Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Samitin e 20-të Ekonomik të Euroazisë, me temë: “Njerëzimi në Udhëkryq”, që u zhvillua për dy ditë radhazi, në Stamboll të Turqisë, nga Fondacioni Marmara Grup. Në këtë samit morën pjesë presidentë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe shumë autoritete të tjera politike, akademike e ekonomike, vendase e të huaja, si dhe ish-krerë shtetesh e qeverish.
Presidenti Nishani iu drejtua në mënyrë të veçantë Samitit në hapjen zyrtare të tij, me një fjalë përshëndetëse, duke shprehur vlerësimin për rëndësinë që merr ky Samit, veçanërisht në këto momente krizash dhe sfidash shumë komplekse për botën, e të cilat kanë vënë në pikëpyetje shumë prej arritjeve të deritanishme të shoqërive tona. “Vetë tema e këtij Sami të 20-të: “
Njerëzimi në Udhëkryq”; është shprehja më e qartë e këtyre shqetësimeve në këto momente.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit, duke iu referuar nevojës së përfshirjes më aktive të aktorëve vendimmarrës, politik-bërës, shkencëtarëve dhe akademikëve në orientimin e shoqërisë njerëzore drejt një të ardhmeje më të mirë e të sigurt, theksoi se: pritshmëritë, sfidat, kërcënimet dhe zgjidhjet, fillojnë së pari në vendet tona, në nivel lokal, e më pas shtrihen e ndërthuren me vendet e tjera fqinje e në nivel rajonal, duke u reflektuar më pas në nivele kontinentale e globale”.
Ndërsa në panelin kryesor të Presidentëve, që trajtonte dhe temën thelbësore të Samitit, Presidenti Nishani u shpreh ndër të tjera se: “ngjarjet dhe zhvillimet e viteve të fundit në vendet, rajonet dhe në përgjithësi në planetin tonë, kanë shtruar shumë pikëpyetje përpara nesh dhe të ardhmen tonë”.
Presidenti Nishani, duke iu referuar zhvillimeve shumë të mëdha, por edhe sfidave e kërcënimeve të lindura që nga fillimi i Samitit të parë Ekonomik të Euroazisë, në vitin 1998 e deri në momentet aktuale, u fokusua shkurtimisht tek ndryshimet e mëdha të ndodhura në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve, por edhe tek zhvillimet e paparashikuara të Bashkimit Evropian me Brexit dhe sfidat e tjera strukturore, zhvillimet teknologjike e kibernetike, si dhe raportet e balancat e reja politike dhe ekonomike në nivel botëror. Ndërsa lidhur me pasojat, sfidat dhe kërcënimet e dala nga këto zhvillime të jashtëzakonshme, Presidenti Nishani u shpreh se: “pyetja – a është njerëzimi në udhëkryq, vjen si një kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve” .
Kreu i Shtetit tërhoqi vëmendjen e auditorit me faktin se në nivele lokale e rajonale konfliktet po rizgjohen e po bëhen më të shpeshta, duke kërcënuar me përhapjen e tyre dhe sjellë pasoja të reja e konsekuenca të rrezikshme. “Nxitja dhe mbështetja e tyre, po rrezikon sigurinë në nivel shumë më të gjerë, rajonal dhe global. Struktura e sigurisë sonë po dobësohet ndjeshëm, nga këto konflikte”, duke shtuar se nuk duhet lejuar që sfidat dhe kërcënimet e sotme të orientojnë politikat qofshin ato lokale, rajonale apo globale.
Presidenti Nishani gjatë fjalës u ndal në mënyrë të veçantë mbi kontributin konkret të Shqipërisë e shqiptarëve, si në nivel lokal e rajonal, ashtu edhe në nivel global, duke evidentuar vëmendjen e madhe në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presidenti e njohu auditorin me eksperiencën e kaluar disa vite më parë me të ashtuquajturit “luftëtarë të huaj”, si dhe masat e marra si në drejtim të përmirësimit të kodit penal dhe vënien para drejtësisë së organizatorëve e predikuesve ekstremistë, ashtu edhe për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit me autoritetet vendore dhe komunitetet fetare në ç’kurajimin e elemeteve ektremistë. Lidhur me luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, Presidenti Nishani vlerësoi edhe bashkëpunimin me autoritetet ligj-zbatuese dhe agjencitë e specializuara të vendeve fqinje dhe partnere, si dhe evidentoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Koalicionin Global kundër ISIS-it dhe angazhimin në zbatimin e Strategjisë Globale Kundër Terrorizmit.
Ndërsa, duke iu referuar rajonit të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Nishani, evidentoi se këtu është e përqendruar vëmendja dhe kontributi kryesor i Shqipërisë, në funksion të stabilitetit dhe të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Gjithashtu, Presidenti Nishani theksoi se retorikat nacionaliste po rikthehen sërish rrezikshëm në rajon, duke vënë në pikëpyetje atë çfarë është arritur deri më sot. “Fuqi e interesa të caktuara po kërkojnë ta kthejnë rajonin në ditët e tij më të errëta, duke shfrytëzuar kryesisht marrëdhëniet delikate ndëretnike, por dhe rënien e vëmendjes së strukturave të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, për shkak të sfidave e krizave që ato vetë po përjetojnë.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Në kuadrin e pjesëmarrjes në këtë Samit, Presidenti Nishani u takua shkurtimisht edhe me ish-Presidentin e Turqisë, Abdullah Gül, si dhe liderë të tjerë pjesëmarrës, me të cilët shkëmbeu mendime mbi zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit, por edhe për çështje të tjera me interes, ku siguria ishte në fokus kryesor.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/