BLENDI FEVZIU/ Çfarë tregon lista e Bashës?

BLENDI FEVZIU/ Çfarë tregon lista e Bashës?

102
0
Shares

Lulzim Basha ka publikuar dje, në limitet e fundit ligjorë, listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Hermetizmi që shoqëroi listën mund të shpjegohet vetëm me përmbajtjen e saj dhe faktin që në këto 27 vjet, ky është spastrimi më drastik pas atij të vitit 1992 brenda partisë. Nuk ka asnjë dyshim që lista ishte surprizë, si edhe procedura e hartimit të saj. Nëse i hedh asaj një sy, mund të vësh re disa gjëra.
E para, lista i jep fund një epoke të partisë demokratike, thuajse 25 vjeçare. Në listën e hartuar nga Basha nuk janë as themeluesit e PD, Imami, Selami, apo Ruli (ky i fundit u tërhoq vetë); as brezi i dytë që konsolidoi opozitën e PD në vitet 1997 – 2005 si Jozefina Topalli, Ridvan Bode apo Astrit Patozi; dhe as disa nga të ardhurit më të spikatur të vitit 2005 dhe të qeverisjes së PD si Majlinda Bregu apo Myqerem Tafaj. Një kritër i vetëm nuk i klasifikon dot të gjithë, sepse biografia, sjellja politike apo angazhimet e tyre janë shumë të ndryshme dhe dallojnë nga njëri tjetrit. Ajo që i bashkon është të mos qenit pjesë e PD që Basha ndërtoi në këto vite dhe as pjesë e të besuarve të tij. Basha e deklaroi vetë pas publikimit të listave, se ai është mbështetur tek ata që besojnë republiën e re, duke lënë të kuptohet se kriter ka qenë qëndrimi në 90 ditët e protestës dhe jo karriera politike, historia në parti apo opozita parlamentare. Këtë qëndrim ai e kishte paralajmëruar edhe gjatë një fjalimi në cadër, kur deklaroi se protesta në bulevard kishte qenë më e suksesshme se sa opozita parlamentare 3 vjecare. Basha ka nisur ndërtimin e një partie të re, që sot. Me listat, ai ka bërë edhe ndarjen zyrtare me partinë e drejtuar, në të mirë e në të keq nga Sali Berisha.
Nuk ka asnjë dyshim që lista e tij do hap debat të madh. Ndër emrat e djegur, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, por edhe Majlinda Bregu e Arben Imami do diskutohen gjatë. Personalisht nuk e kam preferuar kurrë Jozefina Topallin. Arroganca që manifestonte në pushtet ishte shpesh shenjë e një papjekurie dhe injorance politike. Por historia e këtyre katër viteve në opozitë ka dëshmuar se ajo ishte ndër shumë të paktat që e ka kryer si duhet detyrën e saj në Parlament, me kurajo dhe me guxim. E padyshim me koshiencë politike. Debatet e fundit për hyrjen në zgjedhje, ishin gjithnjë në funksion të idesë për një PD më të fortë. Po kështu edhe Patozi që ka pasur fjalime mjaft të rëndësishme opozitare. Natyrisht edhe Imami, personi i parë që ju deklaroi shqiptarëve që po krijohej një Parti Opozitare natën e 11 Dhjetorit 1990, por pse jo edhe Bregu që me gjithë diskutimet për qëndrimet e fundit, ka krijuar një figurë të rëndësishme politike dhe me ndikim publik.
Por kjo ka qenë zgjedhja e Bashës, dhe padyshim që është edhe përgjegjësia e tij.
E dyta, është cështja e emrave të rinj që janë përfshirë në listë dhe që pritet të zëvendësojnë në betejën parlamentare figurat e PD që kishin një eksperiencë 20 vjecare atje. Kjo listë po aq sa për largimet, do debatohet edhe për prurjet e reja. Eshtë herët te diskutohen emrat e rinj, që ende nuk janë vënë në prove. Ajo që bie në sy është rikthimi i Tritan Shehut dhe i Prec Zogajt, që figurojnë, së bashku me Dash Shehin ndër figurat themeluese të PD. Por debati do të jenë emrat e rinj. A do jenë ato një histori suksesi apo një dështim, pritet për t’u vërtetuar. Ky është basti i Bashës dhe koha do ta tregojë.
E treta, është mënyra se si listat u hartuan. Basha duhej të kishte mbledhur kryesinë dhe ta bënte atë publike. Edhe pse për shumë vetë ky është thjeshtë një formalitet, është një zbatim i rregullave në parti dhe i statutit të saj. Bjerrja e rregullave dhe shkelja e parimeve, janë hapi i parë që rrënon demokracinë brenda një partie.
Pavarësisht këtyre, Basha ka hedhur ekipin e tij në betejë dhe nuk ka shumë kohë për të vërtetuar nëse zgjedhja e ti ka qenë e qëlluar apo jo. Ai do të matet në zgjedhjet e 25 Qershorit dhe atë ditë, ne do themi, nëse kjo që mbylli dje në mesnatë qe një gabim, apo një zgjedhje e duhur!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY