Tre anëtarët e opozitë në KQZ-së, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë hedhur akuza ndaj kreut të këtij institucioni Denar Biba, e duke u shprehur se veprimet e fundit të KQZ-së janë kundër ligjit.
Sipas anëtarëve të opozitë, Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Vera Shtjefni vendimet e fundit të KQZ-së “janë qëndrime personale të kreut në kundërshtim më misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe janë tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi”.
Deklarata e plotë e 3 anëtarëve të opozitës në KQZ
Tre anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), informojnë opinionin publik se deklaratat e KQZ të ditëve të fundit (datat 29 dhe 30 prill 2017) nuk përfaqësojnë asnjë vendimmarrje të KQZ. Ato janë qëndrime personale në kundërshtim më misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe janë tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi.
Fatkeqësisht në deklaratën e datës 29 Prill 2017, jashtë mbledhjes së KQZ dhe në tejkalim të çdo kompetence ligjore, në emër të KQZ, është bërë një interpretim subjektiv i nenit 67 të Kodit Zgjedhor, duke vendosur që “afati i regjistrimit të listave shumë emërore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 […] korrespondon me datën 29 prill 2017”, pavarësisht se në çdo përllogaritje kjo datë duhej të ishte 28 prill 2017, në mesnatë. Rrjedhimisht, çdo regjistrim për lista të paraqitura nga subjektet tej këtij afati është nul, i paligjshëm dhe i pavlefshëm.
Në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, përmes një deklaratë të dytë (datë 30 prill 2017), kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore duke vendosur një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore/listave të kandidatëve, datën 3 maj 2017, kur dihet që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh.
KQZ nuk mund të krijojë apo ndryshojë afatet ligjore zgjedhore që i ka caktuar Kodi Zgjedhor përmes deklaratave por duhet vetëm t’i zbatojë ato.
Shprehim shqetësim të thellë që këto qëndrime të përsëritura po komprometojnë misionin e KQZ duke i dhënë KQZ, një pozicion partizan, të anshëm, në shërbim të mazhorancës politike aktuale. Nëse vazhdohet me këto qëndrime KQZ rrezikon të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor.
Hysen Osmanaj
Klement Zguri
Vera Shtjefni
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/