INTERVISTA/ Çmimi Kadare, dhe tradita e munguar e vlerësimeve letrare

INTERVISTA/ Çmimi Kadare, dhe tradita e munguar e vlerësimeve letrare

188
0
Shares

Alda Bardhyli

“Është e trishtë të shohësh që ne nuk kemi asnjë çmim letrar të trashëguar në vite, një çmim të ishte jashtë kontekstit të politikës, por si një markë e cila për vite me radhë i kishte dhënë jetë një ideje”, thotë kryeredaktorja e revistës letrare “Saras”, Alda Bardhyli në një bisedë për çmimet e letrave. Ajo thotë se krijimi i institucioneve të vlerësimit është një sfidë, e cila gjithnjë ka ndihmuar në emancipimin e shoqërisë, apo strukturave të ndryshme të mendimit. Nëse i referohemi historisë së çmimeve letrare në botë, nuk mund të mohojmë rëndësinë që ato kanë pasur në zhvillimin e etapave të ndryshme letrare, apo krijimin e profileve të shkrimtarëve të njohur. “Man Booker” apo “Nobel Prize” vijojnë të mbeten dy nga institucionet më të rëndësishme të vlerësimit përsa u përket letrave në botë.

Pse ka munguar një traditë e çmimeve letrare në Shqipëri? A është një çmim matës për të shkuar tek vepra e mirë?
Historia e letërsisë nuk mund të studiohet pa kontekstin historik në të cilin ajo është zhvilluar. Nuk duhet të harrojmë kushtet në të cilat letërsia dhe artet u zhvilluan gjatë soc-realizmit. Si të gjitha diktaturat, ajo u përpoq që t’i përdorte artet sidomos letërsinë për të përcjellë indoktrinimin e saj te masat. Por dhe në kushte të tilla etniciteti i letrave shqipe është i jashtëzakonshëm për t’ia dalë. Fakti që veprat të një shkrimtari si Ismail Kadare të shkruara më së shumti në atë periudhë kanë arritur të vlerësohen me çmime ndërkombëtare, rasti i fundit është ai i librit ‘Kamarja e Turpit’ botuar fillimisht më 1978, dhe kandidat për një çmim të rëndësishëm në shekullin e XXI, tregon krijimin e një harte të një kulture universale në kushtet e një prej sistemeve më të egra komuniste në të gjitha vendet që e jetuan atë. Sigurisht Kadare ka mundur të dalë përtej kontureve të censurës duke paraqitur një botë shtrati i së cilës vinte nga traditat e familjes. Gjithsesi, ai nuk mbështetet në nuancat lokale vetëm për hir të tyre dhe cilësia rapsodike e veprave të tij duhet parë në kontekstin bashkëkohor. Etniciteti ekziston së bashku me diçka shumë më moderne, domethënëse dhe të turbullt në një auditor bashkëkohor. Kadareja është po ashtu kronikani më i madh i jetës nën stalinizmin. Megjithëse romanet e tij diktohen nga historia e diktaturës, ato tejkalojnë historinë aktuale të lindjes së tyre, për të komunikuar me një auditor më të gjerë. Ndaj mungesa e një tradite letrare duhet parë në kontekstin ku kjo letërsi u zhvillua. Pas viteve ’90-të ka pasur nisma për çmime letrare, por kanë mbetur sporadike, duke pasur një jetëgjatësi të shkurtër. Jetëgjatësia e një çmimi tregon dhe zhvillimin e kulturës në vend, por edhe një bashkëkohësi të qytetërimit që vjen pikërisht nga mbështetja që duhet t’u japim arteve. Dhe pse kemi një traditë të mirë në poezi, ne nuk kemi sot një çmim që të mbajë emrin e një poeti të njohur shqiptar e që të akordohet çdo vit, apo një emër tjetër. Nuk kemi çmime për prozën shqipe, apo kritikën letrare. Nuk mund të mohohen disa nisma, por ato nuk kanë arritur të dalin mbi qëllimet e çastit për të cilat janë krijuar dhe të mbeten në kohë. Përsa i përket pyetjes se në është një çmim matës për një vepër të mirë, sigurisht që një çmim është një tregues mbi parametrat letrarë të një vepre.

Në fund të majit pritet të ndahet çmimi i madh ‘Kadare’. Çfarë do të thotë ky çmim për skenën letrare në vend?
Çmimi ‘Kadare’, i cili pritet t’i dorëzohet një prej veprave më të mira letrare në dorëshkrim në fund të majit, në Ditët e Razmës, një aktivitet që e kthen këtë perlë të natyrës në një klub të madh letrar, do të quaja një ngjarje të rëndësishme për letrat shqipe. Një ngjarje, e cila mbart jo vetëm rëndësinë e nevojës së identifikimit të prozës së re bashkëkohore shqipe, por dhe krijimin e një tradite të munguar për sa u përket çmimeve letrare. Institucioni i vlerësimit është një institucion që ka munguar në letrat shqipe pas viteve ’90-të. Përveç çmimeve kombëtare letrare të cilat ndahen çdo vit nga Ministria e Kulturës, (dhe këto të reduktuara vitet e fundit) çmimet e tjera në vite kanë qenë sporadike, të krijuara periodikisht dhe pa një vijueshmëri, çfarë ka bërë që pjesa më e madhe e tyre të humbin si emra në kohë. Ndërsa Çmimi ‘Kadare’ vjen ndryshe.

Pse vjen ndryshe?
Vjen si produkt i Institutit Europian ‘Pashko’ dhe entit botues UET PRESS, Botimet ‘Mapo’, i cili që me krijimin e tij ka qenë i orientuar qartë në mbështetje të letërsisë shqipe, jo vetëm të asaj të re, por edhe të traditës, duke realizuar takime, apo konferenca shkencore që kanë pasur boshtin mbi aspekte të ndryshme të letërsisë. Vetë emri që ky çmim mbart e kthen atë në një institucion të rëndësishëm besimi, për vetë aplikantët. Një emër që rrit besueshmërinë ndaj një eventi, që kam besim që do të kthehet në një nga çmimet po aq të rëndësishme në të ardhmen sa çmime si ‘The Goncourt Prize’, që jepet nga Akademia me të njëjtin emër në Francë. Por nga ana tjetër, ky çmim në një situatë letrare ku duket se nuk ndodh asgjë dhe ku sfidat e krijuesve të rinj apo dhe të atyre që kanë debutuar në skenën letrare janë kaq të vogla apo pothuajse inekzistente, vjen si një motivim i rëndësishëm. Fakti që i atribuohet një vepre letrare në dorëshkrim, e bën atë më interesant, nga ana tjetër është nxitje për shumë krijues të çojnë deri në fund krijimet e tyre, apo të shkruajnë të reja.

Sa të besueshme janë institucionet e vlerësimit në raste të tilla. A është vepra fituese shpesh e duhura që meriton këtë çmim të madh?
Krijimi i institucioneve të vlerësimit është një sfidë, e cila gjithnjë ka ndihmuar në emancipimin e shoqërisë, apo strukturave të ndryshme të mendimit. Nëse i referohemi historisë së çmimeve letrare në botë, nuk mund të mohojmë rëndësinë që ato kanë pasur në zhvillimin e etapave të ndryshme letrare, apo krijimin e profileve të shkrimtarëve të njohur. “Man Booker” apo “Nobel Prize” vijojnë të mbeten dy nga institucionet më të rëndësishme të vlerësimit për sa u përket letrave në botë. Sa herë dëgjojmë për këto çmime, ne fillojmë mendojmë menjëherë për letërsinë e mirë. Në rastin tonë do ishte mirë të inkurajonim çdo nismë që synon të ngrejë institucione të tilla vlerësimi, institucione që me shtratin ku janë ngritur të lënë të mendosh jo vetëm jetëgjatësi në krijimin e një tradite të munguar për sa u përket çmimeve letrare, por dhe takimin me një letërsi të mirë. Në rastin e Çmimit Kadare, kjo është treguar me përzgjedhjen, që juria u ka bërë dy librave të parë fitues të këtij çmimi. Rudolf Marku apo Shkëlqim Çela janë dy emra që menjëherë na lidhin me letërsinë e mirë. Në rastin e Markut kemi të bëjmë me një letërsi të konfirmuar në vite, ndërsa Çela u shfaq si një zbulim i këtij çmimi, pavarësisht viteve që në heshtje kishte punuar me prozën. Një shkrimtar bashkëkohor guxues, me një stil ndryshe komunikimi me gjuhën, që me emrin e tij si fitues u dha më shumë kurajë atyre që vazhdojnë ta mbajnë në sirtarë letërsinë që shkruajnë.

Ju drejtoni një revistë letrare. A mund të flasim sot për letërsi të mirë bashkëkohore shqipe?
Nuk mund të mohohet që vitet e fundit flitet më tepër për letërsi bashkëkohore shqipe. Duke e parë bashkëkohësinë si një formë, e cila kërkon të tregojë një trend të momentit, në një kontekst më të gjerë se të hapësirës ku kjo letërsi bëhet. Nëse vite më parë e kishim të vështirë të identifikonim emra, tashmë këtë mund ta bëjmë lehtë, ashtu si mund të zgjedhim të lexojmë libra të mirë të autorëve shqiptarë. Bashkim Shehu, Ben Blushi, Shkëlqim Çela, Ardian Vehbiu, Arb Elo, Erjon Papagjoni, Rudi Erebara, etj., e kanë çuar prozën shqipe drejt një dimensioni tjetër. Një nga motot e revistës letrare ka qenë dhe mbështetja e autorëve të rinj, duke u dhënë atyre një mundësi për të prezantuar krijimet e tyre. Saimir Muzhaka, Besian Gërmenji apo Sokol Thana vijnë si autorë me një gjuhë që shumë shpejt mund të përkthehet në vepra që i duhen kohës. Por një nga sfidat e letërsisë së re shqipe dhe e autorëve të rinj është përkthimi i tyre në gjuhë të tjera dhe përballja e tyre me një treg që i kalon hapësirat e një tregu të vogël, siç është tregu shqip. gsh.al
kadaressss-1

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY