Prokuroria dhe Policia ngushtojnë pistat e hetimit për vrasjen e komisarit Artan Cuku, ish-drejtor i Policisë së Vlorës.
Edhe pse në hetim janë të gjitha versionet e ngjarjes, pa përjashtuar asnjë nga pistat e ngritura që në fillim, duket se vëmendja është përqendruar te grupe kriminale që mund të kenë synuar goditjen e ish-zyrtarit të Policisë për shkak të detyrës.
Për këtë arsye, ditën e djeshme, grupi i hetimit ka rihapur disa dosje të vjetra të grupeve kriminale në qytetin e Vlorës, me të cilat mendohet se është “përplasur” Artan Cuku gjatë kohës që punonte si drejtor i Policisë së Qarkut në atë qytet.
“Po verifikohen disa raste në Vlorë dhe në Fier, ku viktima ka punuar dhe ka pasur problematika me elementë apo grupe kriminale. Në verifikim janë më shumë se sa një rast apo një çështje kur policia ka kapur sasi të mëdha droge apo ka goditur grupe kriminale që fshiheshin pas ngjarjeve që kanë ndodhur në kohën kur Artan Cuku punonte në Vlorë”, thanë burimet nga hetimi.
HAKMARRJA
Jashtë vëmendjes nuk është lënë as pista e hakmarrjes. Mes të shoqëruarve si të dyshuar për vrasjen e ish-drejtuesit të lartë të Policisë kanë qenë edhe dy vëllezërit e të riut që u vetëvra në Komisariatin nr.4 me armën e Cukut, në vitin 2005. Vëllezërit e Agim Dakës, Bujar e Florin Daka, 35 e 32 vjeç, janë shoqëruar mbrëmjen e së shtunës në Shkodër për llogari të hetimit të ngjarjes.
Ata janë transportuar drejt Tiranës, ku janë marrë në pyetje nga oficerët e grupit hetimor dhe kanë qëndruar në Drejtorinë e Policisë thuajse 24 orë. Burimet thanë se ata janë lënë të lirë, pasi kanë mohuar përfshirjen e tyre direkte apo indirekte në vrasjen e Artan Cukut.
Nga ana tjetër, nuk ka pasur as prova që të implikonin ata në vrasje. Dy vëllezërit nga Tropoja dhe me banim në lagjen “Ndue Mazi” të Shkodrës, kanë pretenduar se nuk kanë më hasmëri me familjen Cuku dhe nuk janë ata as autorë e as porositës të ngjarjes. Sipas tyre, gjithçka është mbyllur vite më parë sipas kanunit dhe familjes Cuku i ishte dhënë besa që nuk do të ketë asnjë lloj hakmarrjeje në lidhje me vetëvrasjen e vëllait të tyre në Komisariat.
“Kemi qenë në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja. Ju e patë edhe vetë kur erdhët e na morët që ishim duke ngrënë darkë. Nuk kemi asnjë lloj hasmërie apo problemi me familjen Cuku. Ajo histori është mbyllur vite më parë sipas kanunit. I kishim dhënë besën Artan Cukut”, kanë deklaruar vëllezërit Daka në Polici. Bujar Daka, njëri nga vëllezërit e Agim Dakës, kishte rreth një vit që ishte liruar nga burgu.
HETIMI
Policia e Tiranës ka kryer edhe disa shoqërime gjatë pasdites së të dielës dhe paraditen e djeshme, në lidhje me vrasjen e Artan Cukut. Të shoqëruarit kanë qenë persona të dyshuar, nisur nga karakteristikat fizike të njërit prej autorëve, por edhe dëshmitarë e persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Pasi kanë dhënë deklarime, ata janë lënë të lirë. Policia ka vijuar me verifikimin e rrugëve nga ku dyshohet se mund të jenë larguar autorët e ngjarjes, për gjetjen e ndonjë kamere sigurie që mund të shërbejë për identifikimin e tyre.
Deri tani, nuk rezulton, që të paktën nga drejtimi që dyshohet të ketë marrë njëri autor pas kryerjes së vrasjes, të ketë pasur kamera sigurie. Për rrjedhojë nuk ka filmime që mund të çojnë në identifikimin e tij. Personi tjetër është filmuar nga një kamera që tashmë është në dorën e hetuesve dhe po analizohet, megjithëse pamjet nuk janë shumë të qarta.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/