Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një tjetër përgjigje ironike kreut të LSI për propozimin e tij për Qeverinë e Besimit.
Duke folur nga Shkodra, në një takim me votuesit për herë të parë, Rama tha se qeveria nuk është si Hotel Rozafa që të ikin disa dhe të vijnë disa të tjerë.
“E keni dëgjuar që thonë hajde ikim ne dhe të vijnë këta. Po pse çfarë është qeveria Hotel Rozafa? Po kur thonë nuk është çështje karrigesh? Të jesh kryeministër i vendit nuk është se je i privilegjuar sepse ke suitën e hotel rozafës dhe tani thonë: dil nga suita të futen dhe këta të bëjnë një dush se kanë 50 ditë në çadër”, tha Rama.
Rama ka deklaruar sërish se ka ndërmend të shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit edhe pa opozitën. “Shqipëria që kemi është Shqipëria që ndahet në 18 Qershor: do vazhdojmë luftën për Shqipërinë që duam apo do kthehemi mbrapsht te Shqipëria që kishim. Ajo që kishim është Shqipëria e ngujuar në një çadër në mes të bulevardit. Ju e dini mirë, kush ngujohet, ka një arsye për tu fshehur, ka një faj për të larë, kush ngujohet ka një motiv shumë të fortë për të refuzuar të ballafaqohet me njerëzit. Ngujimi në atë çadër është ngujimi që vjen prej një frike shumë të madhe, frika nga drejtësia”.
Në vijim ai ka sulmuar bashkinë e Shkodrës që drejtohet nga PD, një sjellje kjo e zakonshme sa herë shkon në Shkodër. “Kam gjithmonë trishtim kur vij në Shkodër. Ne kemi bërë sa kemi mundur, por mund të bënim shumë më tepër. Kemi bërë një nga godinat simbol të traditës, por mund të kishim bërë edhe këtë (tregon një gropë), nëse Bashkia do kujtohej që është detyra e saj. kemi rindërtuar teatrin, kemi ndërtuar stadiumin dhe muzeun e Marubit. Për këto të treja nuk kemi pasur nevojë për leje nga Bashkia se harrojeni se do merrnim leje. Këtyre në Bashki që u thonë se socialistët nuk e duan Shkodrën, thojini të shkojnë deri në Malësinë e Madhe, Fushë Arrëz dhe Pukë. Ne nuk i ndajmë njerëzit në tanët dhe në të atyre, për ne kanë të gjithë të njëjtën vlerë”, deklaroi Rama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/