Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të kenë edhe 19 ditë kohë për të gjetur rrugën e dialogut, me qëllim zgjidhjen e ngërçit politik, për rikthimin e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet parlamentare.
Ditën e hënë skadon afati për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit, por, pavarësisht parashikimeve në Kodin Zgjedhor, Partisë Demokratike do t’i lihet një hapësirë kohore deri në 29 prill për t’u regjistruar, kohë e cila mund të shfrytëzohet nga palët për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Pika 1 e nenit 64 të Kodit Zgjedhor parashikon që, çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Referuar dekretimit të datës së zgjedhjeve (18 Qershor), ky afat përfundon në datën 10 prill. Por, kur na ndajnë edhe disa orë nga përfundimi i këtij afati, 24 parti opozitare kanë refuzuar të regjistrohen në zgjedhje, si formë presioni ndaj shumicës në pushtet, për të pranuar krijimin e një qeverie teknike.
Megjithatë, Shqiptarja.com ka mësuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vullnetin e mirë për t’i regjistruar partitë opozitare në zgjedhje edhe përtej datës 10 prill. Kjo frymë pozitive dominon tek të gjithë anëtarët e KQZ.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba u shpreh për Shqiptarja.com se, në një situatë të tillë, vota e tij do të jetë pro regjistrimit të subjekteve zgjedhore, edhe përtej këtij afati.
Por, Biba shtoi se edhe ky afat ka një limit, që është data 29 prill, kur KQZ duhet të printojë fletët e votimit. Ku afat përkon me depozitimin e listave të kandidatëve.
“Vota ime do të jetë pro regjistrimit të cilësdo partie edhe përtej afatit. Natyrisht, jo përtej çfarëdolloj afati. Ky i datës 10 është thjeshtë sugjerues nga sugjerues nga Kodi. Në praktikën e së drejtës, afatet, si në të drejtën civile, penale apo administrative, janë afate penalizuese apo sugjeruese.
Sugjerojnë që kjo gjë është mirë të bëhet brenda këtij afati, por që nuk parashikojnë ndonjë penalit nëse kjo gjë nuk ndodh. Unë po flas vetëm për votën time. Nuk e di se si do të votojnë kolegët.
Por, kjo gjë nuk mund të shkojë pa fund, pasi në momentin, që është data 29 prill, që do të depozitohen listat e kandidatëve dhe që ne duhet të nisim urgjentisht në atë moment printimin e fletëve të votimit, nëse fletët e votimit do të jenë printuar, natyrisht nuk ka më kuptim se çfarë të regjistrosh”, tha kreu i KQZ, Denar Biba.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/