Ish-kolegët e Artan Cukut kanë publikuar një mesazh për vrasjen e drejtorit të Policisë sonte në mbrëmje në Tiranë.
Mesazhi i Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim-2013
“Me dhimbje të thellë mësuam se kolegu ynë Artan Cuku, nuk është më midis nesh. Dora burracake e krimit i mori jetën babait të devotshëm, bashkëshortit të përkushtuar dhe një oficeri model të Policisë së Shtetit.
Artan Cuku, ka shërbyer për më shumë se 15 vite në Policinë e Shtetit, ku edhe ka mbajtur detyra shumë të rëndësishme si zv.drejtor i Drejtorisë së Qarkut Fier, zv.drejtor i Qarkut Tiranë dhe para largimit nga radhët e organizatës ishte drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë.
Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 kërkon nga autoritetet ligjzbatuese të marrin të gjitha masat për zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje, që sipas të gjitha gjasave lidhet me detyrat e larta që kolegu Cuku ka patur deri në vitin 2013, në Policinë e Shtetit dhe luftën pa kompromis qe ai ka kryer ndaj krimit dhe elementëve kriminale.
Kjo ngjarje e dhimbshme dhe po aq e rëndë, është tregues i situatës dramatike në të cilën ndodhet rendi dhe siguria në vend, një gjendje që flet për një shtet të kapitulluar para krimit.
Paralelisht, ajo është një tjetër provë e shpërfilljes totale nga kjo qeveri, Ministria e Punëve të Brendshme dhe drejtuesve aktualë të Policisë, për ish-punonjësit e policisë, të cilët janë liruar nga detyra për motive cinike e të paligjshme dhe tashmë ndodhen të ekspozuar, pa asnjë mbrojtje ndaj elementëve kriminalë, të bërë palë me këtë pushtet të kalbur e të korruptuar deri në palcë.
Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim-2013 e përcjell me pikëllimin me te thellë këtë ngjarje dhe gjendet pranë familjes e të afërmve të oficerit, kolegut e mikut Artan Cuku”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/