KLSH/ Himarë, abuzimi qindra milionë lekë, përfundon në prokurori, kryebashkiaku dhe 13...

KLSH/ Himarë, abuzimi qindra milionë lekë, përfundon në prokurori, kryebashkiaku dhe 13 vartës të tij

146
0
Shares

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori, Kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goron, për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre, për 76.5 milionë lekë abuzime, veprime me pasoja të rënda këto, siç i ka cilësuar, për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme.
Së bashku me Goron, KLSH-ja ka paditur edhe disa drejtues të tjerë të kësaj bashkie, si Drejtorin e Planifikimit të Territorit, Drejtorin e Shërbimeve, Përgjegjësin e Zyrës Juridike, 3 anëtarë të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit (NJHDT), 6 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe 2 mbikëqyrës punimesh.

Kontrolli i KLSH-së është ushtruar për periudhën 1 korrik 2014 deri më 31 dhjetor 2016.

DËMI EKONOMIK 76.4 MILION LEKË

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1233/1, datë 15.12.2016, ndryshuar me nr. 1233/2, datë 31.01.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Himarë dhe Njësitë Administrative, ish-Komunat Lukovë dhe Horë-Vranisht për periudhën 01.07.2014 deri më 31.12.2016, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”.
Me Vendimin nr. 37, datë 29.04.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 1233/15, datë 30.04.2017, me qëllim  përmirësimin e gjendjes i janë rekomanduar Bashkisë Himarë masa me karakter organizativ  në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet në vlerën 341.3 milion lekë dhe masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 76.4 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi, në fushën e menaxhimit dhe zbatimit të buxhetit, lidhur me likuidimin e pagesave për punë të pakryera, në fushën e procedurave të prokurimit publik, mbi përcaktimin e kritereve konkuruese për marrjen pjesë në prokurime, në vlerësimin e ofertave ekonomike, në zbatimin e punimeve, në fushën e tatim-taksave, si dhe në ruajtjen e administrimin e dokumenteve e konkretisht për:
Z. J. G. me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor;
Z. K. K. me detyrë inspektor i vlerësimit dhe i kontrollit në terren në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, në cilësinë e anëtarit të NJHDT;
Znj. B. RR. me detyrë Inspektore e regjistrimit dhe procedurave në Drejtorinë e të ardhurave, në cilësinë e anëtarit të NJHDT;
Z. TH. S. me detyrë Përgjegjës i Zyrës Juridike, në cilësinë e anëtarit të NJHDT dhe anëtarit të KVO;
Znj. M. L. me detyrë ish-Përgjegjëse e Financës, në cilësinë e anëtarit të NJHDT;
Z. F. B. me detyrë specialist i lartë ndërtimi, në cilësinë e anëtarit dhe Kryetarit të KVO;
Z. E. M. me detyrë specialist i topografisë, në cilësinë e kryetarit të KVO dhe anëtarit të NJHDT;
Znj. I. LL. me detyrë kontabiliste për të ardhurat e shpenzimet, në cilësinë e anëtarit të KVO;
Z. S. K. me detyrë specialist ndërtimi në Drejtorinë e Shërbimeve, në cilësinë e anëtarit të KVO;
Z. O. V., me detyrë specialist prokurimesh, në cilësinë e Kryetarit të KVO;
Z. A. B. me detyrë Drejtor i Mirëmbajtjes, në cilësinë e anëtarit të KVO.

Në 9 procedura të prokurimit publik, NJHDT ka vendosur kritere diskriminuese apo kritere të cilat nuk i përkasin vlerës apo rëndësisë së prokurimit, duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë dhe duke ulur konkurrencën, si dhe KVO ka shpallur fitues operatorët  ekonomikë të cilët nuk plotësojnë kriteret e veçanta për kualifikim të miratuara në DST, duke i kualifikuar këta operatorë në po të njëjtat kushte me operatorët e s`kualifikuar, në shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, si dhe veprime me impakt negativ në buxhet për procedurat e prokurimit të shpallura fituese në vlerën 341,2 milion lekë dhe favorizim me pa të drejtë të operatorëve ekonomikë, të cilët nuk garantojnë cilësinë e investimit të prokuruar, me një dëm ekonomik në shumën 21,9 milion lekë, shkaktuar nga diferenca e vlerave të ofertave ekonomike, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar dhe VKM nr. 914 datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”.

Praktikat e përmendura i takojnë 9 objekteve të prokurimit:
“Shëtitorja Qeparo Faza II”;
“Rrjeti i jashtëm i ujësjellësit me vetëderdhje i fshatit Palasë dhe i komplekseve turistike”;
“Rehabilitim i qendrës së fshatit Borsh”;
“Rehabilitim urban i sheshit të Lukovës”;
“Shërbimi i pastrimit Himarë”;
“Shërbimi i pastrimit në Njësinë Administrative Lukovë”;
“Rikonstruksion i kanalit Ujitës Vranisht Terbac”;
“Ndërtimi i ujësjellësit Bolene”;
“Ura në rrugën Kondraqe – Qendër – Kallam – Lagja Gjilekë – Dhërmi”.

 Z. G. S. me detyrë Drejtor i Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit, në cilësinë e personit për marrjen në dorëzim të dokumentacionit tekniko-ligjor të zbatimit të punimeve, pasi për 7 investimeve publike të realizuara nga Bashkia Himarë, me vlerë investimi prej 96,9 milion lekë, nuk ka vënë në dispozicion të KLSH-së asnjë dokumentacion për zbatimin e punimeve, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, si dhe nuk ka administruar dokumentacion mbi realizimin e investimeve, cilësinë e zbatimit të punimeve dhe marrjen në dorëzim të tyre, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, UKM nr. 2 datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.

Praktikat e përmendura i takojnë 7 objekteve:
“Rehabilitimi i sheshit Kudhës”;
“Rrjeti i jashtëm i ujësjellësit me vetërrjedhje i fshatit Palasë”;
“Rikonstruksion i  kanalit ujitës Vranisht-Tërbaç”;
“Rikonstruksion shkollë e mesme Hore – Vranisht”;
“Rikonstruksion i rrugës hundexhepe Bolenë”;
“Punime lagja Rinaj dhe Ferrunaj”;
“Ndërtim rruge varreza Vranisht”.

Z. R.S. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve dhe
Z. E.T. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, për investim jo në përputhje me kriteret e kontraktuara dhe dëm ekonomik në vlerën prej 10.9 milion lekë, për shkak të punimeve të pakryera, por të situacionuara dhe paguara, si dhe mangësi të theksuara në dokumentacion tekniko-ligjor (dokumente fiktive dhe që nuk pasqyrojnë realitetin), për investimin “Shëtitorja Buzë Detit Qeparo, Faza II”, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” dhe Udhëzimin nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga J.G. me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, K.K. me detyrë Inspektor i vlerësimit dhe i kontrollit në terren në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, B.RR. me detyrë Inspektore e regjistrimit dhe procedurave në Drejtorinë e të ardhurave, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, Z. TH.S. me detyrë Përgjegjës i Zyrës Juridike, në cilësinë e anëtarit të NJHDT dhe anëtarit të KVO, M.L. me detyrë ish-Përgjegjëse e Financës, në cilësinë e anëtarit të NJHDT, F.B. me detyrë Specialist i lartë ndërtimi, në cilësinë e anëtarit dhe Kryetarit të KVO, E.M. me detyrë Specialist i topografisë, në cilësinë e kryetarit të KVO dhe anëtarit të NJHDT, I.LL. me detyrë kontabiliste për të ardhurat e shpenzimet,në cilësinë e anëtarit të KVO, S.K. me detyrë specialist ndërtimi në Drejtorinë e Shërbimeve, në cilësinë e anëtarit të KVO, O.V. me detyrë Specialist prokurimesh, në cilësinë e Kryetarit të KVO, A.B. me detyrë Drejtor i Mirëmbajtjes, në cilësinë e anëtarit të KVO, në kundërshtim ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, G. S. me detyrë Drejtor i Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit, në kundërshtim me ligjin nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, ligjin nr.  8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, UKM nr. 2 datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit” dhe R. S. e E. T. në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, në kundërshtim ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresat nr. 1233/19 datë 30.04.2017, 1233/20 datë 30.04.2017, 1233/21 datë 30.04.2017,
KLSH ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Vlorë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY