Turqit dhe armenët i ndan gjenocidi 102 vjet më parë

Turqit dhe armenët i ndan gjenocidi 102 vjet më parë

95
0
Shares

Rreth 1.5 milionë armenë mbetën të vrarë gjatë Luftës I Botërore, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej. Këtë version të ngjarjeve mbështesin shumë historianë, por e kundërshton me forcë Turqia, e cila fajësohet për masakrat. Në mbarë botën armenët përgatiten të shënojnë 102 vjetorin e 24 prillit.

Armenët në mbarë globin po nderojnë ata që gjetën vdekjen gjatë Luftës I Botërore, një ngjarje që nga shumë veta njihet si gjenocidi turk kundër armenëve. Turqia e hedh poshtë këtë karakterizim:

“Ne nuk fajësojmë turqit e sotëm për ato që ndodhën 102 vjet më parë, por udhëheqja e vendit ka një përgjegjësi morale për t’u marrë me këtë temë, pasi kjo udhëheqje e prezanton veten si pasuese të Perandorisë Osmane,” – thotë ambasadori armen në SHBA, Grigor Hovhannissian.

Ai mendon se armenët nuk identifikohen me këtë tragjedi:

“Fakti që mbijetuam, që sot ka armenë në botë, që ka një Republikë të Armenisë… ne jemi një vend i vogël, por prapë ekzistojmë gjë që dëshmon se gjenocidi dështoi. Këtë festojmë dhe kujtojmë,” – thotë ambasadori.

Turqia thotë se numri i të vdekurve është ekzagjeruar dhe se ata që u vranë ishin viktima të luftës dhe trazirave. Dy vjet më parë, kryeministri turk propozoi një hetim nga të dyja palët:

“Nëse duam të diskutojmë çështjen armene, së pari duhet ta paraqesim atë në aktualitetin e saj, gjë që bëhet nga historianët. Ne do të hapim arkivat që kemi. Armenia duhet të hapë arkivat e saj, nëse kanë arkiva,” – u shpreh ish-kryeministri Erdogan.

Kombet e Bashkuara, Papa dhe shumë vende e pranojnë në linja të përgjithshme masakrimin e armenëve si gjenocid, por administratat e njëpasnjëshme amerikane janë rezervuar në përdorimin e këtij termi. Aram Hamparian drejton Komitetin Kombëtar Armen të Amerikës:

“Qeveria turke bën përpjekje që t’u vërë veton deklaratave që mund të bëjë ose nuk mund të bëjë qeveria amerikane për gjenocidin armen. Po zhvillohet një fushatë e gjerë me përpjekje nga Kongresi dhe shoqëria civile për ta mundur këtë përpjekje”.

Ambasada turke në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente. Thomas de Waal, autor i librit “Katastrofa e Madhe – Armenët dhe Turqit nën Hijen e Gjenocidit,” foli përmes Skype-it:

“Shumë turq vdiqën gjatë luftës, disa prej tyre në duart e ushtrisë ruse. Vetë Turqia ishte e pushtuar dhe u copëtua. Pra armenët shiheshin si armiq”.

Por autori shton se edhe turqit po fillojnë t’i shohin gjërat ndryshe:

“Historianët dhe studiuesit turq kanë filluar të shkruajnë për ngjarjet. Në Turqi po botohen libra. Në fillim të vitit në Turqi u botua libri im mbi këtë temë; pak vjet më parë nuk mund të imagjinohej diçka e tillë. Pra shoqëria turke ka ndryshuar disi”.

Ndërkaq, artëdashësit do të gjejnë një rrëfim artistik të këtyre ngjarjeve tronditëse në filmin “The Promise” – Premtimi, që shtjellon deportimet dhe vrasjet masive të armenëve gjatë Luftës I Botërore. voa

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY