Siç Exit ka shkruar, Masterplani Tirana 2030 u miratua nga Këshilli Bashkiak vitin e kaluar pavarësisht nga shumë shkelje ligjore, përfshirë dhe ligjin për konsultimet publike. Masterplani vetë, i hartuar nga firma e arkitektit Stefano Boeri, ishte plot me gabime dhe për më tepër në shkelje të kontratës.
Edhe pse masterplani u miratua në prill nga Këshilli Kombëtar Territorial (KKT), i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, dokumentet zyrtare ende nuk janë shfaqur në faqen e internetit të KKT-së, përsëri në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë, efektet e para të masterplanit të Boerit, që mbështet “intesfikimin” e ndërtimeve përmes partneriteteve publike-private, kanë filluar të ndihen nga qytetarët e Tiranës. Kulla të reja dhe të panevojshme u miratuan nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa parqet do të zëvendësohen me komplekse ndërtesash të oligarkëve pranë qeverisë. Ashtu si në Durrës, trashëgimia arkeologjike po shkatërrohet paturpësisht nën arsyetimin e paqartë të zhvillimit turistik.
Pas disa muajsh pritje dhe apelimi të çështjes te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale (me ndihmën e Publeaks) Exit ka marrë transkriptet e dëgjesave publike të organizuara nga Bashkia gjatë përgatitjes së masterplanit. Në një letër shoqëruese, Drejtori i Planifikimit Urban Joni Baboçi pohon se të gjitha seancat janë organizuar në përputhje me ligjin, edhe pse në janar ai e mohoi ekzistencën e ligjit për konsultimet publike.
Transkriptet e dëgjesave publike dhe takimeve të ekspertëve tregojnë paaftësinë me të cilën bashkia ka trajtuar një nga dokumentet më të rëndësishme për të ardhmen e Tiranës.
Para së gjithash, bie në sy injoranca e pjesëmarrësve në këto “panele ekspertësh”. Në tryezën e parë të “ekonomisë”, nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku “hap diskutimin” me një “koncept zhvillimi” që ka për personazh një majmun që hidhet nga pema në pemë, duke kapur degën që ka më afër.
Citoj:
“Ai [Mazniku] përmendi se zhvillimi është si një majmun i cili lëviz dhe hidhet nëpër pemë që janë pranë tij në mënyrë që të arrijë në pemë të tjera më të larta sipas parashikimit të tij. Z. Mazniku sygjeron që zhvillimi i Tiranës në vetvete duhet të jetë si ajo e një majmuni”.
Zoti Mazniku e ka marrë këtë metaforë nga Ricardo Hausmann, Drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, i cili është dhe mik me Kryeministrin Rama.
Citimi i saktë i tij mund të gjendet lehtësisht në faqen e tij të internetit:
“Mendoni për çdo product si një pemë në pyll. Çdo produkt është I ngjashëm me pemët në pyll; gjenden në një distancë të caktuar nga njëri-tjetri. Tani mendoni për kompanitë si kafshët që jetojnë në këto pemë, si majmunët që jetojnë nëpër pemë, duke shfrytëzuar një produkt të caktuar. Duke ndjekur metaforën tonë – në mënyrë që vendet të përparojnë, ata duhet të lëvizin nga pemët më të varfra në pemë më të pasura e më të frytshme dhe ata e bëjnë këtë duke u hedhur në pemët e afërta”.
Duket qartë se përpjekja e Mazniku për të injektuar një koncept “inteligjent” në një diskutim rreth zhvillimit të qëndrueshëm nuk ishte plotësisht i suksesshëm. Dhe si nga të gjitha tavolinat e tjera të rrumbullakëta dhe panelet, asgjë konkrete nuk erdhi nga ajo.
Shpesh palët e interesit mungonin në diskutim. Për shembull, në një tryezë të rrumbullakët mbi infrastrukturën ujore, përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe të UKT-së “për fat të keq” mungonin.
Megjithatë, transkripti më skandaloz është ai i dëgjesës publike të organizuar me shpejtës për anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe grupet e interesit në dhjetor, pak orë para se master plani të miratohej nga Këshilli Bashkiak.
Transkripti i takimit thotë:
“Pas prezantimit të planit nga Boeri, Francesca, Andreas, fjalën e morën anëtar të Këshillit Bashkiak për të bërë komentet dhe për të shtruar pyetjet e tyre.”
Në transkript, më pas, në mënyrë të thatë renditen të gjitha pyetjet, që venë theksin mbi një sërë çështjesh serioze teknike dhe konceptuale. Megjithatë, sipas transkriptit as arkitektët dhe as bashkia nuk arrijnë t’i japin përgjigje pyetjeve. Me sa duket, të gjitha pyetjet dhe kritikat “u plotësuan” nga bashkia me heshtje të plotë, arrogante. Vincent W. J. van Gerven Oei
Një pjesë e pyetjeve të pjesëmarrësve në dëgjesën e 26 dhjetorit 2016
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/