BLENDI FEVZIU/ Çfarë do ndodhë me Ilir Metën President?

BLENDI FEVZIU/ Çfarë do ndodhë me Ilir Metën President?

57
0
Shares

 

blendi fevziu, vogel

Blendi Fevziu

Ilir Meta pritet të zgjidhet nesër Presidenti i ri i Shqipërisë. Ai bëhet kështu, presidenti i shtatë i Shqipërisë Pluraliste dhe padyshim më i dobëti në listën e paraardhësve të tij. Më i dobëti jo për hir të staturës politike, (pas Berishës që drejtoi presidencën në vitet 1992 – 1997, ai është padyshim personaliteti më imponues) por si pasojë e kompetencave që janë sot më të paktat dhe më të reduktuarat që nga viti 1991. Roli i Presidentit u reduktua në mënyrë drastike në Kushtetuën e vitit 1998, ai u reduktua akoma në ndryshimet kushtetuese të 2008 dhe së fundmi u zhvesh edhe nga pak kompetenca të mbetura në vitin 2016, në ndryshimet që ju bënë pas reformës në drejtësi.
Po përse Meta po lakmon postin e Presidentit? Përse ai po lë një parti që po vinte e bëhej më dominuese në skenën politike shqiptare, gati gati faktor përcaktues dhe po shkon në një zyrë që më shumë i ngjan ceremonialit se sa vendimmarrjes politike? Përgjigja nuk është e thjeshtë, por ajo padyshim ka disa pista.

E para, Ilir Meta e kishte aspiruar postin e Kreut të shtetit që në vitin 2012. Në marrëveshjen e 2013, siç dëshmon në një gazetarët që ka qenë më pranë Ramës dhe Metës, Baton Haxhiu, ndarja e pushtetit ka qenë e tillë: Rama Kryeministër dhe Meta President. Pra, Meta nuk po bën asgjë më shumë, por po shkon në pretendimin e vjetër të tij. Ai e di mirë që ndryshe nga presidentët e tjerë (Përjashto Berishën dhe deridiku Topin), nuk po shkon atje për të mbyllur karrierën politike, por për ta hapur atë edhe një herë. Ai po kërkon një periudhë tranzitore për të krijuar imazhin e njeriut që bashkon palët, duke synuar të mbajë në këmbë edhe LSI. Një President me parti, është gjithnjë shumë më i fortë se sa një President që është propozuar nga partia dhe i humb lidhjet me të. Pra, Presidenca është vetëm një fazë tjetër tranzitore në karrierën e Metës. Së paku kështu duket.

E dyta është koha! Opinion.al që njoftoi sot e para kandidimin e Metës ka qenë e informuar se Meta e pretendonte postin e Presidentit pas zgjedhjeve. Ndërkohë që Rama ishte i prirur ta niste në Presidencë përpara zgjedhjeve. Por situata ka lëvizur me shpejtësi pas refuzimit të opozitës. LSI e humbi datën ligjore të regjistrimit me PS në një koalicion dhe do të detyrohet të dalë në zgjedhje e vetme. Në mungesë të PD, rezultati i përftuar do jetë padyshim i deformuar dhe jo real. Humbëset më të mëdha do të jenë LSI dhe PDIU votat e të cilave nuk do jenë të nevojshme për PS që do ketë vetë votat e domosdoshme për të ngritur dhe mbajtur qeverinë. Në këto rrethana koalicioni pas zgjedhor do jetë formal, por jo funksional. Kësaj gjëje i është trembur Meta. Ai ka llogaritur që pas zgjedhjeve posti i premtuar mund t’i refuzohej apo t’i shmangej, ose mund të përftohej një situatë e re politike e paparashikuar, dhe ka vendosur të garojë tani.
Kjo mazhorancë i ka votat. Meta do të jetë nesër President dhe Rama ka arritur fiks atë që ka dashur. Nxjerrjen qoftë edhe përkohësisht, për 5 vite nga skena politike aktive e njeriut që e kërcënonte më shumë në postin e Kryeministrit. Pas daljes së Metës nga skena, ai ka tashmë vetëm një rival, Bashën.

E treta, nuk dihet se çfarë do prodhojë për politikën vendimi i Metës. Nuk dihet se çfarë do sjellë për LSI dalja nga fushata e Metës, por vështirë që partia e tij, pa të, të arrijë objektivat që kishte vendosur.

Gjithsesi Meta duhet të jetë i qetë sot, por akoma më i qetë duhet të jetë Rama që ja arriti ta shmangë së paku për ca kohë aleatin dhe rivalin e tij brenda mazhorancës!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY