Kryetari i grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i ka dërguar letër kreut të Kuvendit Ilir Meta, ku i kërkon mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Ruçi i kërkoi Metës edhe caktimin e kalendarit për Presidentin. Sipas letrës së Rucit më 13 prill duhet të mblidhet konferenca e kryetarëve e cila ka në rend të ditës fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të vendit dhe me 19 kërkohet të zhvillohet raundi i parë i votimit për Presidentin e ri të Republikës.
Po sot, Drejtori i Shërbimit Juridik të Kuvendit Alban Brati i dërgoi një memo Metës ku e njofton për procedurat dhe afatet e zgjedhjes së Presidentit të Republikës një ditë para afatit të nisjes së procedurave.
Në letër thuhej se mandati i presidentit Bujar Nishani mbaron më 24 korrik 2017 ndërsa procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, fillojnë jo më herët se 13 prilli 2017. Ndërkohë që ligji parashikon edhe procedurat në rastin e mbarimit të mandatit të Kuvendit aktual, i cili përfundon më 9 shtator të këtij viti.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/