Detaje të tjera zbardhen nga ngjarja e djeshme në Elbasan, kur në lokalin e Besnik Brakës, 52 vjeç, i njohur ndryshe edhe me emrin Nik Vojaçek u gjet një pako tritoli.
Ngjarja është denoncuar nga vetë pronari i lokalit, i cili rezulton se është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Bëhet fjalë për Besnik Brakën, 52 vjeç, i njohur ndryshe edhe me emrin Nik Vojaçek.
Dëshmia dhe hetimet
Gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin e Policisë Elbasan, Braka ka deklaruar se nuk ka pasur debate apo sherr me ndonjë person, tek i cili dyshon për vendosjen e tritolit.
Por, pavarësisht kësaj dëshmie nisur edhe nga precedenti penal i 52-vjeçarit, policia po heton mbi zbulimin e autorëve që mund të kenë konflikt me Brakën, i cili prej tri vitesh merret me menaxhimin e lokalit me muzikë live, raporton “Panorama”.
Sakaq, policia ka sekuestruar edhe kamerat e lokaleve përreth zonës ku edhe ka kaluar autori, i cili ka hedhur pakon dhe po punon për identifikimin e tij. Edhe pse policia ende nuk ka një dyshim të saktë, ajo pohon se “pakoja mund të jetë hedhur në adresë të pronarit, i cili disa vite më parë ka qenë i dënuar për veprat penale trafikim armësh dhe municionesh”, “prodhim e shitje narkotikësh” dhe “prodhimit dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Shoqërohen disa persona
Lidhur me ngjarjen e ndodhur në dalje të qytetit, pranë “Varrezave të Dëshmorëve”, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 20 persona, mes të cilëve edhe pronarin e lokalit.
Nga policia mësohet se mëngjesin e së hënës në sallën operative të Policisë së Elbasanit është lajmëruar nga vetë Braka se në shkallët e lokalit të tij ndodhej një pako e dyshimtë, e cila ishte e mbështjellë me izolant dhe nga pamja e parë dukej se ishte eksploziv.
52-vjeçari pasi ka konstatuar pakon nuk e ka prekur atë, por menjëherë ka lajmëruar policinë. Kjo e fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur evakuimin e personave në këtë rrugë, si edhe ndalimin e qarkullimit të mjeteve, duke vendosur edhe perimetrin e sigurisë. Nga kjo situatë është krijuar dhe panik te qytetarët, të cilët nuk po kuptonin se për çfarë bëhej fjalë.
Më pas, policia ka njoftuar forcat antieksploziv të RENEA-s në Tiranë për të bërë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse. Vetëm rreth një orë e 30 minuta më pas forcat antieksploziv kanë çaktivizuar lëndën plasëse, si dhe kanë konstatuar se ajo ishte eksploziv me një peshë prej rreth 150 gramësh. Edhe pse sipas Policisë lënda nuk ka qenë e aktivizuar dhe jashtë funksionit, dyshohet se është hedhur si shenjë presioni ndaj pronarit të lokalit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/