Basha zbardh çfarë ofroi sot në tryezë dhe pse i rrëzoi Rama...

Basha zbardh çfarë ofroi sot në tryezë dhe pse i rrëzoi Rama propozimet e opozitës

118
0
Shares

Nga çadra e protestës, kreu i PD-së Lulzim Basha ka rrëfyer pasditen e sotme, pjesë nga negociatat me Edi Ramën.
Sipas tij, propozimet e opozitës, biles edhe ato të ndërkombëtarëve, të lotuara prej vetë Edi Ramës, javën e kaluar, sot u rrëzuan dhe nuk u pranuan prej tij.
Basha shpjegoi edhe pse e bëri Rama këtë.


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 75 të protestës popullore për zgjedhje të lira e të
ndershme

Rama ka forcën e krimit, të drogës dhe parave të korrupsionit, ne kemi forcën e argumentit, të drejtësisë së kauzës tonë, forcën e bashkimit popullor


lulzim basha, cader 75Qytetarë dhe qytetare të lëvizjes më të pathyeshme që historia 27 vjeçare e Shqipërisë ka prodhuar për liri e demokraci dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, ju përshëndes dhe ju uroj në këtë ditë të 75, të rimarrjes në dorë të fateve tona dhe themelimit të Republikës së Re nga qytetarët prej qytetarëve dhe për qytetarët.
Sot, përfaqësuesit e republikës së vjetër dhe përfaqësuesit e Republikës së Re u ulën në tavolinën e Presidentit Nishani pas ftesës së tij, për të gjetur një zgjidhje me dialog, të krizës së rëndë politike, elektorale, ekonomike dhe të gjithanshme që është produkti i vetëm i katër viteve të qeverisjes së dështuar, inkriminuar dhe korruptuar të Edi Ramës dhe çetës së tij mafioze në pushtet.
Unë shkova në këtë tryezë ashtu siç iu premtova ju, me vullnetin e plotë e të palëkundur për të mos kërkuar, pranuar dhe marrë asgjë për përfitime politike të miat, Partisë Demokratike dhe opozitës, por po kështu, për të mos lëshuar asgjë nga të drejtat legjitime, hyjnore të qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votën e lirë si themeli i vetëm i bashkëjetesës demokratike sot e tutje në Shqipëri.
Unë shkova po kështu, me zotimin e marrë para miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë e në veçanti familjes tonë politike PPE, Presidentit Daul, Komisionerit Hahn, njëkohësisht nënkryetarit të PPE, se Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk do të lëmë asnjë mundësi pa eksploruar për një kompromis dhe një marrëveshje politike me kushtin e vetëm e të patjetërsueshëm, që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

***
Dy janë kollonat e vullnetit politik pa të cilat asnjë mekanizëm nuk funksionon.
As ndryshimet në kodin zgjedhor, as ndryshimet në kodin penal për të penalizuar me ndëshkime më të rënda ligjore shitblerjen e votës apo fotografimin e saj, apo transfertat e dyshimta të parave gjatë fushatës elektroale, apo të tjera ndryshime që kanë të bëjnë me median, me struktrën institucionale të zgjedhjeve, asnjë nga këto nuk kanë vlerë nëse janë në dorë të të njëjtit mekanizëm që për katër vite e ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe në të vetmin vend në Europë ku kriminelët që duhet të ishin në burg, janë deputetë, janë kryetarë bashkish, janë drejtorë policie, drejtorë doganash drejtor taksash dhe drejtorë të tjerë të administratës dhe kupolës politike të republikës së vjetër.
Dje, këmbanat e Europës kanë rënë për çdo shqiptar të ndershëm, kanë rënë madje edhe për Edi Ramën. Shqipëria është në krizë politike dhe kërkohet zgjidhje politike. Ky që kishte fërkuar duart bashkë me lobistët e tij që majmen me paratë e drogës dhe të korrupsionit qindra milionë eurosh të transferuara përmes bankash, të kapura nga kupola politike, dhe përmes zhageve të korrupsionit, ky kishte shpresuar të pamundurë, që ne, kallëzuesit e problemeve të Shqipërisë, luftëtarët kundër krimit dhe drogës, të tgregoheshim me gisht si fajtorë.
Dje e kuptoi se edhe kur investon miliona me lobistë, edhe kur gënjen sa mundesh me media të kapura dhe emisarë të korruptuar, e vërteta dhe e drejta vonojnë, por një ditë arrijnë në stacion. E vërteta ka arritur tash 75 ditë në këtë stacion dhe tempull të lirisë dhe kjo është e vërteta e shqiptarëve jo e partive politike por e çdo shqiptari, të djathtë e të majtë. Por e vërteta po kështu ka mbërritur në stacionet e mëdha të perëndimit, droga dhe krimi janë kërcënimet kryesore për zgjedhje te ardhshme në Shqipëri.
Pa zgjidhje për krimin e veshur me pushtet dhe drogën e paratë e drogës, pa zgjidhje të vërtetë, zgjidhje poltike, siç theksuan miqtë tanë mbrëmë, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri !
Pra, nuk do të ketë as bojkot, se ne vetëm duarkryq nuk do rrimë teksa kupola e krimit mundohet t’i marrë shqiptarët si dele në një proces fals dhe monist të një gjysmë koalicioni, një subjekti zgjedhor, për ti mohuar atyre të drejtën e fundit që ka mbetur pa iu përdhosur, të drejtën për të zgjedhur Parlamentin e tyre pa diktat nga krimi dhe paratë e drogës.
Jo!
Nuk do të rrimë duarkryq.
Kemi ofruar sot në tavolinë gjithçka që Partia Dmekratike dhe opozita mund të ofrojnë për zgjidhje, pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar, që vetë i loboi dhe që në vetvete ishin shumë më pak se çmund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë.
Sot, Edi Rama vulosi faktin, para partnerëve ndërkombëtarë se ai jo vetëm është pengesa e vetme, por se nuk ka asnjë argument qenësor.
Tani që ballafaqimi i argumentave dhe i forcës së argumentave tregoi se kush do zgjidhje për shqiptarët, se kush vendos interesin e qytetarëve para interesit   politik dhe personal, tani që forca e argumentave tregoi superioritetin total të kësaj kauze popullore, Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse argumenti i forcës së kriminelëve të hurit dhe të litarit, që për të, mund të jenë burra të mirë dhe padyshim që për të, të mirë kanë qenë sepse me ta e mori pushtetin, me ta e menaxhon pushtetin, me ta dëshiron ta mbajë pushtetin përkundër dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve.
Forca e Edi Ramës është trajtimi administratës shtetërore si një garnizon elektoral si kurrë më parë në 27 vite të pluralizmit, ku padyshim përdorimi i administratës ka qenë një problem nga të dyja palët por kurrë si sot. Si kurrë më parë në 27 vite të pluralizmit, ku padyshim përdorimi i administratës ka qenë një problem nga të dyja palët, por kurrë si sot.
Forca e Edi Ramës janë paratë e narkokartelit të bërë njësh me qeverinë që ai drejton. Forca e Edi Ramës është shpresa se mjerimi dhe varfëria e shtuar e shqiptarëve kanë shuar dinjitetin dhe vullnetin për të luftur për dinjitet e liri, tek çdo baba e nënë, te çdo i ri dhe të re.
E vërteta është se ai i ka të gjitha këto; ai i ka krimin, ai i ka bandat, i ka drogën, ai ka në dorë të firmosë e urdhërojë paligjshmëritë e policisë dhe të çdo dege tjetër të administratës. Por ajo që ai nuk ka, është shumë më e madhe dhe e fuqishme se ajo që ai ka.

***
Ai nuk e di se përballet jo thjesht me një lëvizje popullore që proteston tash 75 ditë në formën e qindra-mijë qytetarëve, por përballet me shpresën e çdo shqiptari të ndershëm se kjo është koha për një ndryshim të madh dhe rrënjësor në jetët tona.
Se kjo është koha për të marrë në dorë fatet tuaja, fatet tona dhe se kjo është koha për të mos pranuar, por rrëzuar me forcën e bashkimit popullor çdo pengesë që qëndron mes mjerimit dhe varfërisë së sotme të shqiptarëve dhe shpresës për një Republikë të Re të demokracisë së vërtetë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme, ekonomisë së fortë dhe të nesërmes së sigurt për çdo shqiptar.
Një pengesë pa argumente, i paisur vetëm me argumentin e forcës së krimit dhe paligjshmërisë, ky është Edi Rama, por përballë ka një forcë të pathyeshme, përballë ka vendosmërinë e bashkuar të çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershme për t’i thënë: Mjaft më arrogancës! Mjaft më krimit! Mjaft më drogës!
Bëtë çfarë deshët në 4 vite; kriminelët i bëtë zotër të vendit, drogën – prodhimin kryesor, zhytët një popull në varfëri dhe larguat 1 në 10 shqiptarë në emigracion, vodhët çfarë mundët nga posti i Presidentit të Republikës deri tek delet e kecat nëpër rrugët e Shqipërisë.
Por, zgjedhjet e lira e të ndershme nuk i dorëzojmë dhe nuk do t’i japim kurrë!
Vodhët të sotmen, por kurrsesi nuk mund t’iu lejojmë të vidhni të nesermen, të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Llogaritë e kupolës politike dhe kriminale në krye të republikës së vjetër janë bërë pa popullin. Dhe populli do ti provojë këto llogari gabim, duke nisur të djelën e ardhshme në Kavajë.
Nga Kavaja, sot vijnë lajmet e atmosferës më historike që qyteti ka përjetuar që në vitet e lavdishme kur u kthye dhe mbeti në zemrën e çdo shqiptari si kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë.
Koha për ti thirrur mendjes është sot.
Çdo ditë që kalon, rrit vendosmërinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Çdo ditë që kalon, shanset për një kompromis midis dy realiteteve zëvendësohen nga mundësia e padiskutueshme e realitetit që po vjen e do të vijë, Republikës së Re të qytetarëve shqiptarë.

***
Ndaj edhe sot, siç i thashë në fund të takimit, i përsëris thirrjen; ti thërrasë mendjes, të kuptojë se kriza shqiptare e konfirmuar botërisht që ka për bazë drogën, krimin dhe shtetin e njësuar me pushtetin, nuk zgjidhet me dokrra, nuk zgjidhet me fake news, nuk zgjidhet me gënjeshtrat që ke derdhur e derdh nga Brukseli në Uashington, nuk zgjidhet me deklarata të paguara, sado shtrenjtë i paguan, por zgjidhet vetëm në qoftë se shqiptarët e konsiderojnë të zgjidhur, vetëm nëse shqiptarët e konsiderojnë të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme.
Qeveria teknike me mandat për të larguar kriminelët nga politika, për të larguar drogën dhe për ti dhënë shqiptarëve reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik, është rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në binarët e normalitetit dhe për të siguruar bashkëjetesën demokratike.
Kushdo që bashkohet me këtë rrugë është i mirëpritur në një bashkim kombëtar pavarësisht prej përgjegjësive që mund të ketë patur deri më sot për thellimin e të keqes. Kjo lëvizje ka shpirtin e madh, të falë, të mos harrojë, por të ecë përpara.
Por, nëse forcën e argumentit dëshiron ta zëvendësosh me argumentin e forcës, atëherë populli është gati të të mposhtë totalisht.
Me fatet e shqiptarëve nuk mund të luhet më. Me popullin nuk mund të luhet më. E aq më pak, të shpresosh që opozita do të marrë rolin e alibisë së lojërave të teatrit të kukullave në kurriz të shqiptarëve.



Të dielën në orën 11:00, ku do jeni?
Protestuesit:
Në Kavajë

E gjithë Shqipëria me forcën e bashkimit më të madh në historinë e saj, paqësor por të vendosur deri në fund.
Më 7 maj, çlirojmë Kavajën nga krimi, çlirojmë Kavajën nga droga, çlirojmë Kavajën nga pasiguria dhe poshtërimi.
Kavajasit e ndershëm, fisnikët dhe kreshnikët e lirisë dhe demokracisë janë në ballë të kësaj beteje. Por sot, dhe me 7 maj, nuk do të jenë vetëm. Me çdo zemër të lirë, të qytetarëve të Kavajës, do të rrahin mijëra zemra shqiptarësh.
Të djelën jemi të gjithë banorë të kryeqytetit të lirisë, jemi të gjithë në këmbë për lirinë e Kavajës, për lirinë e Shqipërisë, për lirinë e shqiptarëve.
Bashkë në Kavajë, bashkë për fitore, për fitoren e popullit, për fitoren e Shqipërisë demokratike, për zgjedhje të lira e të ndershme.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
.
DRONI.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY