Fjala e mbajtur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, në seancën...

Fjala e mbajtur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, në seancën e fundit të Legjislaturës së VIII-të

96
0
Shares

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Të dashur kolegë,
Dëshiroj t’ju shpreh të gjithëve falënderimet e mia të sinqerta si Kryetar i Kuvendit dhe mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin, që kam gjetur te të gjithë ju gjatë katër viteve për angazhimin tuaj legjislativ në këto vite të rëndësishme për Shqipërinë. Besoj se, kush më shumë e kush më pak, sipas mundësive apo edhe qëllimeve dhe axhendave politike, përkatësive të grupeve parlamentare apo individualisht, u përpoqëm t’i jepnim qytetarëve tanë një paketë të rëndësishme legjislative. Jam i sigurt që ky numër i rëndësishëm ligjesh dhe aktesh ligjore do t’i shërbejë procesit dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian për anëtarësimin e vendit dhe përmbushjes së detyrimeve, që burojnë nga ky proces jetik dhe vendimtar për të ardhmen e vendit tonë. Jam i keqardhur të shikoj në këtë seancë përmbyllëse të punëve tona mungesën e kolegëve tanë të opozitës, megjithatë kur ka vullnet dhe angazhim të përgjegjshëm gjithmonë ka mundësi kohore për të rikthyer normalitetin në Kuvend dhe dialogun politik për çështjet dhe sfidat që duhet t’i përballojmë së bashku. Megjithatë, kjo panoramë e padëshiruar përmbyllëse e këtij Legjislacioni, nuk mund të zbehë punën voluminoze që të gjithë bashkë kemi bërë gjatë katër viteve.
Organizimi me sukses në Tiranë i Asamblesë Parlamentare të Vendeve të Mesdheut dhe Asambleja Parlamentare e Vendeve anëtare të NATO-s në veçanti, një numër i konsiderueshëm vizitash të nivelit të lartë, të Kryetarëve, të personaliteteve të ndryshme të parlamenteve të vendeve evropiane dhe vendeve të tjera mike, i kanë dhënë diplomacisë parlamentare një dimension dinamik dhe të suksesshëm.
Ky aktivitet i dendur diplomatik ka krijuar një partneritet të qëndrueshëm me parlamentet e vendeve mike, organizatave ndërkombëtare dhe ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet dypalëshe me vendet përkatëse.
Njëkohësisht, dua të veçoj në mënyrë të jashtëzakonshme miratimin e Reformës territoriale-administrative, e cila i dha peshën reale pushtetit vendor dhe përgjegjësitë për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore, ekonomike dhe natyrore në interes të përmirësimit të shërbimeve të qytetarëve tanë; Reformës kushtetuese dhe ligjore për dekriminalizimin e funksionarëve të zgjedhur dhe zyrtarëve shtetërorë dhe si garanci e një vullneti politik për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare; Reformën kushtetuese dhe paketën e ligjeve pritoritare për sistemin e drejtësisë si kryereforma e kësaj legjislature, themeli i shëndoshjes së shoqërisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë, sigurisë së jetës, pronës dhe rendit në vend, reformë e cila u miratua me konsensusin e të gjitha forcave politike dhe votat e të gjithë deputetëve të Kuvendit; Ligjin e Vetting-ut, respektimi dhe zbatimi i tij pa mëdyshje është me shumë rëndësi për hapat e mëtejshme, që Shqipëria duhet të hedhë drejt hapjes së negociatave në rrugën e saj për anëtarësimin në BE si edhe zhbllokimin e reformës në drejtësi.
Por, Kuvendi ka diskutuar dhe miratuar edhe një numër të madh ligjesh e marrëveshjesh ndërkombëtare si edhe nisma deputetësh, të cilat kanë synuar përmirësimin e aspekteve ekonomike dhe sociale dhe rritjen e standardit të jetesës të qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, do të duhej nga të gjithë ne, si detyrim ndaj qytetarëve, por edhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë, që ky Kuvend të kishte përfunduar Reformën Zgjedhore dhe të kishte miratuar ndryshimet e kërkuara në Kodin Zgjedhor për garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe njëkohësisht, sikurse e dimë, për fat të keq Komisioni i Posaçëm për këtë reformë nuk gjeti gjuhën e duhur të mirëkuptimit, të bashkëpunimit e të dialogut mes maxhorancës dhe opozitës për të miratuar, si gjithmonë, me konsensus ndryshimet e kërkuara në përputhje me rekomandimet e OSBE – ODIHR-it të vitit 2013 dhe 2015.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian roli i Kuvendit të Shqipërisë është i pazëvendësueshëm. Së bashku kemi miratuar ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, nëpërmjet të cilit është rishikuar dhe përmirësuar më tej roli i Kuvendit në procesin e integrimit evropian.
Të dashur kolegë,
Si Kryetar i Kuvendit në këto katër vjet jam përpjekur t’u jap mundësinë të gjithëve të kontribuojnë në të mirë të debatit politik këtu. E di që jo gjithmonë dhe jo të gjithë keni qenë të kënaqur, por të jeni të bindur se sjellja ime ka qenë e prirur gjithmonë drejt krijimit të një klime të qetë e bashkëpunuese në të mirë të demokracisë, të gjithëpërfshirjes dhe të transparencës. Jam përpjekur të nxis cilësinë në debatin politik, për ta bërë atë më racional, frymën e dialogut dhe besimin në bashkëpunim mazhorancë – opozitë, për çështjet më të rëndësishme të vendit sepse jam i bindur se kjo është e vetmja mënyrë për të rritur maksimalisht standardet dhe cilësinë gjithashtu të procesit legjislativ.
Gjithsesi, këto janë sfida të rëndësishme dhe të përhershme demokracisë për të cilat do të duhet të punojmë çdo ditë me durim, për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi, dhe për t’i dhënë vendit tonë zgjedhje të lira dhe të ndershme, konform standardeve dhe përvojave më të mira ndërkombëtare. Duke falënderuar të gjithë kolegët deputetë, të 139, dua në mënyrë të veçantë të
falënderoj të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare, në veçanti z. Ruçi si kryetar të grupit parlamentar të shumicës dhe z. Paloka si kryetar të grupit parlamentar të pakicës. Po kështu dua të falënderoj të gjithë kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit, dua të falënderoj njëkohësisht shërbimet e Kuvendit, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të lehtësuar punën e këtij institucioni, dhe padyshim urimin më të veçantë e kam për znj. Leskaj, e cila ka qenë një bashkëpunëtore e imja në drejtimin e Kuvendit, për z. Spaho, i cili pavarësisht nga qëndrimet politike, gjithnjë është sjellë në mënyrë mjaft konstruktive dhe për z. Idrizi, i cili gjithashtu ka qenë një mbështetje e rëndësishme në kryerjen e detyrës sime si Kryetar i Kuvendit.
Faleminderit të gjithëve dhe me këtë e deklaroj seancën dhe këtë legjislaturë të mbyllur.
Ju faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY