AGRON GJEKMARKAJ/ Pse sulmohen Fuga dhe Lubonja, si po mbillet frika para...

AGRON GJEKMARKAJ/ Pse sulmohen Fuga dhe Lubonja, si po mbillet frika para protestës së 13 majit

112
0
Shares
agron gjekmarkaj, vogel new

Agron Gjekmarkaj

Një protestë e madhe pritet të mbahet në Tiranë më 13 Maj e thirrur nga Opozita! Në këta 27 vjet liri në sheshin kryesor dhe në bulevardin e Kryeqytetit janë mbajtur shumë të tilla. Duhet thënë se ato me gjithë instrumentalizimet e veta politike kanë qenë një lloj shkolle emancipuese me rolin e tyre dyfish si pasqyrë ku shihej pushteti dhe shoqëria. Kjo e fundit është e pagjasë për vetë motivin mbi të cilin frymëzohet. Vendit në rrugën e vet të mundimshme në kërkim standardesh demokratike i ka dalë përpara një pengesë, të cilën askush nuk e kishte parashikuar, paçka se nuk shquhemi si vend profetësh!
Pas tri dekadash, kur dukej si një e drejtë që nuk do të vihej më në diskutim a rrezik, pluralizmi politik kërcënohet me shuarje. Qeveria e Edi Ramës në vend të marrëveshjes me opozitën që do të ruante natyrën e sistemit politik, ka zgjedhur sfidën e përjashtimit, e cila e gjymton atë.
Më 18 Qershor ai, Kryeministri dora vetë, dëshiron të shkojë drejt votimeve pa kundërshtarë ose me kundërshtarë të klonuar e pa peshë reale. Nëse shoqëria ia lejon, ai e ka tundimin ta kthejë kulturën moniste pa dridhje qerpiku e zëri. Ideja e një prapakthehu të tillë të çon në kujtime të kobshme, të cilat qarkojnë një të ardhme po kësodore.
Do të jetë një tirani me make-ap gazmor plot buzëkuq, qyfyre, batuta, hoka e kritikë me leje, por në thelbin e saj, nëse tolerohet, do të jetë një tirani e vërtetë mbi shtat hedhur pardesynë e blerë nga “vullneti i popullit”! Automatikisht një parlament dhe një qeveri, të cilat dalin nga një proces elektoral pa opozitë, rrezikojnë t’i veshin Kryeministrit aktual, arkitektit të kësaj sipërmarrjeje, një mantel diktatori.
Të guxosh të bësh projekte të tilla sot i bie që nesër me ligj të posaçëm të urdhërosh që portreti i Edi Ramës të vihet në çdo dhomë ndenjjeje shqiptare apo ditëlindjet e fëmijëve të tij të shndërrohen në festa religjioze. Të gjitha burimet, ai i shpresës dhe mëshirës, i faljes dhe hakmarrjes, i drejtësisë dhe ndëshkimit, i punës dhe bukës, koncesioneve e kantiereve, rrogave e pensioneve, i Vetting-ut dhe ujit të pijshëm do të rrjedhin nga kodra Olimp e Surrelit. Ligji i mbetur në sirtar për të kufizuar lirinë e mediave, për portalet dhe të tjerë do të kthehet.
Linçimet e nxehta publike ndaj Artan Fugës apo Fatos Lubonjës mund të kthehen në akuza penale me disa modifikime ligjore. Asgjë nuk shkakton tashmë habi. Profesorit të Sorbonës, autor i mbi 10 librave në Francë, dekoruar nga Presidenti Francez, Akademik i Shqipërisë, thjesht i turren se mendimet e tij nuk i shkojnë për shtat “Rilindjes”. Fatos Lubonjës një zë i spikatur për kundërshtitë e tij, i cili mban mbi shpatulla një histori mbi 15- vjeçare burgu të tmerrshëm e persekutimi i thonë pse nuk u bëre hero, pse nuk i rrahe hetuesit që të torturonin vetëm sepse ai i thotë Edi Ramës disa të vërteta të rënda në sy.
Qëndrimet e Lubonjës ndaj Skënderbeut, Nënë Terezës, Kadaresë, Rilindjes së Veqilharxhit, De Radës, Naimit e Fishtës, qëndrimet për “demitizimin” e të vërtetave kombëtare shumëkujt nuk i duken të drejta e as autorit të këtyre radhëve, por Fatos Lubonja është një zë i respektueshëm i mendimit shqiptar. E ka fituar këtë pozicion me historinë e jetës dhe qëndrimeve të tij. Dje u arrestua Kastriot Myftaraj, një opinionist kontravers i teorive banale konspirative.
Personalisht nuk kam asnjë konsideratë pozitive për të dhe shkrimet e tij ndaj të cilave prej vitesh përdor recetën në të cilën përshkruhet ilaçi i mosleximit si imunitet ndaj kotësisë dhe shpifjeve. Shkrimi i tij ndaj Vlahutin është i dënueshëm etikisht dhe nuk duhet përkrahur prej askujt. Në këtë vend është fyer pa fund Presidenti i Republikës e askush nuk ka reaguar kurrë.
Madje disa janë zgërdhirë me endje e kërshëri. Standardet e dyfishta na nxjerrin në pah hipokrizinë dhe servilizmin. Arrestimi i Myftarajt është një gjest me domethënie simbolike për të trembur çdo zë që flet dhe shkruan kundër Kryeministrit apo miqve të tij. Koha e zgjedhur për ta konsumuar një akt të tillë koincidon me klimën e frikës që Kryeministri po përpiqet të injektojë në këtë prag proteste.
Në Europë nuk arrestohen qytetarët në mes të natës se shkruajnë në facebook çfarë mendojnë, në Rusinë e Putinit dhe Turqinë e Erdoganit po. Tanimë edhe në Shqipërinë e Edi Ramës. Kaq besoj e di edhe zonja e përndertë Vlahutin, ambasadore e kontinentit në të cilin duam të integrohemi. Ajo nuk duhet të përkëdhelet nga kjo qokë e tepërt e mikut të saj Kryeministër që tenton t’i lyejë me melhem sedrën e lënduar, qoftë dhe me të drejtë. Në skajet e egërsuara të një krize që na ka përfshirë si kurrë më parë ne qytetarët shqiptarë presim prej saj me pak anësi e më tepër paanësi.
Nëse Myftaraj ka shkelur ligjet e vendit, mund të ndiqej në gjendje të lirë pa masa kaq represive. Prej ambasadoreshes pritet t’i mbrojë bash ata që e sulmojnë qoftë edhe egërsisht si Myftaraj, veç kështu mund të përcillte diçka nga fryma volteriane e lirisë dhe sakrificës për mendimin mbi të cilën themelohet Europa. Në kontekstin e ngjarjeve të shumta të konsumuara në këtë vend përgjatë këtyre katër viteve të qeverisjes së Ramës dhe të atyre që na presin nga këmbëngulja e tij për votime njëpartiake më 18 Qershor, protesta e 13 Majit merr mbi vete valencën e një ngjarjeje historike.
Pjesëmarrja në të e tejkalon raportin ideologjik ndaj së majtës apo të djathtës se në fakt këto psikama të jetës politike të dyja vihen në rrezik fatal nga votimet farsë. Çdokush që aspiron për një shoqëri pluraliste, paçka në e pëlqen apo urren Lulzim Bashën, duhet t’i bashkohet asaj në mënyrë paqë- sore. Çdokush që dëshiron të jetojë në konturet e një shteti ku pushtetet monitorojnë njëri-tjetrin dhe jo çdo gjë shkon në dorën e një individi absolutist nuk duhet të hezitojnë ta bëjë përpjekjen e tij me prezencë.
Po jetojmë një moment historik të padëshiruar, por kemi ende mundësi dhe shpresë për ta shndërruar atë në një kthesë pozitive prej së cilës fitojnë të gjithë dhe humbet përplasja me retorikën e saj të frikshme. Kryeministri ka nevojë ta shohë popullin poshtë dritares për të qartësuar idetë e veta mbi demokracinë. Populli s’duhet të mungojë në këtë takim në mbrojtje të pluralizmit politik dhe kauzës së zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pastaj, pasi t’i kenë garantuar ato, le të votojnë kundër apo pro Lulzim Bashës e Edi Ramës sa t’u dojë xhani.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY