Para se të futej në Kryesinë e Kuvendit në takimin e me krerët e partive parlamentare për krizën politike, kreu i PD Lulzim Basha reagoi ndaj asaj të cilës iu referua si një fushatë shpifjesh që synon të përçajë kombin.
Bëhet fjalë për një deklaratë të tij lidhur me komunitetin katolik. Basha sqaroi se qëllimisht është stigmatizuar ky komunitet dhe keqpërdorur konstatimi i tij lidhur me kandidimin e personave me rekorde kriminale nga kryeministri Rama në veri të vendit.
Ai akuzoi Ramën si përgjegjës të kësaj situate por dhe fushatës së shpifjes nga e cila u distancua.
Prononcim i plotë i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Prej disa ditësh një fushatë shpifjesh, dezinformimesh me frymë përçarëse kombëtare ka nisur nga e njëjta mendje e prishur, e cila, me ndihmën e veglave të veta të verbra ka muaj dhe vite që dezinformon dhe përpiqet të përçajë shqiptarët.
Duke marrë shkas nga një intervistë e imja, ku konstatova problemin e rëndë të personave me rekorde kriminale në pushtet, kjo fushatë dezinformimi ka stigmatizuar një ndër komunitetet fetare në Shqipëri, komunitetin katolik. Dua së pari, të refuzoj me përbuzje shpifjet e ulëta, barbare, të cilat adresojnë në gojën time përkatësi fetare për kriminelët. Dua ta them fare qartë se qëndrimi im nuk ka qenë asgjë më shumë dhe asgjë më pak se konstatimi se në zonat më antikomuniste të Shqipërisë, për shkak të shtypjes dhe terrorit ndaj një komuniteti me lidhje të veçanta me Perëndimin, komunitetit katolik, zona që tradicionalisht votojnë djathtas, Rama zgjodhi të kandidojë persona me rekorde kriminale, ndonëse në komunitetin katolik nuk mungojnë si në çdo komunitet tjetër profesorë, artistë, sportistë, njerëz të nderuar, përfaqësues të vlerave më të mira që mbart ky komunitet. Ky informim dashakeqës bëhet edhe më cinik, sepse mbart me vete një frymë përçarëse me një komb, i cili mund të mos krenohet me politikën dhe politikanët dhe shfaqjet e teatrit të kukullave dhe karagjozllëqet, por duhet të krenohet gjithmonë me frymën e pastër të harmonisë dhe dashurisë së shqiptarëve me njëri-tjetrin pavarësisht se nga ku kanë vendosur t’iu luten Zotit, nga kishat apo xhamitë.
Dua t’iu shoh në sy dhe t’iu them: Të dashur besimtarë katolikë! Me ju që kam ndarë në kishat tuaja dhe në shtëpitë tuaja Krishtlindje dhe Pashkë, vlerësimi im dhe i Partisë Demokratike për komunitetin tuaj është një vlerësim i patundur jo vetëm për vlerat e jashtëzakonshme të qëndresës antikomuniste dhe të mbështetjes tradicionale për Partinë Demokratike, por për faktin se keni qene ne momente shumë të vështira të historisë sonë, një urë lidhëse me Perëndimin. Pata fatin ta ndaj këtë mendim me Papa Françeskun kur e prita në Tiranë si kryetar Bashkie.
Dhe nuk do të harroj kurrë se përmes mbështetjes suaj, qëndresës suaj dhe vlerave tuaj, keni dëshmuar se shqiptarët si një popull që e kanë marrë përmes rrugës apostolike të Shën Palit besimin e Krishtit, vazhdon të mbështetet fuqimisht në ato vlera tashmë të sekularizuara, që quhen vlerat europiane, dhe për të cilat Partia Demokratike dhe unë luftojmë dhe do të luftojmë vendosmërisht. Ndaj duke hedhur poshtë me përbuzje këtë fushatë shpifjesh dhe denigrimesh, duke treguar me gisht autorin, i njëjti, i cili po me të njëjtat mënyra u mundua të ngjallte terror në protestën e opozitës, mbetem i vendosur për të luftuar për të drejtat e katolikëve, të ortodoksëve, të myslimanëve, të ungjillorëve dhe çdo besimtari të Zotit dhe çdo jo-besimtari sipas zgjedhjes së tij apo të saj, në një Republikë të Re, ku të drejtat tuaja të jenë të garantuara dhe përfaqësimi juaj të jetë në dorën tuaj dhe jo në dorën e politikanëve të papërgjegjshëm që zgjedhin të poshtërojnë shqiptarët përmes emërimit të kriminelëve në detyra shtetërore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/