Fill pas shpalljes zyrtare të listave të kandidatëve për deputetë nga forcat politike kryesore të së majtës kanë ardhur reagimet e para nga brenda PD kundër vendimit të opozitës për të mos marrë pjes ë në zgjedhjet e 18 qershorit. Tre deputetët e PD, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, dhe Eduard Selami me nuanca të ndryshme në qëndrime por të bashkuar në nev ojën që sipas tyre ka PD të marrë pjesë në zgjedhje.
Majlinda Bregu ka deklaruar sot se “Zgjedhja për të bojkotuar parlamentin u bë pa i lënë kohë një debati real. Megjithatë e kam përkrahur edhe cadrën edhe protestën civile të qytetarëve si formën më demokratike për të kthyer vëmendjen e të gjithëve tek ceshtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kam kërkuar disa herë edhe në takimet me kryetarin e Partisë mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real”
Në vijim ajo thotë se shpresa për divorc mes Ramës dhe Metës u tret. “Shpresa e madhe e disa të fajshmëve se martesa e interesit të Edi Ramës me Ilir Metën do përfundonte me divorc dhe nga divorci do rrëzohej qeveria, u tret si flluskë sapuni. Kam kërkuar tek miqtë tanë të Partive Popullore ndihmë për të mos lejuar që Edi Rama të shpallet si engjëll e hero i reformës në drejtësi. Por me pranimin e kompromisit të ofruar nga David McAllister dhe Knut Flekenstein ai vrau më shumë se dy zogj me një gur të vetëm! Edhe PD-në e nxori refuzuese në sytë e miqve tanë të PPE-së, pasi s’ka lënë gjë pa manipuluar për ta nxjerrë fajtore në sytë e gjithë botës; edhe Ilir Metën e hoqi qafe duke i hequr të fajshmëve stolin ku mendonin se do të ngjiteshin për të dalë mbi PS-në”, komenton deputetja Bregu.
Në vijim Bregu thotë se “Kam heshtur këto kohë publikisht dhe jam përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmoj PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë tanë të PPE të na vijnë sërish në ndihmë. Por sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten!”
Ndërkaq në sinkron me deklaratën e Bregut, deputetja tjetër Jozefina Topalli, duke folur për disa media, thotë se prej 3 javësh ka kërkuar mbledhjen e grupit të PD-së për të diskutuar për bojkotin e zgjedhjeve parlamentare.
Por edhe ai që flet shumë rrallë kësaj here ka folur. Eduard Selami në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet se bojkoti i zgjedhjeve do të dëmtojë Partinë Demokratike dhe vendin.
“Kam vënë re që z.Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore por fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe me një gjuhë të papërshtatshme e përdori për të anashkaluar institucionet dhe me keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë.
Dhe më tej akoma në një retorikë të paprecedentë për të bllokuar dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike”, komenton Eduard Selami. DRONI.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/