SKANDALI/ Kompanitë më të mëdha, naftë jashtë standarteve dhe helm për njerëzit

SKANDALI/ Kompanitë më të mëdha, naftë jashtë standarteve dhe helm për njerëzit

114
0
Shares

Nga Merxhan Daci dhe Anxhela Ruci

Kompanitë më të rëndësishme të shpërndarjes së naftës në vend rezulton se tregtojnë në pjesën dërrmuese gazoil të përzier me solar apo vajguri, në një kohë kur rafinimi i produktit nuk bëhet i plotë.

Cilësia e naftës shqiptare është shumë e ulët, nëse ajo krahasohet me atë të vendeve fqinje. Ky pohim nuk është legjendë urbane, por arriti të provohej nga PSE në rrugë laboratorike.

Një investigim, i shtrirë në disa muaj, provon qartësisht se nafta, e cila shitet në pikat e karburantit përreth Shqipërisë dhe furnizon rreth 430 mijë automjete, është në pjesën dërrmuese të saj jashtë standardeve normale të cilësisë.

PSE krahasoi naftën, e cila shitet në pikat shqiptare të karburantit, me atë që shitet në vendet fqinje, të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë.

Gjithsej u morën tetë kampione nafte, pesë prej të cilave në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe zonat kufitare të Shqipërisë dhe tri të tjera në pikat e karburanteve të vendeve fqinje. Në Tiranë dy mostrat u morën nga dy pika karburanti të vendosura në Tiranën e Re.

Një nga mostrat u mor në afërsi të Bradasheshit në Elbasan, një mostër u mor në qytetin e Shkodrës dhe e pesta u mor në afërsi të pikës doganore të Kapshticës.

Të pesta mostrat në Shqipëri u morën në pika karburanti të përzgjedhura rastësisht, duke pasur si qëllim analizimin e kompanive më të rëndësishme që operojnë në tregun e shpërndarjes së naftës në vend.

Kliko ketu per analizat

Mostrat e naftës u morën në pikat e shpërndarjes së kompanive Eko Al, Alpet, Gega Oil, Gulf dhe Kastrati.

Në Malin e Zi, Maqedoni dhe Greqi mostrat u morën në pika kufitare, nën emrin e shpërndarësve të rëndësishëm të naftës në këto vende, përkatësisht në Kalamper Oil, MakPetrol dhe Elin Oil.

Mostrat u ekzaminuan në laboratorin shkencor NAIAS në Pire të Greqisë, për t`u analizuar më pas nga një inxhinier me eksperiencë në fushën e hidrokarbureve, i cili përdori për to shkallën e vlerësimit nga 0 deri në 5 (yje), ku zero ishte cilësia më e ulët e gjetur dhe pesë ajo më e larta. Ekspertit iu dhanë elementët për t`u interpretuar, pa përcaktuar se cilës kompani i përkisnin apo nga cili vend mostrat vinin.

Të tetë mostrat u analizuan në bazë të gjashtë parametrave: viskoziteti kinematik në 40 gradë Celsius, temperatura e flakërimit, përmbajtja e squfurit, indeksi i cetanit, densiteti dhe distilimi në temperatura të ndryshme.

Analizimi tregoi se nga pesë mostrat e naftës të marra në Shqipëri, një prej tyre rezultoi me nivelin e cilësisë 4, një me nivelin 2, një tjetër me nivelin 1 të cilësisë dhe dy mostra rezultuan me nivel cilësie 0.

Mostrat e naftës të marra në Malin e Zi dhe Maqedoni inxhinieri i hidrokarbureve i vlerësoi me nivelin 5 të cilësisë, ndërsa ajo e marrë në Greqi u vlerësua me nivelin 4.

Pavarësisht se në Shqipëri kanë munguar investigimet e pavarura apo institutet dhe laboratorët privatë për të analizuar cilësinë e naftës, qindra-mijëra qytetarë ndjejnë çdo ditë pasojat e cilësisë së saj të ulët në automjetet e tyre dhe miliona të tjerë efektet e saj në ndotjen e ajrit.

Më “fatlumët” janë ata qytetarë, të cilët jetojnë afër pikave kufitare të vendit, të cilët nuk ngurrojnë t`iu drejtohen vendeve fqinje për t`u furnizuar me naftë.

Arditi, një taksist i ri nga Shkodra, tha për PSE se, pas përvojave të hidhura me naftën që shitej në pikat e karburantit të qytetit të tij, ai së bashku me kolegë të tjerë furnizoheshin me naftë në Ulqin, rreth 40 kilometra nga kufiri.

“Ne shkojmë në Ulqin, se nafta është më e lirë dhe më cilësore. Ndryshimi duket qartë, kur furnizohesh me naftë vendi dhe kur me atë malazeze. Mua personalisht më është prishur makina “Benz” nga cilësia e keqe e karburantit. Më ka mbetur makina në shtëpi nga dëmtimi i motorit. Naftën këta e përziejnë me solar”, – thotë ai.

Ndërkaq, K. L., kamerier në një bar në pikën kufitare të Kapshticës, nuk ngurroi të tregonte për PSE se, çdo shqiptar që kishte mundësinë të kalonte me lehtësi këtë pikë doganore me Greqinë, nuk ngurronte të furnizonte me karburant makinën e tij.

“Nafta nga ana greke është më lirë dhe me cilësi më të mirë. Ne andej e mbushim. Edhe doganierët shqiptarë andej furnizohen me karburant”, – tregoi ai.

Nga ana tjetër, pikat e karburantit në afërsi të qytezës së Strugës në Maqedoni janë kthyer në një destinacion të preferuar për shoferët shqiptare të zonës së Pogradecit apo Korçës, të cilët në asnjë rast nuk harrojnë të mbushin me karburant makinat e tyre ose ndonjëherë të kalojnë kufirin vetëm me këtë qëllim.

Nafta shqiptare nuk e kalon klasën

Rezultatet e të tetë mostrave të marra nga PSE u analizuan nga një inxhinier i hidrokarbureve me përvojë, i cili gjeti katër prej pesë mostrave shqiptare të naftës tepër problematike sa i përket përbërjes së tyre.

Dy nga mostrat e naftës së marrë në Shqipëri në opinionin e tij ishin të papërdorshme.

“Dy janë mundësitë për këtë mostër: ose kemi të bëjmë me gazoil parafinik, ose me vajguri…”, – theksohet në interpretimin e njërës prej mostrave, e cila kishte viskozitet të ulët, densitet të lartë, indeks cetani nën normë dhe fillim të lartë distilimi.

Për një tjetër mostër të naftës së marrë në Shqipëri inxhinieri vlerësoi se, të dhënat laboratorike tregonin se në të kishte një përmbajtje të lartë produkti vajor apo solar.

“Ka në përbërje dy pjesë të ndara me thikë, nuk ka konsistencë rafinimi. Nuk vlerësohet si produkt i besueshëm për t`u përdorur. Zakonisht, ky lloj produkti harxhohet shpejt, nuk lubrifikon mirë mjetin dhe nuk prodhon fuqi të mirë kalorifike”, – argumenton ai.

Një nga mostrat e naftës së shitur në vend u cilësua me një yll cilësie, si një gazoil shumë i dobët.

“Kjo mostër ka përmirësim në raport me dy pararendëset, por qëndron mes një nafte të rafinuar mirë dhe asaj të rafinuar në rafineri anonime”, – shpjegoi inxhinieri.

Nga ana tjetër, njëra nga mostrat arriti të vlerësohet me dy yje cilësie, ku përsëri rafinimi i produktit mbetej problematik.

“Kjo naftë ka shtesa rreth afro 3.5% produktesh flurore që më së shumti mund të jenë të parafinuara, edhe pse ka një masë të madhe produkti të rafinuar korrekt”, – theksohet në interpretim.

Nga ana tjetër, një nga mostrat shqiptare të naftës arriti të kualifikohej me katër yje cilësie nga pesë të mundshme.

“Ky gazoil duket se vjen nga një rafineri serioze që ka bërë maksimumin të jetë në 50% të përmbajtjes së squfurit. Ka një lidhje homogjene densitet-viskozitet-fraksione”, – vlerësohet nga eksperti.

Për sa i përket naftës së marrë në anën greke të kufirit, inxhinieri vlerëson se ndërlidhja e mirë viskozitet-densitet-distilim e bën atë cilësore e të vlerësueshme me katër yje.

Mostra e naftës e marrë në Malin e Zi rezulton me të gjithë parametrat korrektë, ku densiteti dhe viskoziteti i lartë i japin një vlerë të shtuar sa i përket harxhimit në djegie dhe ruajtjes së motorit të makinës duke e vlerësuar atë me pesë yje.

I njëjti vlerësim bëhet gjithashtu edhe për mostrën e naftës së marrë në Maqedoni, e cila konsiderohet si plotësisht e përputhshme me standardet ISO dhe si një produkt tërësisht i rafinuar.

Gazoili jashtë standardeve penalizohet vetëm me gjobë

Çdo ditë në rrugët e Shqipërisë lëvizin rreth 536 mijë mjete të transportit rrugor, ku 80% e tyre përdorin naftën për të qarkulluar. Mesatarisht, 2.2 milionë tonë naftë dhe nënprodukte të saj “digjen” çdo vit në rrugët e vendit.

Cilësia e ulët e naftës në vend nuk është një problem i panjohur edhe për institucionet shqiptare, të cilat janë të detyruara me ligj të analizojnë cilësinë e saj në shërbim të interesit të publikut.

PSE arriti të siguronte nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), dokumente, të cilat tregonin shkelje flagrante të disa operatorëve të shpërndarjes së hidrokarbureve në vend.

Nga kontrollet e bëra në periudhën kohore shtator-nëntor 2016, devijimet e standardit të naftës rezultojnë shumë të larta. Konkretisht, në Elbasan, Fier dhe Shkodër janë konstatuar norma tepër të larta të squfurit në naftë.

Nga 10 mg/kg që është sasia e lejuar e squfurit, në Elbasan ky parametër i ka kaluar shifrat e 210 mg/kg, në Fier 295 mg/kg dhe në Shkodër është konstatuar shkelja më e madhe prej 301 mg/kg squfur (afërsisht 30 herë më shumë se norma e lejuar).

Madje, norma e fundit e squfurit është kapur në një nga shoqëritë më të mëdha aksionere të vendit që shpërndan naftë. Shkeljet me squfurin nuk mbarojnë me kaq.

Në muajin korrik të vitit 2016 është regjistruar norma më e lartë e squfurit në një pikë karburanti në Berat prej 2330 mg/kg nga 10 e lejuar. E përkthyer kjo në mbi 200-fishin e normës.

Squfuri nuk është thjesht një element kimik në tabelën e Mendelejevit!

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, squfuri ka ndikime të drejtpërdrejta në shëndet.

“Dyoksidi i squfurit ndikon në sistemin respirator dhe funksionet e mushkërive duke shkaktuar edhe kancer. Sasitë e tij të mëdha sjellin raste të shtuara të bronkitit kronik dhe rrisin vdekshmërinë te personat me sëmundje kardiake. Kur dyoksidi i squfurit bashkohet me ujin, formon acidin sulfurik, komponentin kryesor të shiut acid”, – thuhet në raportin e OBSH-së për vitin 2016.

Ndërkaq, nga krahasimi i të dhënave të ISHTI-t dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ka një papërputhshmëri faktesh. Nga raportet e përbashkëta që dy institucionet kanë, gjobat sipas muajve nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën dhe shifrat e shkeljeve po ashtu. Ndërkohë, ISHTI, i detyruar t’i bëjë publike sanksionet për pikat e karburantit, të cilat nuk respektojnë standardet, në faqen e internetit të institucionit nuk ka të dhëna të përditësuara më të hershme se janari i këtij viti.

Gjithsesi, vetëm për tremujorin e parë të vitit 2017, ISHTI ka vjelur mbi 15 milionë lekë nga gjobat e vendosura për 44 subjekte, të cilat tregtojnë karburant. Për të gjitha rastet e shkeljeve të konstatuara ISHTI nuk shkon përtej gjobitjes së operatorëve.

Ky institucion theksoi se në ligjin për funksionimin e tij shkeljet e konstatuara nga operatorët konsiderohen vetëm si kundërvajtje administrative dhe nuk përbëjnë vepër penale.

Në kushtet kur, jo vetëm analizat e kryera në laboratore private, por dhe ato shtetërore, konstatojnë se në gazoilin e shitur në Shqipëri abuzimet janë të shumta dhe ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe pasurinë e qytetarëve, është e pakuptueshme, pse ato nuk konsiderohen një vepër penale.PSE2017.com

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY