IframeDeri dje ishte oborr shkolle, aty ku rreshtoheshin fëmijët para se të hynin në mësim. Por në vend të oborrit të shkollës janë vendosur llamarinat e rrethimit të një ndërtimi. Shkolla ka mbetur si një ishull, ku në një rrugicë të ngushtë duhet të hyjnë e të dalin rreth 600 nxënës të kësaj shkolle 9-vjeçare.
DurrësLajm është ndalur në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, ku prej ditësh një hapësirë e konsiderueshme është rrethuar me llamarina dhe siç ndodh aq shpesh në Shqipëri, do të nisë të hedhë shtat një ndërtim i ri.
Të shqetësuar për rrezikun që u kërcënohet fëmijëve të tyre, prindërit e nxënësve të kësaj shkolle ngrenë zërin për ndërtimin që po bëhet ngjitur me oborrin e shkollës.
Ndërtuesi ka rrethuar vendin, aty ku deri sot kanë kaluar e luajtur fëmijët e shkollës. Në krahun tjetër gjendet rruga, ku makinat kalojnë me shpejtësi. Për shkak se rrethimi i pengon fushëpamjen nxënësve, duke vënë në rrezik jetën e tyre nga automjetet që e përshkojnë rrugën “Pavarësia” në çdo orë të ditës, prindërit i druhen aksidenteve rrugore.
Mëngjesin e sotëm prindërit e nxënësve i kanë bërë apel bashkisë së Durrësit e Drejtorisë Arsimore Rajonale të marrë masa konkrete, për t’i dhënë zgjidhje problemit.
Në prononcimet e tyre për DurrësLajm, prindërit dhe gjyshërit kanë shprehur shqetësimin e tyre.
Reagimi i bashkisë Durrës
Ndërtimi ngjitur me shkollën “Bajram Curri” duket disi i “çuditshëm”, sepse me gjithë katrahurën urbane që është bërë në 20 vitet e fundit në Durrës, deri tani nuk ishin prekur oborret e shkollave.
Vërtet disa prej shkollave 9-vjeçare të qytetit bregdetar janë rrethuar nga godinat shumëkatëshe, por oborri dhe rruga e kalimit të nxënësve për në shkollë kanë mbetur të pacënuara, të paktën deri tani…
DurrësLajm u interesua pranë bashkisë Durrës për të marrë informacion lidhur me ndërtimin në fjalë, lejen e sheshit dhe atë ndërtimit.
Në një komunikim me drejtorin e Urbanistikës pranë bashkisë Durrës, Adhurim Qehajaj, ky i fundit sqaroi se “në vitin 2013, subjekti ndërtues që ka rrethuar hapësirën ngjitur me shkollën “Bajram Curri” është pajisur me leje ndërtimi për një objekt 3-katësh. Lejen e ndërtimit e ka ripërtërirë në muajin prill të vitit 2017. Ish-godina ekzistuese ka qenë me llamarina dhe e amortizuar. Subjekti që kishte në pronësi aplikoi për leje ndërtimi që e mori në vitin 2013, por vetëm këtë vit vendosi të kryente investimin” tha Qehajaj.
Ajo që duket edhe më absurde dhe që pranohet edhe nga vetë Qehajaj, është se “subjekti ndërtues ka rrethuar më shumë se 100 metra katrorë, konkretisht 7 metra x12 metra, në truall me pronësi private”.
Rrethimi i zonës është bërë më i madh nga sipërfaqja e ndërtimit me qëllim që subjekti ndërtues të sistemojë të gjithë zonën duke e shtruar dhe rikthyer në gjendjen e mëparshme.
“Ndërtuesit i është lënë detyrë që të shtrojë edhe trotuarin dhe sipërfaqjen përreth ndërtimit të tij, në kuadër të të gjithë punimeve që po kryhen në atë zonë” tha Qehajaj për DurrësLajm.
Pra subjekti nuk ka rrethuar vetëm hapësirën që ka në pronësi, por më shumë metra katrorë sesa ndërtimi, gjë që kufizon edhe më tepër hapësirat në dispozicion të 600 nxënësve të shkollës.
Në Durrës, në këto vite tranzicion, jo pak është abuzuar me sipërfaqet e ndërtimit, e njihen shumë raste, kur firmat kanë abuzuar me metrat katrorë, duke “rrëmbyer” edhe metra të tjerë, plus atyre për të cilat kanë marrë lejen e ndërtimit.
Bashkia nuk bën transparencën e lejes së ndërtimit
Shpresojmë që bashkia e angazhuar për të arritur rezultat maksimal në zgjedhjet e 25 qershorit dhe në mbarimin e dy projekteve të rëndësishme si Veliera dhe projekti rehabilitues në zonën e plazhit, të tregojë kujdes për të evituar “gllabërimin” e të tjerë metrave katrorë. Nëse kjo do të ndodhte, të humburit do të ishin nxënësit e shkollës.
Megjithë insistimin e DurrësLajm, drejtori i Urbanistikës nuk na vuri në dispozicion lejen e ndërtimit, që bashkia ka miratuar në vitin 2013. DurrësLajm iu drejtua sot me një shkresë zyrtare kësaj drejtorie dhe në ditët në vijim presim të na vihet në dispozion leja e miratuar 4 vite më parë, për të bërë në këtë mënyrë transparencë publike për këtë ndërtim që “mbin” në oborr të shkollës.
Rast i ngjashëm
Vetëm një muaj pasi kishte marrë zyrtarisht pushtetin qeveria Rama, (në tetor 2013) u shemb me shpërthim të telekomanduar ndërtesa 5-katëshe, e ngritur në oborrin e Fakultetit Ekonomik në Tiranë. Shembja e ndërtesës që ishte pajisur me leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës në atë kohë u propagandua nga vetë kryeministri si një aksion kombëtar për të shembur ndërtimet abuzive dhe për të frenuar ndërtimet pa leje, të ngritura anekënd vendit. Në rastin e Durrësit, nuk bëhet fjalë për një Fakultet, por për një shkollë 9-vjeçare, dhe jo një godinë të atyre përmasave, por pak më të vogël. Gjithsesi duket se edhe Rilindja vepron me dy standarde…
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/