A. S., profesor në një prej fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në deklarimet e tij para Gjykatës, ka shpjeguar se kishte blerë një biletë udhëtimi tek agjencia e të pandehurës Fortuzi, për të shkuar në një aktivitet sportiv në Itali.
“Biletat janë prerë një muaj e ca para aktivitetit. Kur shkova atje, ishte një burrë dhe një grua mbi 30 vjeç. Kjo gruaja ishte në kompjuter dhe për biletën pagova 175 euro. I thashë po ndonjë letër dhe ajo më printoi një format A4 ku ishte data dhe të dhënat për fluturimin. Kur erdhi dita për të udhëtuar në Itali, profesorët ishin nisur më përpara dhe kur arrita dhe unë, ai i agjencisë ‘A…’ më tha se nuk ke biletë. Kur pa të dhënat e letrës A4, më tha se është bërë një prenotim në emrin tënd, por është fshirë të nesërmen”, ka rrëfyer ai.
Më tej, profesori ka treguar se kur është kthyer në Tiranë, ka shkuar tek agjencia, kur një pastruese i ka thënë se e kishin mbyllur agjencinë prej një jave e gjysmë.

Arsyetimi i Gjykatës
Sipas Gjykatës, qëllimi i të pandehurës për të përfituar të hollat, për rastin e shtetasve Xh. Ç., dhe A. S., del qartë nga mekanizmi i kryerjes se veprës penale. E pandehura, nëpërmjet gënjeshtrës, rezultoi e provuar që me veprime aktive ka paraqitur rrethana të rreme, duke u dorëzuar të dëmtuarve vërtetimin e prenotimit të biletave, ndërkohë që nuk kishte bërë pagesat e tyre.
Të dëmtuarit, nisur nga bindja se biletat ishin rezervuar dhe pagesat për to ishin kryer, janë paraqitur në aeroport për të udhëtuar në destinacion, por atje kanë mësuar se në emër të tyre nuk rezultonte të ishin rezervuar bileta të vlefshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY