Mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për shqiptarët. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë.
Fermerët shqiptarë penalizohen me gati 100 milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat në BE.
Alban Zusi, sot biznesmen në sektorin e agropërpunimit dhe më herët ka qenë zëvendësministër i Bujqësisë me fokus edhe sigurinë ushqimore, thotë se siguria ushqimore e vendit është thuajse e zbuluar nga ana institucionale dhe momentalisht është vetëm në ndërgjegjen e bizneseve. Nga ana tjetër, janë shumë institucione që monitorojnë sigurinë, nuk kanë bashkërendim, burime njerëzore dhe kapacitete të mjaftueshme monetare për të përballuar kontrollet dhe monitorimin e cilësisë së ushqimit.
Hysni Gurra, inxhinier agrar, ekspert i fushës tha se “ne duhet të kuptojmë rrezikun sesi funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësorë si: obeziteti, diabeti, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, infertiliteti dhe çrregullime të tjera seksuale. Të gjitha këto nuk të vrasin në një ditë, por është e sigurt që të vrasin”.
Sipas të dhënave nga QSUT, Shërbimi i Infektologjisë menaxhon mesatarisht 20 000 raste në vit, prej të cilave 18 mijë raste janë urgjenca. Kryesisht rastet e urgjencës paraqesin helmime nga ushqimet. Burimet nga QSUT pranojnë se rastet kur pacientët helmohen nga konsumi i ushqimeve janë rritur, për shkak të tendencës për të konsumuar vakte jashtë shtëpisë.
Këto të dhëna reflektojnë pasojat afatshkurtra të pasigurisë ushqimore, por në afate më të gjata, situata lajmërohet dramatike.
Ministria e Shëndetësisë pohon si shkaktare të sëmundshmërisë në masën 70% dietën ushqimore. Prevalenca e kancerit në dekadën e fundit është rritur me 70%, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.
Profesor Kristaq Sinaj, pedagog i Bioteknologjisë, tha se nga të dhënat e literaturës shkencore referohet se vetëm rreth 5% e sëmundjeve kanceroze kanë origjinë gjenetike. Ai shpjegon se pjesa dërmuese e sëmundjeve kanceroze nuk janë të trashëguara, por shfaqen gjatë jetës së njeriut nga kontakti i tij me mjedisin e jashtëm. Ai shtoi se, problematika me kancerin e gjirit, prostatës, kancerit vaginal, kancerit të zorrës së trashë, stomakut, mëlçisë, pankreasit, etj., lidhet më së shumti me konsumin e produkteve ushqimore të trajtuara me hormone dhe pesticide.
Fatura më e rëndë nga mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore lidhet me të drejtën për të jetuar që është e drejta më bazike, por nuk është e vetmja. Ekonomia e vendit po dëmtohet rëndë nga ky fakt. Bllokimi i eksporteve për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë ushqimore po penalizon bujqit shqiptarë, mesë paku 100 milionë euro në vit të ardhura nga eksportet. Alban Zusi pohon se pavarësisht se në Shqipëri ka ferma serioze blegtorale që respektojnë standardet e sigurisë, ato janë të penalizuara në eksport, pasi prodhimet shqiptare nuk ofrojnë siguri ose më e pakta nuk e vërtetojnë dot sigurinë që ofrojnë.
Mungesa e standardeve në sigurinë ushqimore krijon edhe një deformim të thellë në konkurrencën e ndershme, pasi produktet e manipuluara dalin në treg me kosto më të ulët, duke konkurruar në mënyrë jo të ndershme edhe në bizneset serioze.monitor.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/