KQZ ka reaguar zyrtarisht sot, për pretendimin PD-së, se kishte përfunduar që mesnatën e kaluar afati për regjistrimin e kandidatëve për deputetë.
Sipas zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj, mësohet se ky afat, përfundon sot, jo vetëm sipas Kodit Zgjedhor, por edhe referuar praktikave të mëparshme.
“Në bazë të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, afati i regjistrimit të kandidatëve për deputetë, të partive të regjistruara si subjekte pjesëmarrëse në zgjedhje, është jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.
Afati 50 ditor, referuar nenin 121 të Kodit Zgjedhor, llogaritet duke përjashtuar datën e zgjedhjeve.
Referuar praktikave të mëparshme, është ndjekur kjo praktikë edhe për këto zgjedhje.
Data 29 prill, si data e fundit e regjistrimit të kandidatëve për deputetë, të partive të regjistruara si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e 18 qershorit, është publikuar dhe pranuar më herët, nga të gjithë, edhe nga subjektet që kanë përfaqësuesit e tyre në KQZ”, sqaroi zëdhënësja e KQZ.
DRONI.al
Deklarata e plotë e KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron opinion publik se, në bazë të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, afati i regjistrimit të listave shumë emrore të kandidatëve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 18 qershor 2017 është “jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”.
Bazuar në rregullimin e mësipërm ligjor dhe në praktikën shumëvjeçare të KQZ, afati 50 ditë përpara datës 18 qershor 2017 korrespondon me datën 29 prill 2017.
Referuar nenit 67 të Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të depozitojnë listat shumë emërore në KQZ, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Afati 50 ditor para ditës së zgjedhjeve referuar nenit 125 të Kodit Zgjedhor, llogaritet duke përjashtuar ditën e zgjedhjeve.
Kjo mënyrë përllogaritje e afateve është tashmë një praktikë e ndjekur në të gjitha proceset zgjedhore të mëparshme dhe është zbatuar edhe në lidhje me përcaktimin e datës 10 prill 2017 si data e fundit për regjistrimin e subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 18 qershor 2017, apo të datë 19 prill, si data e fundit për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.
Data 29 prill, si data e fundit për regjistrimin e listave shumë emërore të kandidatëve të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin 2017 është datë e deklaruar prej kohësh dhe e pranuar publikisht me veprime konkludente nga të gjitha forcat politike në vend, disa prej të cilave kanë edhe përfaqësues të përhershëm në mbledhjet e KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/